E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Veçimi i dosjes, dëmton rëndë gjykimin

 

Prokuroria e Përgjithshme e konsideron ndarjen e dosjes “Gërdeci” si një veprim që dëmton rëndë procesin për ngjarjen e rëndë ku humbën jetën 26 persona dhe më shumë se 300 të tjerë u plagosën. Duke shmangur komentet mediatike, zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme i janë përmbajtur dje qëndrimit që mbajtën në sallën e gjyqit, duke këmbëngulur që dosja të mos ndahet. Argumenti i Prokurorisë ka qenë mbështetja në Kodin e Procedurës Penale, sipas të cilit “kur një person me imunitet akuzohet (subjekt i posaçëm) se ka kryer një vepër penale në bashkëpunim me persona të tjerë, kompetenca për gjykimin e të gjithëve përthithet nga Gjykata e Lartë. Sipas akuzës, edhe hetimi i të gjithë të pandehurve, përfshi ish-ministrin Mediu, personat privatë dhe zyrtarët e nivelit më të ulët është bërë në një procedim penal të vetëm në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo procedurë hetimi për të gjithë bashkë, është konsideruar e rregullt nga Gjykata e Lartë, e cila nga ana e saj vendosi t’i gjykojë të ndarë personat e akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Sipas kërkesës zyrtare të prokurorisë për gjykimin e dosjes “Gërdeci”, dorëzuar më 13 mars 2009 në Gjykatën e Lartë, ish-ministri Mediu akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre” në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, ku përfshihen ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, tre gjeneralë të ushtrisë dhe dhjetëra zyrtarë nga nivele më të ulëta të institucioneve shtetërore. Sipas Prokurorisë, edhe marrja e provave për fajësinë e të pandehurve është bërë e ndërthurur, pasi të gjithë të dyshuarit janë hetuar bashkërisht. Ndarja e dosjes me qëllim zhvillimin e dy proceseve penale paralele për një ngjarje të njëjtë, është konsideruar nga prokuroria si një vendim i gjykatës që do të zbehë procesin dhe do ta dëmtojë rëndë atë. Reagime negative shfaqën dje edhe familjarët e viktimave sapo mësuan për vendimin e dhënë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.   tr.so

Relatori në konflikt interesi

Një seancë më parë Prokuroria e Përgjithshme kërkoi përjashtimin nga gjykimi i dosjes “Gërdeci” për gjyqtarin Besnik Imeraj. Sipas akuzës, vajza e tij ka punuar në studion ligjore që mbron Mihal Delijorgjin, ndërsa ka firmosur edhe disa dokumente dhe autorizime që lidhen me bizneset e të arrestuarit kryesor për tragjedinë e rëndë. Gjykata e Lartë, e cila shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme e rrëzoi atë, duke pohuar se Imeraj ashtu si dhe dy gjyqtarë të tjerë nuk janë në konflikt interesi gjatë shqyrtimit të çështjes. Për dy gjyqtarët e tjerë të Kolegjit Penal që ndau dosjen “Gërdeci”, Prokuroria kërkoi përjashtimin e tyre, pasi më parë kishin dhënë vendime të ndryshme lidhur me masat e sigurisë ndaj të arrestuarve për tragjedinë.

Reagojnë familjarët: Gjykata e njëanshme
TIRANE – Ndarja e padisë civile të familjarëve të viktimave të Gërdecit, nga procesi penal, shkaktoi reagime të forta te vetë familjarët dhe te përfaqësuesja ligjore e tyre. Në një prononcim për mediat, avokatja e tyre Blerta Kraja e quajti vendimin e Kolegjit Penal të padrejtë dhe joligjor. “Kjo gjykatë është një gjykatë që tre nga gjyqtarët që po gjykonin sot çështjen duhet të ishin përjashtuar. Dy prej tyre kanë papajtueshmëri funksionale, ndërsa kryesuesi i kësaj gjykate ka motiv të fortë për të qenë i njëanshëm, si nga pikëpamja objektive dhe nga pikëpamja subjektive e këtij procesi. Ne do të ankohemi në Gjykatën Kushtetuese për proces të parregullt ligjor, pse jo, deri në Strasburg”, u shpreh avokatja Kraja. Gjithashtu të revoltuar nga vendimi i Kolegjit ishin edhe familjarët. “Për të gjithë u veçua çështja. Sot na dalin të gjithë të pafajshëm dhe duan të gjykohen në shkallët më të ulëta. Këtu në Shqipëri nuk ka më drejtësi”, u shpreh një prej familjarëve të lënduar nga tragjedia e Gërdecit.  Dje, avokatja Kraja priste legjitimimin e saj si palë në proces. Bëhet e ditur se menjëherë pas legjitimimit prej saj do të kërkohej përjashtimi nga trupa gjykuese e gjyqtarëve Besnik Imeraj, Evjeni Sinoimeri dhe Irma Bala.                 ar.ba

Gjykata ndan “Gërdecin”, dy procese për tragjedinë

Armand Bajrami

Gjykata e Lartë ndau dosjen “Gërdeci”, duke vendosur të gjykojë vetëm ish-ministrin Fatmir Mediu, ndërsa të pandehurit e tjerë ia delegoi Gjykatës së Tiranës. Kolegji Penal deklaroi moskompetencën dhe veçoi të pandehurin Fatmir Mediu nga të pandehurit e tjerë, të cilët do të gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Gjykata e Lartë vendosi veçimin nga procesi penal për padinë civile të familjarëve të viktimave të Gërdecit si dhe mospranimin për shqyrtim të padisë së Avokatit të Shtetit. Me vendimin e djeshëm, Kolegji Penal pranoi kërkesën e 19 të pandehurve në seancën e mëparshme. Ata kërkuan veçim të çështjes nga ish-ministri Mediu. Pas vendimit të djeshëm, dosjet e 28 të pandehurve, mes të cilëve edhe të arrestuarit e Gërdecit, Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit e Dritan Minxollit do të transferohen në Gjykatën e Tiranës. Shorti elektronik do të përzgjedhë trupën që do të gjykojë 28 të pandehurit në gjykatën e kryeqytetit. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë caktoi 15 qershorin si datë për seancën e radhës, ku në bankën e të akuzuarve do të jetë vetëm ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.    
VENDIMI
Për rreth 15 minuta, kryesuesi i seancës, gjyqtari Besnik Imeraj lexoi vendimin e arsyetuar të Kolegjit. Sipas vendimit, kërkesa e disa të pandehurve për veçim të dosjes nga Mediu ishte e drejtë. Kjo për faktin se gjykimi i tyre nga Gjykata e Lartë do t’u mohonte atyre të drejtën e ankimimit. “Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë çmon se kërkesa për të shpallur moskompetencën për të 28 të pandehurit dhe veçimin e çështjes në ngarkim të tyre me çështjen në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, është e drejtë dhe e bazuar në ligj”, tha gjyqtari Imeraj. Duke iu referuar nenit 141 të Kushtetutës, ai u shpreh se edhe pse 28 të pandehurit e tjerë akuzohen për një vepër penale të kryer në bashkëpunim me ish-ministrin Mediu, në vetvete ata nuk mund të gjykohen nga Gjykata e Lartë. Sipas gjykatës, çështja në ngarkim të personave të tjerë të akuzuar mund të gjykohet e veçuar nga ish-ministri Mediu. ”Meqë një pjesë e akuzave sipas kërkesës për gjykim nuk rezultojnë formalisht edhe për subjektin e posaçëm (Mediun), apo të njëjtat fakte të kryera së bashku me ta, arrijmë në konkluzionin që çështja mund të gjykohet e ndarë”, thuhet në vendim. Në përfundim gjykata shpalli moskompetencën për gjykimin e akuzave penale në ngarkim të 28 të pandehurve, përveç Fatmir Mediut. Të pandehurit e tjerë, veç ish-ministrit, u dërguan për kompetencë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Gjykata e Lartë veçoi nga procesi penal padinë civile të familjarëve të viktimave të Gërdecit. Veç kësaj nuk u pranua për shqyrtim kërkesë-padia e Avokatit të Shtetit dhe paditë e tjera civile, të cilat do të dërgohen për shqyrtim me një trupë gjykuese civile në Gjykatën e Tiranës.

Në Gjykatën e Tiranës

    Agim Lala
    Ndue Marku
    Ardian Mullai
    Zija Bahja
    Luan Hoxha
    Zenun Ferro
    Hysni Cocka
    Lavdi Shatro
    Jorgo Mino
    Fiqiret Mato
    Armand Tartari
    Fatbardh Kuçi
    Shpëtim Spahiu
    Adriatik Mema
    Rezart Tërshana
    Denis Hajdari
    Gëzim Hoshafi
    Besnik Dauti
    Agim Babameto
    Fahri Toska
    Mihal Delijorgji
    Ylli Pinari
    Shkëlzen Madani
    Ardian Mullai
    Sokol Ngjeci
    Dritan Minxolli
    Juliana Margariti
    Dashnor Çaushi
    Hilmi Lacaj
    Albademil sh.p.k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›