Një ish-spiune në krye të qeverisë
Itzchak Rabin
Condie Rice, para se të kapte majat e karrierës politike, ishte dekane e Universitetit të Stanford-it, Hillary Clinton, para se të bëhej senatore, ishte një avokate e talentuar.
Tzipi Livni, kryeministrja e ardhshme e Izraelit, para se të arrinte majat e suksesit politik, përshkonte Evropën për të vrarë armiqtë e vendit të saj. Sipas të gjitha gjasave, ditët e ardhshme Izraeli do gdhihet duke pasur në krye të qeverisë një “kidon” për kryeministre. Përtej një historie pasionante, për të cilat do të flasin shumë media, çështja kryesore qëndron në faktin, nëse kryeministrja e vetme e Lindjes së Mesme do të dijë të ruajë ekuilibrat e brendshëm politikë dhe t’i japë paralelisht një dinamikë pozitive procesit të paqes që aktualisht ndodhet në një pikë të vdekur. Në një rajon të trazuar që ka njohur katër konflikte në dy vite, në të cilat Izraeli nuk ka dalë i fituar, Livni ka në dorë një mundësi historike të ndryshojë rrjedhën e historisë në atë rajon të trazuar.
Zonja Livni, që pritet të jetë kryeministrja e dytë e historisë së Izraelit, ndryshe nga figura e “nënës” Golda Meir që i mbijetoi kampeve të shfarosjes dhe drejtoi vendin, bënte pjesë në njësinë e vrasësve më të frikshëm të shërbimeve sekrete të botës, Mossad-it.
Në qendrën e formimit të Institutit në Tsomet Glilot, Livni u formua intelektualisht dhe fizikisht për të kryer detyrën e saj. Bionde, me sy blu dhe një fizik perfekt ajo mësoi shumë shpejt të fshehtat e zanatit; fshehjen e një pistolete ‘beretë’ poshtë fustanit, ndërrimin e identitetit në banjat e aeroporteve, vrasjen me anë të një brisku, vendosjen e eksplozivit dhe regjistrimin e targave të makinave që hynin në ambasadat armike të Izraelit.
Livni, duke u stërvitur mes komandove izraelite, shumica prej të cilëve komando elitë, falë aftësive të saj të jashtëzakonshme u bë shumë shpejt përgjegjëse operacionale e “Kidoneve” të Mossad-it në Evropë.
Koha në të cilin evoluon Livni në Mossad, ishte e turbullt. Iraku i cili kishte lidhje të forta me Francën kërkonte prej saj teknologjinë bërthamore. Kryeministrja e ardhshme e Izraelit në këtë periudhë ndodhej në Paris ku Mossad-i kishte filluar një operacion të paprecedent në historinë e tij; kërcënimin dhe eliminimin e fizikanëve francezë dhe arabë, në mënyrë që këta mos kooperonin që Iraku të bëhej me central bërthamor. Operacioni ishte një sukses i plotë, të tmerruar nga shantazhet e izraelitëve një pjesë e fizikanëve u larguan nga Franca për t’i shpëtuar presionit psikologjik. Paralelisht u eliminuan ekspertë arabë të fizikës atomike që bashkëpunonin me Irakun. Këtu hyn në lojë edhe Livni, gjurmët e saj i gjen në eliminimin e Yahya el-Meshad dhe Abdoul Rasoul, fizikanë të vrarë njëri natën e 14 qershorit të 1981 në hotelin “Meridan” në Paris dhe tjetri i helmuar gjatë një dreke të këndshme në kompaninë e një “biondeje”. Tzipi Livni, në atë kohë ishte shefe operacionale e Mossad-it në Paris dhe drejtoi edhe operacionin për të eliminuar një nga shefat e O. C. P, përgjegjës për masakrën e atletëve izraelite në Munih, Mamoun Meraish, i cili u ekzekutua në Athinë nga dy kidone.
Ky është profili i zonjës që do të drejtojë qeverinë e Tel Avivit dhe që mundi në garën e brendshme të Partisë Kadima ministrin e Transporteve, gjeneralin Shaoul Mofaz.
Me zëvendësimin e Sharonit nga Olmert dhe Livni mund të afirmohet pa asnjë dyshim që në Izrael merr fund koha e qeverisjes së “gjeneralëve” legjendarë si Perez, Rabbin, Sharon, Shamir të cilët drejtuan qeveritë izraelite për shumë vite me radhë duke lënë gjurmët e tyre në historinë moderne të shtetit hebre.
Fitorja e Livnit tregon se po rinovohet klasa politike izraelite dhe ndoshta bashkë me të po rinovohet edhe pikëvështrimi dhe mendimi për një paqe me parametra të reja në Lindjen e Mesme, duke qenë se brezat e rinj nuk mbartin paragjykimet dhe frikën e të shkuarës.
Livni që prej betejës në Kadima del e dobësuar për shkak të diferencës se saj të vogël të votave me Mofaz, ajo tashmë ka legjitimitetin për të filluar betejën e vërtetë, atë të krijimit të qeverisë së re, një detyrë e vështirë duke pasur parasysh parametrat dhe konfiguracionin politik brenda Knesetit.
Qëndrimi i Levnit për paqen dhe pranimin e ekzistencës së një shteti palestinez përbëjnë një handikap për formimin e qeverisë, nëse marrim parasysh faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që mund të ndikojnë negativisht për mbijetesën politike të saj.
Së pari, në Kadima, partinë të cilën ajo drejton, ekzistojnë tri fraksione të përbëra nga mbështetës të saj, fraksioni i Mofazit dhe fraksioni i Olmert, të cilët nuk dëshirojnë mbijetesën e të përkëdhelurës së ish-kryeministrit Sharon.
Së dyti, në planin e brendshëm ajo do duhet të bindë aleatët që të formojnë një qeveri dhe duke pasur parasysh që, nëse mbahen zgjedhje të parakohshme, do pësonin humbje të thellë, ka të ngjarë që Livni t’ia dalë mbanë për të qenë në krye të Izraelit për disa muaj.
Nëse rezulton kështu dhe ia del mbanë, atëherë ajo që do ta mbajë peng kryeministren Livni është partia ekstremiste e djathtë SHAS, e cila ka mundësi që të vendosë kushte që e bëjnë koalicionin të pamundur. Duke qenë se Livni mbështeti çmontimin e kolonive dhe është pro krijimit të një shteti të palestinez, SHAS ka gjasa mos ta mbështesë politikisht, sepse kjo do të bënte që vetë SHAS të humbte elektoratin e saj. Aq më tepër që si ministre e Jashtme ajo ka ndjekur një politikë pragmatike duke u pozicionuar pro bisedimeve me Sirinë, marrëdhëniet me të cilën u ndërlikuan pas bombardimit të impiantit bërthamor vitin e kaluar nga Tsahal, dhe një afrim me Sirinë e kundërshton plotësisht SHAS.
Tzipi Livni do ta ketë të vështirë detyrën e saj edhe për shkak të faktorit të jashtëm, sepse para përfundimit të administratës ‘Bush’, ajo do t’i duhet të përballojë presionet e një administrate në ikje, sepse Bush dëshiron të arrihet një marrëveshje para përfundimit të mandatit të tij.
Paralelisht, në të njëjtën kohë, Livni do të duhet të përballet edhe me presionet e brendshme, të cilat mund ta dobësojnë politikisht dhe pse jo ta varrosin para kohe karrierën e saj të re politike duke bërë që aventura e saj kryeministrore të zgjaste shumë pak.