E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria dhe gjykata në një godinë

01/05/2009  Mungojnë sallat e gjyqit dhe zyrat. Ankohen zyrtarët e drejtësisë: Tre vetë në një dhomë

Sikur të mos mjaftonte kjo dhe përmbaruesit ushtrojnë detyrën në të njëjtin objekt

ELBASAN- Gjykata e Elbasanit nuk disponon sallat e nevojshme për zhvillimin normal të proceseve gjyqësore, por jo vetëm pasi në të njëjtën godinë ndodhen Prokuroria dhe Përmbarimi. Në tri kate janë përkatësisht përmbarimi, sallat e gjyqit, në katin e dytë gjyqtarët dhe në katin e tretë prokurorët.

Kushtet

Gjykata e Elbasanit ka në dispozicion vetëm 2 salla gjyqesh, të cilat nuk mund të përballojnë fluksin e proceseve gjyqësore që zhvillohen brenda ditës në këtë institucion. Sipas drejtuesve të gjykatës, gjatë vitit të kaluar në gjykatën e Elbasanit u zhvilluan proceset gjyqësore për 293 çështje penale për 2096 çështje civile dhe u shqyrtuan 5038 kërkesa nga të burgosur të burgjeve të Kosovës dhe Peqinit. "Fluksi i madh i proceseve gjyqësore të zhvilluara gjatë ditës në këtë gjykatë ka bërë që shpesh gjyqtarët t’i zhvillojnë jashtë orarit proceset gjyqësore. Mungesa e sallave ka bërë që ata të punojnë jashtë orarit zyrtar pasi edhe ambientet e zyrave ku punojnë janë të ngushta dhe nuk ofrojnë mundësi për zhvillimin e proceseve gjyqësore. Për shkak të mungesës së infrastrukturës gjyqtarëve të Elbasanit u është dashur të udhëtojnë drejt burgjeve të Peqinit dhe Kosovës për t’i zhvilluar në këto institucione proceset që kanë lidhje me kërkesat e të burgosurve". Gjykata e Faktit në Elbasan numëron 16 gjyqtarë. 6 prej tyre bëjnë pjesë në Dhomën Penale dhe 10 në Dhomën Civile. Gjatë vitit të kaluar gjykata e Elbasanit shqyrtoi 7427 çështje penale dhe civile.

Prokurorët, pa zyra

Ndërkohë në Prokurorinë e Elbasanit mungojnë ambientet për ushtrimin e detyrës nga prokurorët. Gjendja është rënduar pas mbylljes së prokurorive të Gramshit dhe Librazhdit. I gjithë aktiviteti i organit të akuzës së këtij qarku është përqendruar në një godinë të përbashkët me gjykatën në Elbasan. Gjatë vitit të kaluar janë emëruar me punë edhe katër prokurorë të rinj, të cilët nuk kanë një zyrë ku të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Prokurorët janë bashkuar në tre-katër veta nëpër zyra. Prokurori i qarkut të Elbasanit Elvin Gokaj shprehet se godina nuk zotëron kapacitetet e duhura për ushtrimin normal të profesionit të prokurorit. Megjithatë, sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka në projekt ndërtimin e një godinë e të re, e cila ende nuk dihet se kur do të fillojë nga ndërtimi. “Është e vërtetë që kemi mungesë të ambienteve për prokurorët. Gjendja u rëndua pas ardhjes në këtë godinë të prokurorëve të Librazhdit dhe Gramshit. Gjatë vitit 2008 janë emëruar edhe katër prokurorë të rinj. Gjithsej jemi 19 prokurorë dhe në dispozicion janë 12 zyra. Megjithatë, ekziston një projekt dhe ish-godina e hetuesisë do të rikonstruktohet dhe atje do të spostohet Prokuroria e Elbasanit. Ne jemi në pritje të këtij projekti”. Por nuk mbaron me kaq. Disa nga zyrat janë aq të ngushta sa nuk zënë dot as dhe një prokuror. Tek më të mëdhatë janë sistemuar 2 dhe 3 prokurorë, të cilëve sërish u duhet të punojnë ngjitur me njëri-tjetrin.

Ngjeshje konstatohet edhe në arshivë, ku nuk ka ambiente për sistemimin e dosjeve, në sekretari, etj. Ndërtimi i godinës së re tek ish-hetuesia e vjetër do të çlironte edhe gjykatën, e cila ndodhet në të njëjtat kushte.

Spahiu premtoi...

Situata është e njëjtë edhe për përmbaruesit me 2 zyrat e ngushta ku janë përfshirë të gjithë. Godina aktuale është e pamundur t’i përballojë tre institucionet e drejtësisë. Nënkryetari i KLSH-së, Kreshnik Spahiu, e deklaroi këtë problem si më shqetësuesin për gjykatën e Elbasanit, por muajt kalojnë dhe për këtë shqetësim nuk ka ende një sinjal pozitiv. Ministria e Drejtësisë ka në projekt ndërtimin e një godine të re, e cila ende nuk dihet se kur do të fillojë nga ndërtimi dhe se kur do t’i jepet zgjidhje këtij problemi që ka “tkurrur” bashkë përmbarues, gjyqtarë e prokurorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›