E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria dhe SHKB, hetim mbi gazin lotsjellës

SHKRUAN: Leonard Bakillari 07-02-2011 10:15

Tiranë- Një tjetër çështje mbi demonstratën e 21 Janarit, që lidhet me planin e masave të policisë, i është shtuar dosjes voluminoze që po heton Prokuroria e Tiranës. Krahas vrasjeve gjatë demonstratës, organizatorëve të kësaj të fundit dhe akteve të dhunës, Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, po hetojnë edhe reagimin e policisë me futjen në skenë të gazit lotsjellës dhe makinave ujëhedhëse. Përdorimi i gazit lotsjellës, sipas burimeve të rezervuara të Prokurorisë, tashmë është një çështje nën hetim. Ligjshmëria e veprimeve të policisë ndaj demonstruesve, nga të cilët kanë mbetur të plagosur plot 33 efektivë, sipas Prokurorisë është një çështje për t’u hetuar dhe për këtë arsye është kërkuar edhe bashkëpunimi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB) në Ministrinë e Brendshme. Po ashtu, edhe përdorimi i gazit lotsjellës për shpërndarjen e demonstruesve, sipas hetimit, është një tjetër element i përfshirë në dosje, pasi janë të parashikuara qartë rastet kur policia mund të ndërhyjë në një mënyrë të tillë. Si pjesë e këtij hetimit, Prokuroria ka administruar edhe dëshmitë e disa prej demonstruesve të plagosur, të cilët kanë akuzuar policinë për ushtrim dhune, sipas tyre, në mënyrë të padrejtë. Të gjitha provat e administruar deri tani pritet t’i bashkëngjiten dosjes “21 Janari”, kur ndër të tjera po hetohen edhe të paktën katër vepra të tjera penale, që dyshohet se kanë ndodhur gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë. Burime të rezervuara thanë se në këtë fazë të çështjes me prioritet janë hetimet në drejtim të zbardhjes së vrasjes së katër demonstruesve, të cilët dyshohet se janë qëlluar nga efektivët e gardës të pozicionuar me shërbim në pjesën veriore të Kryeministrisë. Pas akteve të administruara dhe ekspertizave të ndryshme, të kryera për këtë ngjarje, rezulton se të tre viktimat: Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë qëlluar në harkun kohor prej 1 minute nga dy armë të ndryshme, që dyshohet se janë përdorur nga efektivat e Gardës së Republikës. Të tre viktimat, por edhe Aleks Nika, trupi i të cilit iu nënshtrua dje autopsisë, janë qëlluar nga një plumb i vetëm dhe në pjesë jetike të trupit. Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria ka arritur në përfundimin se ndaj demonstruesve dyshohet se kanë qëlluar vetëm dy nga efektivat e gardës, dhe jo me breshëri, siç kanë bërë një pjesë e mirë e tyre. Fakti që gardistët kanë qëlluar për të paralajmëruar demonstruesit, konfirmohet edhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes. Sipas ekspertëve, rezulton se brenda gardhit rrethues të Kryeministrisë, mbrëmjen e 21 Janarit, oficerët e policisë gjyqësore kanë fiksuar në cilësinë e provës materiale më shumë se 300 gëzhoja të qitura nga dy lloje armësh: automatik model “MP5” dhe automatik model “AK47”. Për të bërë të mundur identifikimin e dy prej efektivave të Gardës që dyshohet se qëlluan protestuesit, Prokuroria ka kërkuar ekspertimin e armëve të përdorura prej të gjithë gardistëve që ndodheshin atë ditë me shërbim pranë Kryeministrisë. Deri tani, Instituti i Policisë Shkencore ka kryer ekspertimin balistik për rreth 50 automatikë model “MP5”, por rezultatet kanë treguar se asnjë prej tyre nuk ka qëlluar ditën e ngjarjes. Sipas Prokurorisë, ekspertiza balistike është një nga provat e rëndësishme, pasi bën të mundur identifikimin e personave që kanë qëlluar me këto armë ditën e ngjarjes. Përveç provave të mbledhura, organi i akuzës ka administruar edhe dëshmitë e të paktën 10 personave, të cilët kanë pohuar se plumbat që shkaktuan vdekjen e dy prej katër viktimave kanë ardhur nga gardistët që ndodheshin pranë Kryeministrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›