E Diel, 1 Nëntor 2026

Maks Haxhia: Prokuroria u përdor nga klane politike

SHKRUAN: Habjon Hasani 02-11-2011 12:54

Pas leximit të pretencës, një ndër avokatët kryesorë në proces, Maksim Haxhia, është shprehur se klane të caktuara politike, që kanë kontroll në drejtësi, po përdorin procesin. Sipas tij, prokuroria në pretencën e saj ka tejkaluar çdo normë juridike dhe racionale, me pretendimet dhe dënimet e kërkuara për të pandehurit e çështjes.

Zoti Haxhia, sot përfundoi leximi i pretencës për dosjen Gërdeci. Si e pritët ju konkluzionin përfundimtar të saj?

Pasi u njohëm me pretencën e plotë, të hartuar nga organi i akuzës, mund t’u them se edhe një nxënës i vitit të tretë që ka patur mundësinë të eksplorojë Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale do të jetë në gjendje të dallojë lehtësisht këtë material tërësisht anormal dhe pa asnjë lidhje me standardet më thelbësore dhe më minimale të jurispudencës. Me këtë lloj pretence, për mendimin tim, prokuroria demonstroi dhe dha provën e qartë se ky institucion është sot në ditët e veta më të errëta. Vetëm vrasje nuk ka aty.

Ajo është bazuar në vdekjen e 26 personave si pasojë e shpërthimit…

Të akuzosh për vrasje dhe të japësh dënim me burgim të përjetshëm, ndërsa vdekjet janë shkaktuar nga një aksident, ky është një deformim shumë i rëndë dhe i qëllimshëm. Ata dy prokurorë që kanë hetuar dhe përfaqësuar çështjen në gjykatë janë dhe vetë të bindur që akuza nuk qëndron, por ndoshta dhe pa dëshirën e tyre, prokurorët janë kthyer në instrumente të klaneve të caktuara, duan ta përdorin këtë proces.

Zoti Haxhia, cilat janë këto klanet që ju përmendni?

Mund t’ju them se janë klane me qëllime qartësisht politike dhe që përdorin influencën në sistemin e drejtësisë, për të përfituar ndaj klaneve rivale politike. Kjo është ajo që po ndodh dhe kësaj here niveli i përdorimit të instrumenteve të drejtësisë për qëllime politike ka arritur përmasa paradoksale. Madje, mund t’ju them se edhe familjarët e viktimave të kësaj tragjedie ishin të irrituar, pasi panë që u dënuan shumë ashpër persona që nuk kishin asnjë lidhje me pasojën e rëndë që u krijua nga ngjarja. As gjyqi i Nurembergut nuk ka kërkuar masa kaq të ashpra dhe kaq irracionale.

Megjithatë, mbrojtja do thotë fjalën e saj gjatë javëve në vazhdim. Ku do konsistojë mbrojtja juaj?

Ne jemi të përgatitur për të ofruar një mbrojtje që do jetë shembull. Sidomos në kushtet kur pretence e organit të akuzës mbart në shtyllat kryesore të argumenteve të saj gafa logjike dhe ligjore. Po ju përmend disa, madje. Si mund të thuhet se ata kanë kryer vrasje? Më thoni, ju lutem, cili është ai sipërmarrës që është i interesuar për të vrarë punëtorët e vet dhe për t’i vënë flakën biznesit të vet?! Prokuroria kërkon për biznesin një dënim sikur biznesi ishte i interesuari i parë në shkatërrimin e biznesit. Kjo është një thagmë. Nuk duhet shumë mund e shkollë për ta kuptuar këtë paradoks, çdo njeri me formim minimal e kupton. Për të mos folur pastaj për faktin se biznesmenët e dënuar nuk kanë patur asnjë detyrim ligjor ndaj shtetit, pasi ata kanë qenë nënkontraktorë dhe kontratën dhe detyrimet ndaj shtetit i ka marrë përsipër një shtetas amerikan, që as nuk u thirr një ditë të vetme në proces. E gjitha kjo është një shfaqje, një teatër i turpshëm dhe një ngjarje e pashoqe që, për mendimin tim, ka shënuar një rekord sa i takon shpërdorimit të papërmbajtur politik që i është bërë organit të prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›