Viktima e katërt e 21 Janarit mbërrin në Lezhë, sot ceremonia
Viktima e katërt e demonstratës së 21 Janarit ka mbërritur dje nga Turqia, për t’u përcjellë më pas me dhimbje drejt qytetit të Lezhës. Dhjetëra qytetarë, mes të cilëve deputetë të Partisë Socialiste, të kryesuar nga kryetari Edi Rama, kanë pritur në Rinas mbërritjen e trupit të 36-vjeçarit, baba i dy vajzave të mitura dhe vëlla i vetëm i katër motrave. Në vijën e parë të qytetarëve ishin të afërmit e Aleksit, të cilët nuk e mbanin dot dëshpërimin për këtë vdekje të paralajmëruar të 36-vjeçarit, pas më shumë se 2 javësh luftë me vdekjen. Më pas, arkëmorti me trupin e tij është nisur drejt qytetit të Lezhës, ku edhe ka mbërritur rreth orës 15. 50 minuta. Banorët e qytetit të Lezhës kanë ndaluar para makinës së të ndjerit, në shenje respekti, ndërsa karvani i gjatë i makinave të kortezhit i është drejtuar Kishës së Manatisë, ku është zhvilluar edhe mesha për viktimën Aleks Nika. Asnjë nga familjarët nuk ka qenë në gjendje të shprehë dhimbjen për këtë humbje, ndërsa pritet që edhe ceremonia mortore të mos zhvillohet në praninë e medias. Burime nga qyteti i Lezhës bëjnë me dije se trupi i pajetë i viktimës së katërt të demonstratës së 21 Janarit do të përcillet për në banesën e fundit rreth orës 13.00 të ditës së sotme. Në këtë ceremoni mortore pritet të marrë pjesë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe zyrtarë të lartë të opozitës. 36-vjeçari Aleks Nika është babi i dy fëmijëve të mitur, dy vajzave. Ai kishte katër vite që ishte kthyer nga emigracioni, ku kishte hapur edhe një dyqan të vogël dhe rrobaqepësi në qytetin e Lezhës, ku punonte së bashku me motrat e tij. Aleks Nika mbeti i plagosur me një plumb në kokë në demonstratën e 21 Janarit. Gjendja e tij e rënduar shëndetësore i detyroi mjekët që ta nisnin drejt Turqisë, për kurim më të specializuar, por edhe pas këtyre trajtimeve Aleks Nika nuk mundi t’i mbijetonte vdekjes, duke e çuar në 4 numrin e viktimave të demonstratës dhe duke rënduar pasojat e kësaj ngjarjeje të rëndë.