E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria dorëzon një tjetër projektligj për të mbrojtur pavarësinë e saj

Prokuroria e Përgjithshme do të dorëzojë së shpejti në ministrinë e Drejtësisë, një tjetër draft “Për organizimin e Prokurorisë ”. Drafti i hartuar nga specialistët e Prokurorisë së Përgjithshme ka si qëllim përmirësimin e draftit të dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë, sidomos në pikat që kanë të bëjnë me emërimet e prokurorëve në rrethe, shmangien e raporteve gjashtëmujore apo dhe çështjen e imunitetit. Një pikë tjetër e këtij drafti, sipas burimeve nga prokuroria, është dhe çështja e buxhetit, ku prokurorët pritet të kërkojnë shtesa në buxhetin e prokurorisë. Drafti i prokurorisë vjen në një kohë kur është vënë re një tërheqje nga ana e ekzekutivit pas kundërshtimeve të prokurorëve në lidhje me projektligjin e mëparshëm, i cili në disa pika ishte tepër i dyshimtë dhe nuk garantonte pavarësinë e organit të hetimit, shqetësim ky që u ngrit dhe nga disa diplomatë të huaj.

Në rast se pranohen rekomandimet e prokurorëve, atëherë në Këshillin e Prokurorisë nuk do të jenë më dy përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, por vetëm një, ndërsa tjetri do të jetë përfaqësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucion ky që drejtohet nga Presidenti i Republikës. Gjithashtu, prokurorët do të kërkojnë edhe mosshfuqizimin e nenit 36 të ligjit aktual, siç parashikonte drafti i Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tyre, ky nen në asnjë rast nuk ndalon organet e drejtësisë të kryejnë detyrën e tyre, në rast se prokurori kryen një çështje penale për mbrojtjen e tij nga veprimet arbitrare të ekzekutivit. Gjithashtu, prokurorët kanë kërkuar njehsim page me gjyqtarët. Pra, Prokurori i Përgjithshëm të ketë nivel page me kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe më pas, sipas nivelit, krerët e prokurorive të rretheve pagë të njëjtë me krerët e gjykatave të rretheve dhe prokurorët pagë të njëjtë me atë të gjyqtarëve. Një pikë tjetër sipas tyre shumë e rëndësishme është dhe heqja e raportimit të ministrit të Drejtësisë në Kuvend çdo gjashtë muaj për punën e prokurorisë. Sipas prokurorëve, veprimtaria administrative e ministrit të Drejtësisë dhe marrëdhëniet e tij me institucionet e tjera nuk duhet të rregullohen në ligjin për prokurorinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›