Kriza ekonomike, dërgesat e emigrantëve në 3 muaj bien me 13%
Paratë që dërgojnë emigrantët shqiptarë këtë vit kanë rënë me 13 për qind gjatë 9 muajve të parë të këtij viti. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë thanë dje se gjatë nëntë muajve emigrantët kanë dërguar në Shqipëri 613 milionë euro duke bërë që mbulimi i deficitit të thellë që ka vendi të jetë shumë i vështirë dhe duke e vënë para vështirësish të reja ekonominë. Të dhënat saktësojnë se kjo shifër ka ardhur në ulje dhe pritet edhe më të ulet si pasojë e drejtpërdrejtë e krizës financiare dhe ekonomike që ka kapluar ekonomitë e vendeve ku gjenden emigrantët. E tërë ulja prej 13% ka ngjarë gjatë pjesës së fundit të 9 mujorit. Pra 3 muajt e fundit janë ato që kanë rënduar dërgesat dhe kjo thjesht si pasojë e krizës. Dërgesat e emigrantëve në Shqipëri vitin e kaluar i kaluan një miliardë eurot duke u bërë një prej shtysave kryesore të rritje së konsumit në vend dhe një prej elementëve bazikë të rritjes ekonomike. Dërgesat e emigrantëve janë në anën tjetër edhe rregullatori i bilancit shumë të keq tregtar të vendit. Shqipëria ka një deficit shumë të rëndë dhe e ka shumë të vështirë të sigurojë valutë të huaj në mungesë të parave të emigrantëve. Janë paratë që mbulonin deri vjet më shumë se gjysmën e deficitit. Këtë vit mbulimi i deficitit nga dërgesat e emigrantëve llogaritet në vetëm 37 për qind. Rënia e dërgesave të emigrantëve është vetëm njëri shpjegim dhe shpjegimi tjetër ka të bëjë rritjen e thekshme të importeve krahasuar me rritjen e eksporteve. Shqipëria njeh një rritje të lehtë të eksporteve, ndërkohë që importet rriten shumë më shumë. Mungesa e prodhimit në vend dhe vështirësitë që has biznesi prodhues për shkak të klimës së ashpër të biznesit dhe konkurrencës shumë të vështirë me bizneset e huaja janë arsyet kryesore. Në fund të këtij viti dërgesat e emigrantëve pritet të jenë rreth 15 për qind më të ulëta sesa ato ishin vitin e kaluar. Dërgesat nga jashtë kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit përkundër mendimit se ato do të uleshin gradualisht. Kahja ka qenë rritëse, por kriza e tashme ekonomike nuk e lejoi më këtë gjë. Ekonomia jonë vuan kështu në mënyrë të tërthortë krizën ekonomike botërore. Kjo do të bëjë që edhe eksportet shqiptare të ulen. Gradualisht kriza do të prekë (ka nisur ta bëjë që tani), edhe tregues të tjerë të ekonomisë. Niveli i shitjeve do të bjerë, papunësia do të rritet dhe varfëria po ashtu. Qeveria shqiptare deri tani nuk i ka lexuar si shqetësuese të dhënat që vijnë nga efektet e para të krizës ekonomike. Rënia e shitjeve ishte fakt i dëshmuar në të dhënat e INSTAT-it dy ditë më parë, kur rënia shënonte 14% në tre muaj. Tashmë vjen e dhëna tjetër, ajo e dërgesave të emigrantëve.