E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Tre burgime përjetë dhe 126 vjet burg për Gërdecin

SHKRUAN: Leonard Bakillari 02-11-2011 12:50

Organi i akuzës i jep fund pretencës maratonë, duke kërkuar dënime maksimale për Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin e Dritan Minxollin. Burg dhe përjashtim nga detyrat shtetërore për ushtarakët e lartë

Tiranë Katër përfaqësuesit e akuzës i dhanë fund dje pretencës për superdosjen “Gërdeci”, duke kërkuar tre burgime të përjetshme dhe 126 vite burg për 28 të pandehurit. Për njërin prej tyre, ish-drejtorin e Kombinatit të Poliçanit, prokuroria kërkoi tërheqjen e akuzës dhe kalimin e çështjes në prokurori. Pretenca ndaj të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit nisi tri javë më parë, si finalizim i një procesi më shumë se trevjeçar në Gjykatën e Tiranës. Gjatë pjesës së fundit të konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesit e akuzës kërkuan dënimin me burgim të përjetshëm të ish-drejtorit të ndërmarrjes “Meico”, Ylli Pinari; ish-drejtorit të fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli; dhe pronarit të kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji. Të tre këta të pandehur akuzohen nga prokuroria për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj 26 personave, me rrezik për jetën e shumë të tjerëve. E njëjta akuzë është ngritur edhe për Sokol Ngjeçin, përfaqësuesi i ndërmarrjes “Meico” në Gërdec, i cili, sipas prokurorisë, duhet të dënohet me 23 vjet heqje lirie. Prokuroria ka kërkuar dënime maksimale edhe për ish-kuadrin komandues të Forcave të Armatosura, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre në bazë të Kodit Penal Ushtarak. Të gjithë gjeneralët e akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, sipas prokurorisë, duhet të “zhvishen” nda detyrat shtetërore për një periudhë nga 2-5 vjet, kohë gjatë të cilës nuk duhet të ushtrojnë funksione publike. Për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i akuzuar për shpërdorim detyre të kuadrit komandues, prokuroria kërkoi tetë vjet burgim dhe ndalim për pese vjet të ushtrimit të detyrës. Për ish-ushtarakun tjetër të lartë të Forcave të Armatosura, Agim Lala, u kërkua dënimi me katër vjet burg, për shpërdorim detyre dhe heqja e të drejtës për t'u angazhuar në punë shtetërore për pesë vjet. Për ish-komandantin e Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, u kërkuan tetë vjet burg, heqje e të drejtës për t'u angazhuar në shtet për pesë vjet si dënim plotësues; për ish-komandantin e Komandës Mbështetëse, Zija Bahja, 6 vjet burgim dhe ndalim i ushtrimit të detyrës në shtet për katër vjet. Masa më të buta dënimi prokuroria kërkoi për ushtarakët e nivelit të mesëm dhe të ulët, të cilët kanë qenë pjesë e komisioneve për caktimin e çmimit të fishekëve dhe kategorizimin e municioneve që do t’i nënshtroheshin denoncimet. I vetmi nga zyrtarët e lartë që është dënuar me kusht, ka qenë ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Adriatik Mema, i cili sipas akuzës duhet të vihet në provë për një periudhë 2-vjeçare. Në përfundim të akt-akuzës, prokuroria kërkoi dënimin e shoqërisë “Albademil” për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese në bashkëpunim në dëm të 26 personave. Sipas prokurorisë, shoqëria “Albademil” duhet të dënohet me 75 milionë lekë gjobë, si dhe ndalimin e përhershëm të pjesëmarrjes në prokurime publike të saj. Lidhur me provat materiale, të sekuestruara pas shpërthimit të 15 Marsit 2008, kryesisht skrap dhe predha, apo edhe materiale të tjera që ndodheshin në fabrikën e Gërdecit, prokuroria tha se duhet të kalojnë në favor të shtetit. Prokuroria tha se shpenzimet për hetimet gjyqësore paraprake si dhe të zgjatjes së procesit në shumën e 22 milionë lekëve të ndahen mes të pandehurve, ndërkohë që llogaritë bankare të bllokuara, si dhe pasuritë e konfiskuara të kalojnë për llogari të procesit civil të ngritur nga të dëmtuarit e tragjedisë së Gërdecit. Gjatë konkluzioneve përfundimtare të prokurorisë nuk ishte i pranishëm asnjë prej tre të pandehurve, për të cilët prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm.

Zamira Durda: Burgim të përjetshëm për të gjithë

Edhe gjeneralët dhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Shqiptare mungonin në seancën e djeshme, e cila u shty për t’u lënë kohë avokatëve mbrojtës, të cilët do të përgatisin konkluzionet e tyre lidhur me pretencën. Në përfundim të seancës së djeshme gjyqësore reagoi edhe Zamira Durda, e cila e ka ndjekur këtë proces qysh në nisje të tij, në qershor të vitit 2009. “Dënimet nuk ishin në masën e duhur që ne pretendonim. Për ne familjarët e Gërdecit, duhet të dënoheshin të gjithë me burgim të përjetshëm”- tha pas seancës Zamira Durda, nëna e Erison Durdës, i cili humbi jetën nga shpërthimi tragjik i Gërdecit.

Kërkesa e prokurorisë

Ylli Pinari Burgim të përjetshëm dhe 2 milionë lekë gjobë

Mihal Delijorgji Burgim të përjetshëm

Dritan Minxolli Burgim të përjetshëm

Sokol Ngjeçi 23 vjet burg

Shkëlzen Madani 8 vjet burg, 2 milionë lekë gjobë

Ardian Mullahi 7 vjet burg, 1 milion lekë gjobë

Luan Hoxha 8 vjet burg

Agim Lala 4 vjet burg

Shpëtim Spahiu 8 vjet burg

Zija Bahja 6 vjet burg

Dashnor Çaushi 8 vjet burg

Ilmi Laçaj 4 vjet burg

Armand Tartari 4 vjet e 6 muaj burg

Ndue Marku 3 vjet burg e 400 mijë lekë gjobë

Agim Babameto 4 vjet burg

Rezart Tërshana 4 vjet burg

Besnik Dauti 3 vjet e 6 muaj burg

Fatbardh Kuçi 3 vjet e 6 muaj burg

Gëzim Oshati 3 vjet e 6 muaj burg

Jorgo Mino 4 vjet burg

Denis Hajdari 3 vjet e 6 muaj burg

Fari Toska 4 vjet burg

Zenun Pero 4 vjet e 6 muaj burg

Hysni Çoçka 4 vjet burg

Adriatik Mema periudhë prove për 2 vjet

Juliana Margariti 2 vjet e 6 muaj burg, 300 mijë lekë gjobë

Fiqiret Mato 2 vjet burg dhe 1 mln lekë

Shoqëria “AlbaDemil” 75 milionë lekë gjobë

dhe ndalim i përhershëm i pjesëmarrjes në prokurime publike

Lavdi Shatro --- tërhiqet akuza

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›