E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Shembja e pallatit u paralajmërua nga inxhinieri

GJIROKASTËR- Prokuroria e rrethit gjyqësor Gjirokastër pushon çështjen ndaj njërit prej 8 të arrestuarve për ngjarjen e datës 9 nëntor të vitit të kaluar, kur një pallat u shemb. Raporti gjeologo-inxhinierik ka qenë ai që ka çliruar Thanas Llahanën nga akuza e ngritur. Ashtu siç ishte pohuar edhe më parë nga avokati i të pandehurit, ai e kishte paralajmëruar tragjedinë që do të ndodhte duke shënuar tri viktima dhe duke lënë në “ajër të pastër” 14 familje. Sipas avokatit mbrojtës të Llahanës, i cili vetëm pak ditë më parë se çështja të mbyllej kishte kërkuar nga Gjykata e Shkallës së Parë ndryshimin e masës së arrestit, në raportin e hartuar nga ekspertët thuhej se të gjitha sugjerimet e bëra prej inxhinerit Llahana kishin qenë korrekte. “Klienti im në këtë projekt ka qenë në rolin e personit këshillimor. Pas shqyrtimit të plotë të ndërtimit gjeologjik të zonës, në relacionin e dhënë prej tij ka kërkuar që të bëhet mbrojtja e skarpateve duke filluar nga pallati ekzistues, i cili u shemb, deri te rruga nacionale. Në relacion saktësohej në mënyrë të qartë se në rast mosbërjeje jo vetëm pallati 5-katësh do të binte, por edhe një tjetër ndërtesë në atë zonë do të rrëzohej. Relacioni i përgatitur nga inxhinieri ka përfunduar në muajin prill dhe leja e ndërtimit është dhënë në muajin qershor dhe projekti nuk ka kaluar në oponencë teknike. Nga ana tjetër, ekspertët në raportin e tyre kanë theksuar se rekomandimet e gjeologut kane qenë korrekte”, ka theksuar më tej Aliko për gazetën “Shekulli”. Dje Llahana është kthyer normalisht pozicionit të tij, si inxhinier pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Gjeologjik në Gjirokastër. Llahana është ndër 10 personat e ndaluar për shembjen e pallatit 5-katësh në lagjen “11 janari’, ku humbën jetën 3 persona, ndërsa 14 familje mbetën të pastreha dhe i pari për të cilin pushojnë hetimet. Dy persona ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa 7 të tjerë janë në paraburgim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›