E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thimjo Kondi, vizitë në SHBA për Gjyqësorin



Laureta Rryçi

Tiranë - Prej disa ditësh kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Thimjo Kondi, së bashku me një grup gjyqtarësh të kësaj gjykate, po kryejnë një vizitë në SHBA.
Kryetari i Gjykatës së Lartë të SHBA-ve, John G. Roberts Jr., i rezervoi zotit Kondi dhe gjyqtarëve që e shoqëronin një pritje shumë të përzemërt dhe miqësore. Kryetari i Gjykatës së Lartë të SHBA-ve, ndër të tjera, i tha Kondit se edhe paraardhësi i tij, kryetari Rehnquist, që është ndarë nga jeta 2 vjet më parë, besonte fuqimisht në rëndësinë e një Gjyqësori të pavarur për funksionimin e përshtatshëm të demokracive kushtetuese dhe se ai ishte në dijeni dhe ishte interesuar vazhdimisht për mbështetjen e reformave gjyqësore në Shqipëri dhe për kontributin e Kondit në këtë drejtim. Gjithashtu Roberts ka vlerësuar ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë për nder të ish-kryetarit Rehnquist 2 vjet më parë, duke thënë se Gjyqësori shqiptar nuk mund t`i bëjë nder më të madh kujtimit të Rehnquist-it, përveçse duke vazhduar punën drejt një Gjyqësori ku gjyqtarët të jenë të aftë të përmbushin përgjegjësitë e tyre me pavarësi dhe liri të plotë nga ndikime të papërshtatshme. Kondi e konsideroi këtë takim si një nder dhe privilegj të veçantë dhe i shprehu Roberts-it falënderimet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë. Më tej Kondi e informoi atë gjerësisht për arritjet dhe sfidat e Gjyqësorit shqiptar në përpjekjet për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe për arritjen e standardeve të përparuara Perëndimore për një drejtësi të pavarur e me integritet të lartë.
Mandati
Në këtë takim, Kondi, që është në përfundim të mandatit të tij 9-vjeçar si kryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, mori përgëzimet dhe vlerësimet më të larta për drejtimin me kompetencë dhe profesionalizëm të Gjykatës së Lartë dhe për kontributin e tij të veçantë për reformimin e Gjyqësorit shqiptar. Nuk është e rastit që dhe Presidenti Bush gjatë vizitës së tij në Shqipëri gjeti një moment për t`iu drejtuar në mënyrë të veçantë Kondit dhe e falënderoi për bashkëpunimin me personalitete të shquara të Gjyqësorit amerikan. Kryetari i Gjykatës së Lartë të SHBA-ve u shpreh, ndër të tjera, se i ka ndjekur dhe po i ndjek vazhdimisht me vëmendje dhe interes të veçantë arritjet ne procesin e reformimit të mëtejshëm të Gjyqësorit shqiptar, rolin e veçantë të Konferencës Gjyqësore Kombëtare në këtë drejtim, si dhe shprehu mbështetjen e tij dhe të Gjyqësorit amerikan. Ai u shpreh se dëshiron e shpreson që Shqipëria të bëhet me arritjet e saj shembull e model edhe për vendet e tjera të rajonit.
Ftesa
Roberts e priti me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë dhe premtoi realizimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur. Në këtë takim morën pjesë edhe gjyqtarët e nderuar John Walker e Paul Magnuson dhe avokatët e shquar të Shoqatës Advocates International, Samuel Ericsson dhe Roger Sherrard, për të cilët Kondi shprehu gjithashtu falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë. Grupi i Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ndoqi më vëmendje disa seanca gjykimi të Gjykatës së Lartë të SHBA-ve, vizitoi Qendrën Federale të Gjyqësorit, universitetin “Georgetown” dhe disa gjykata të tjera në Washington D.C. Ata do të vazhdojnë më tej programin disaditor me vizita në institucionet e Gjyqësorit në Uashington dhe Minesota.

19 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›