E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, partitë politike, dy javë fushatë pa kandidatët

KQZ-ja përcakton sot udhëzimin për 30% të femrave kandidate. Sipas renditjes, legjislatura e ardhshme nuk do ta sigurojë këtë përqindje

TIRANË- Ligji i shumëpritur jo vetëm nga gjinia femërore në vend, por edhe nga faktori ndërkombëtar, ai i barazisë gjinore, rrezikon të mos zbatohet në rastin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe konkretisht në përbërjen e listave të kandidatëve për deputetë.

Kjo për faktin se vetë Kodi Zgjedhor, por edhe udhëzimi që pritet të miratojë sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, lë vend për abuzim me detyrimin që përcakton ky ligj, që 30 për qind e listave të kandidatëve për deputetë të jenë femra.

Po sot, do të miratohen edhe afatet e publikimit të listës zyrtare të kandidatëve nga ana e KQZ-së. Sipas udhëzimit paraprak, 13 qershori është data kur ato duhet të shpallen zyrtarisht, pikërisht dy javë para datës së zgjedhjeve.


Regjistrimi


Duke iu referuar përcaktimit që bën Kodi, partia politike që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për Kuvend, depoziton në këtë komision listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, së bashku me dokumentacionin e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve.

I njëjti detyrim dhe të njëjtat afate vlejnë edhe për ato forca politike që do të kandidojnë si pjesëtare të një koalicioni zgjedhor apo dhe për kandidatët e pavarur. Lista shumemërore e kandidatëve të partive politike, që do të depozitohet në KQZ, duhet të këtë renditje të përcaktuar dhe duhet nënshkruar nga Kryetari i Partisë, sipas modelit të miratuar nga KQZ-ja.

Për verifikimin e dokumentacionit të kandidimit, KQZ-ja krijon me vendim një grup pune, i cili përgatit një relacion në lidhje me dokumentacionin e paraqitur.

Nëse grupi i punës vëren parregullsi, jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e dokumentacionit, i paraqet një relacion KQZ-së, në të cilin parashtrohen parregullsitë e konstatuara. KQZ-ja shprehet me vendim për kthimin për korrigjim të parregullsive të konstatuara në dokumentacionin e paraqitur.

Vendimi për kthimin për korrigjim të dokumentacionit, merret jo më vonë se 35 ditë nga data e zgjedhjeve. Pas mbarimit të afatit të ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor, por jo më vonë se data 13 qershor 2009, KQZ-ja publikon listën e plotë të kandidatëve në tri gazetat me tirazh më të madh në shkallë vendi, në mediat elektronike, si dhe në faqen zyrtare të saj në internet.

Publikimi i listës zyrtare të kandidatëve të të gjitha partive me datën 13 qershor, përbën një nonsens, pasi në këtë mënyrë rezulton se forcat politike do të duhet të bëjnë rreth dy javë fushatë zgjedhore, pa pasur listën zyrtare të kandidatëve, e cila siç lihet të kuptohet nga ky udhëzim, mund të ndryshojë gjatë këtij dyjavëshi, për shkak të parregullsive, që mund të evidentohen nga KQZ-ja.


Listat për gratë


Megjithëse Kodi Zgjedhor, por edhe udhëzimi që do të miratojë sot KQZ-ja, sanksionojnë detyrimin që afro 1/3 e listës së kandidatëve të jetë me përbërjen e secilës gjini, në to nuk bëhet e qartë nëse një masë e tillë duhet të ketë një shpërndarje progresive edhe në renditjen e kandidatëve.

Ajo që ligjërohet nëpërmjet Kodit dhe Udhëzimit të KQZ-së, është vetëm detyrimi që kanë forcat që, në tre kandidatët e parë, një të jetë femër. "Në çdo rast, të paktën 30 % e kandidatëve të listave shumemërore, dhe/ose një në tre emrat e parë të listës, duhet t'i përkasë secilës gjini", - thuhet në projektudhëzimin që do të miratojë sot KQZ-ja, por që në vetvete nuk është gjë tjetër, veçse një kopje, që bën dhe Ligji Zgjedhor në pikën 5 të nenit 68 të tij.

Nisur nga mënyra sesi është hartuar një pikë e tillë, udhëzimi nuk detyron partitë politike që e njëjta përbërje si në tre kandidatët e parë, të jetë për çdo 3 kandidatë të tjerë.

Në këtë mënyrë, subjekteve zgjedhore u krijohet mundësia që një kandidate femër ta vendosin në tre emrat e parë dhe, pjesën tjetër, deri sa të plotësohet 30 për qindëshi që detyron ligji "Për barazinë gjinore", t'i rendisin të gjithë në fund të listës, ç'ka do të thotë nga ana tjetër, se legjislatura e ardhshme e Kuvendit nuk do të ketë 30 për qind të deputetëve femra.


-----------------------------------------------------------


Nënshkrimet për kandidatët e
pavarur, pranë zyrave rajonale

TIRANË- Ndryshe nga sa parashikon Kodi Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të lehtësojë punën e atyre individëve, që do të kërkojnë të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si kandidatë të pavarur.

Ndërsa pika 1 e nenit 71 të ligjit zgjedhor, përcakton detyrimin që procedura e nënshkrimit të 10 mijë deklaratave mbështetëse për kandidatin e pavarur, apo e 15 mijë, në rastin e mbështetjes së koalicioneve që s'kanë deputetë në Kuvend, të bëhet ose nëpërmjet akteve individuale noteriale, ose përpara nëpunësit të KQZ-së në Tiranë.

Udhëzimi, që pritet të miratohet sot nga ky institucion, bën të mundur që nënshkrimet të bëhen edhe para zyrave rajonale nëpër qarqe.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve autorizon me vendim zyrat rajonale zgjedhore dhe specialistë të Drejtorisë Juridike në KQZ, që të pranojnë depozitimin e nënshkrimeve përpara tyre.

Procedura e depozitimit të nënshkrimeve, zhvillohet në ambientet e KQZ-së dhe /ose në zyrat rajonale zgjedhore përkatëse", - thuhet në projektudhëzimin e KQZ-së.

Kjo, faktikisht, përbën një lehtësim të madh financiar për të gjitha ato parti apo koalicione, që aktualisht nuk kanë asnjë deputet në Kuvend dhe që, për të marrë pjesë në zgjedhje, duhet të paraqesin një numër të konsiderueshëm firmash.

Si në rastin e nënshkrimit të deklaratave të tyre para noterit, ashtu edhe në rastin e paraqitjes së mbështetësve para KQZ-së, procesi do të kërkonte një shpenzim kolosal, duke ditur se një akt noterial është i kushtueshëm, ashtu siç është e kushtueshme edhe prurja e mbështetësve nga rrethet në Tiranë.

Ndërkohë, pas paraqitjes së listës mbështetëse të kandidatëve të pavarur apo edhe të partive dhe koalicioneve që nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, KQZ-ja nis verifikimin, nëse shtetasi i listës mbështetëse të partive politike është i regjistruar në listën paraprake të zgjedhësve dhe në rastin e kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit, të jetë zgjedhës i zonës zgjedhore përkatëse.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›