E Diel, 1 Nëntor 2026

Kambanat bien si në 1996

Si një shpërthim i nëndheshëm që nuk shihet, por vetëm ndjehet, vdekja e një dëshmitari esencial të tragjedisë mesjetare të Gërdecit, pavarësisht mosnjohjes përfundimtare të shkakut të saj, përfshiu nën dridhërimën e valëve të lajmit pothuajse çdo njeri që jeton në këtë vend. Nuk ishte nga ato dridhërima që të shkakton një kufomë e gjetur në shi apo një rrahje sadistësh në mes të një sheshi. Ishte një dridhërimë tjetër, që më shumë se trupin të trondit mendjen, të errëson dritën që çdo njeri ruan si shpresë apo si arsye për të jetuar, duke e zëvendësuar atë me një gri që pushton gjithçka dhe të lë pa gjë, sepse shkatërron çdo lidhje që ke, të gjitha lidhjet, paralajmëron fundin. Shumë njerëz kanë përjetuar të njëjtën gjë, kur shihnin sheshet e zbrazura, të nxira dhe pis pas demonstrimeve dhe thirrjeve “Duam lekët tona!”, apo asfaltin e përgjakur pas zvarritjes së trupave të shqiptarëve nga shqiptarët në sheshet e Vlorës, apo rrugën e ngushtë natën e vrasjes së Azem Hajdarit. Thjesht, janë disa ngjarje që nuk mjaftojnë të jenë vetëm tragjike për të shkaktuar këtë “shkulje” të qenies. Ka edhe ngjarje të tjera, ndoshta akoma më rrëqethëse në vetvete, por që nuk të shkaktojnë këtë humbje totale balance, këtë errësim të përgjithshëm. Dhe kjo është e shpjegueshme. Që të bëhen të tilla ato duhet të kenë jo vetëm rëndesën, përmbajtjen thellësisht tragjike, por cilësinë e përfshirjes së krejt shoqërisë në të. Ato bëhen të tilla, kur njerëzit ndjejnë që nuk është një tragjedi e veçuar, prandaj edhe lehtësisht e tejkalueshme, përkundrazi, është shpërthim i së tërës, pra një shpërthim që e ka lejuar krizën e krejt shoqërisë të vijë dhe të shfryjë nëpërmjet kësaj tragjedie të përveçme, një gjë që nuk mund të kishte ndodhur, nëse shoqëria nuk do të ishte në një krizë të thellë, që vetëm politika mund ta prodhojë në Shqipëri. Pra, në thelb, janë nga ato tragjedi personale apo kolektive që mbartin, përcjellin, tragjedi të përmasave shumë më të mëdha të krejt shoqërisë dhe që pikërisht për këtë shndërrohen në kambanë që nuk mund të ketë vesh aq të shurdhër sa të mos ta dëgjojë. Një kambanë që nuk jep thjesht lajm vdekjeje, por një kambanë që lajmëron rënien e së tërës, kolapsin, prandaj edhe ndryshime të mëdha në rrugë për të ardhur. Paralajmëron ndryshime jo nga ato që paralajmërojnë partitë në fushata politike, por ndryshime të thella, gati natyrore dhe prandaj të pandalshme.

. . .

Sinjali i kolapsit të vitit 1997 u prodhua një vit më parë me të gjitha karakteristikat e sinjalit SOS të një anijeje, ku është shuar çdo iluzion se mund të vazhdojë të qëndrojë mbi ujë. Në thelb, në sinusoidën e tij, sinjali i vitit 1996 përcillte informacionin se shteti ishte dobësuar, aq sa goditja në një pjesë të tij do të çonte në rënien e së tërës. Shteti ishte dobësuar, sepse ishte zhbalancuar, sepse fuqia e ekzistencës së tij ishte vetëm në një palë duar, në duart e një pushteti të vetëm, atij të Presidentit të Republikës të asaj kohe, dhe pushtetet e tjera, institucionet e tjera qeverisëse apo balancuese, kishin filluar të mbështesnin ekzistencën e tyre tek ai dhe jo te mandati i dhënë me ligj. Duke mos patur pushtet dhe duke e ndjerë veten “të tepërt”, institucionet dhe njerëzit brenda tyre nuk funksionin, ishin të pamotivuar. Gjithçka ishte shndërruar nga punë për institucionin në rutinën e plotësimit të interesit personal të individëve me status gjithmonë në ikje. Prandaj nuk u shmang dot kolapsi financiar dhe prandaj të gjitha shërbimet në ruajtje të sistemit demokratik lejuan lulëzimin e armiqve të ligjit dhe demokracisë. Veçanërisht njerëzit e thjeshtë e ndjenë veten jashtë qeverisjes dhe akoma më shumë, të përjashtuar pikërisht nga ai sistem ku duhet të ishin zotër të tij. Ky ishte sinjali, kjo ishte edhe kambana e vitit 1996, të cilën pak e dëgjuan. Rënia nisi menjëherë sapo interesat e njerëzve të thjeshtë u shkelën, pra sapo dëgjuan për humbjen e parave. Në asnjë moment qytetarët nuk menduan se rruga më e mirë ndoshta do të ishte mbrojtja e përbashkët e interesave të shtetit dhe nëpërmjet kësaj edhe e interesave të tyre. Menjëherë ata e identifikuan qeverinë si armikun e vetëm, me të cilin në fund të fundit si me të gjithë armiqtë nuk mund të negociosh, por vetëm të luftosh. Prandaj zvarritja e trupave të përfaqësuesve të shtetit në sheshet e Vlorës ishte më shumë se një tragjedi, ishte një krim pas të cilit erdhi asgjëja, erdhi vdekja gri për të gjithë. Nuk kishin vdekur vetëm ata që zvarriteshin, kishin vdekur edhe ata që i zvarritnin, kishim vdekur të gjithë, edhe ne që i shikonim, sepse kishte vdekur gjithçka që pretendonim se e kishim krijuar së bashku, shteti, demokracia. Në këtë pikëpamje asnjëherë nuk kam parë ndonjë ndryshim me natën kur vranë Azem Hajdarin. Ishte një krim shtetëror, pas të cilit qytetarët instinktivisht, por të bindur, u rreshtuan menjëherë kundër atij që supozohet të quhet krijesa e tyre, kundër shtetit, në një luftë përfundimtare, për ta mbytur atë si nëna e sëmurë nga postpartum mbyt fëmijën e vet. Pa menduar se ç’do të ndodhë pas mbytjes, duke shpërfillur atë që e gjitha kjo të çon te asgjëja, në mes të së cilës gjithsesi do të ripërballoheshim me enigmën gllabëruese, nëse duhet të fillonim edhe njëherë rikrijimin e shtetit pas rrëzimit apo jo. Pra, nëse do të pranonim apo jo mungesën e vullnetit shtetformues brenda qenies sonë, atë grinë mbimbuluese që ngrin popujt në një kohë të ekzistencës dhe për të cilën shqiptarët janë akuzuar pothuajse në krejt historinë e tyre, nga miqtë e paktë dhe sigurisht, edhe nga armiqtë e shumtë.

. . .

Gërdeci i ka të gjitha shenjat për të qenë më shumë se një tragjedi, për të qenë një kambanë që lajmëron goditjen e madhe, kolapsin. Në thelb paralajmërimi është i njëjtë. Gërdeci është pasojë direkte e mosshpërndarjes së pushtetit dhe përgjegjësive brenda qeverisë dhe shtetit, dhe aq më shumë, e ndarjes së qeverisjes nga qytetarët. Gërdeci nuk do të ndodhte, nëse do të funksiononin tatimet, nëse do të funksiononte shërbimi informativ, nëse do të funksiononte qeveria dhe shteti në të gjithë elementët e tij. Gërdeci ndodhi, sepse shteti shqiptar dhe veçanërisht qeveria shqiptare përbëhet nga institucione që nuk kanë marrë përgjegjësinë e detyrës së tyre, nga institucione që nuk janë të tilla, sepse me bisht të syrit shohin se çfarë do t’u thotë kryeministri apo dikush tjetër dhe jo çfarë është shkruar në mandatin që iu jep ligji. Këto institucione, me letra apo pa letra, nuk kanë pushtetin e nevojshëm për të zgjidhur problemet që lindin te to. Prandaj, në rastin më të mirë, ato janë thjesht ca ngrehina pa vlerë, gati-gati vetëm fizike, që vetëm plotësojnë formularë, pa ushtruar pushtet dhe prandaj pa mbajtur përgjegjësi. Ky është defekti më i madh i sistemit “alla shqiptar” të qeverisjes, i një sistemi që nuk siguron pjesëmarrje, por vetëm armiq të ardhshëm. Në këtë pikëpamje, shqiptarët drejtohen nga një qeveri që po humb gradualisht mbështetjen, qëndrueshmërinë, legjitimitetin më së fundi. Përgjegjësia apo pushteti që u jep kuptim ekzistencës së institucioneve të qeverisjes nuk rrjedh më në damarët e tyre, është devijuar për diku tjetër, drejt majës. Prandaj, si çdo gjë që mbetet pa funksion, institucionet e qeverisjes kanë filluar të atrofizohen, të veteliminohen. Vendi po ruan përmasat, por jo energjinë, pra po bëhet gati të rrëzohet edhe nga stuhia më e vogël që mund ta godasë.

. . .

Në fokusin e atyre që e duan akoma këtë vend, veçanërisht në fokusin e politikanëve ekzistues apo të atyre që do të vijnë, nuk duhet të vendoset retorika në emër të patriotizmit, madje edhe në emër të futjes në NATO apo BE, por gjetja e rrugëve për të rritur qëndrueshmërinë demokratike të vendit. Autori i këtij shkrimi, pavarësisht kritikave esenciale që ka për qeverisjen, beson se qëndrueshmëria demokratike e këtij vendi mund të vijë nëpërmjet rivitalizimit të së djathtës, dhe akoma më shumë, nëpërmjet një transformimi thellësisht demokratik të PD, rikthimin e saj te parimet mbi të cilat u themelua dhe i humbi rrugës. PD mund të risjellë qëndrueshmërinë demokratike të vendit, pasi ta fitojë atë për veten e saj, pra, pasi të sigurojë edhe njëherë mbështetjen popullore të shqiptarëve. Janë dy gjëra që një parti të mund të fitojë mbështetjen popullore të mjaftueshme për marrjen e mandatit qeverisës: e para, nëpërmjet raportit që ajo mban me zhvillimin e vendit dhe e dyta, si sillet me veten, sa e aplikon demokracinë në gjirin e saj. Esenciale të kuptohet është që të dyja këto nuk janë të palidhura, nuk ekzistojnë pavarësisht nga njëra-tjetra, përkundrazi, kanë një marrëdhënie substanciale, gati-gati simbiotike. Roli i PD në zhvillimin e vendit nuk mund të jetë i suksesshëm, nëse ajo nuk krijon ekipe të mandatuara prej saj dhe përmes një procesi konkurrues, ashtu sikundër, kjo nuk mund të ndodhë asnjëherë, nëse partia nuk e ka aplikuar atë në vetvete. Është një marrëdhënie simbiotike në kuptimin që qeverisja e suksesshme realizohet, kur demokracia brenda partisë me të gjithë elementët e saj i kalon qeverisjes dhe, nga ana tjetër, qeverisja e suksesshme i siguron partisë mundësi më të madhe komunikimi me njerëzit duke rritur më tej bazën mbështetëse të saj. Unë besoj thellësisht se kjo simbiozë është shkatërruar dhe se lënia e partisë mënjanë, pa funksion, e ka demotivuar edhe qeverisjen, e cila është pushtuar nga paniku për të reklamuar rezultate, pavarësisht se çfarë janë, rrugë, tatime të ulura, paga arsimtarësh të ngritura që nuk merren kurrë, landfill-e dhe lufta për pronësinë mbi to, duke dalë kështu nga prioritetet, nga shinat e programit të saj. Kështu, PD ka mbetur pa ushqimin e një qeverisjeje demokratike dhe prandaj është zbehur, tharë, zbrazur si një kioskë kinemaje, ku nuk shkon më njeri për të blerë bileta. Prandaj demokratizimi i PD dhe qeverisjes së saj si e vetmja rrugë për afrimin e qytetarëve të ndershëm, pra si e vetmja rrugë për zgjerimin e bazës popullore të PD dhe rifitimin e qëndrueshmërisë demokratike të vendit, është bërë thelbësor dhe çdo proces tjetër që synon zëvendësimin e tij me energjizimin e një apo disa figurave politike të sotme apo të dikurshme është i gënjeshtërt dhe nuk të çon kurrkund. Është po aq i gënjeshtërt sa ç’ishte në vitin 2005, kur u thirrën disa njerëz dhe u formua KOP. Ata u thirrën për të zgjeruar bazën konkurruese, e cila nuk ishte e tillë, pra nuk ishte konkurruese, sepse ishte e komanduar, jo-spontane. Ata u thirrën si fytyra të reja dhe asnjë nuk tha pse janë vjetëruar disa fytyra në PD. Misioni që iu besua të thirrurve ishte i gabuar. I gabuar ishte edhe procesi që ndoqi fatin e tyre në qeverisje. Misioni i tyre nuk duhet të ishte hartimi i programit qeverisës duke ruajtur rregullat e vjetra të qeverisjes, të organizimit të PD. Misioni i tyre dhe i gjithë strukturave të anashkaluara të PD duhet të ishte rikthimi te vlerat demokratike dhe pastaj te ndërtimi i një programi qeverisës. Vetëm kështu programet qeverisëse do të merrnin sigurinë e zbatimit të tyre. Vetëm kështu do të kishim sot një program të realizuar në arsim, shëndetësi, drejtësi etj. Sepse mund të ndërtosh programe, por nuk mund t’i zbatosh ato, nëse nuk frymëzohesh nga forca emancipuese e partisë së cilës i takon. Të thirrurit e 2005 ndërtuan programe të reja, por pranuan të qeverisin sipas modelit të vjetër, pra të qeverisin pa pushtet dhe akoma më shumë, duke mos përfillur detyrimin politik ndaj forcës politike së cilës i takojnë. Prandaj, çdo formë tjetër “kopizmi” nuk do të mund të sjellë rritjen e qëndrueshmërisë demokratike të vendit. Ata që do t’i bashkëngjiten, ribashkëngjiten apo të gjithë ata që do të kërkojnë një post në PD, pa përjashtim, para së gjithash duhet të kërkojnë ndryshimin demokratik të PD, si kusht jo vetëm për konkurrimin, por edhe për të qenit aty. Sigurisht, në qoftë se nuk kanë qenë inspirues të çdemokratizimit dhe çemancipimit të saj në vite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›