E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Edi Rama s’ka shanse të më zërë karrigen

Edi Rama nuk do e zërë kurrë karrigen e kryeministrit aktual Sali Berisha, pasi nuk ka votat. Ky është konstatimi i bërë nga vetë kryeministri gjatë inaugurimit të 15 kilometrave rrugë në Katund të Ri të rrethit të Durrësit. Sipas kryeministrit, Edi Rama, po kërkon të zbehë arritjet historike të qeverisë së tij, në ngritje pagash, shtrime rrugësh etj. Për sa i përket protestës, Berisha u shpreh se Rama mund të shkojë dhe në zyrën e tij po të dojë, por nuk ekzistojnë shanse për t’u ulur aty pasi sipas tij opozita nuk ka votat për ta marrë pushtetin. “Lëre mënjanë teorinë e hurit të kuq se shqiptarët as kanë qenë as bëhen ndonjëherë hunj të kuq, por nga inteligjenca janë të njohur dhe të shquar. Prandaj mos u servir mashtrime e trillime përditë! Dil nga muzeumi dhe njihu me realitetin! Kjo është thirrja ime për kryetarin e opozitës. Për sa u përket protestave, që vjen dhe bën para zyrës time, le të vijë dhe në zyrën time, por në karrige nuk ka shanse të ulet, sepse shqiptarët nuk e votojnë”, tha Kryeministri.

Por nga ana tjetër, Berisha gjatë fjalës së tij, nuk la pa etiketuar dhe organizatorët e protestës.

Berisha u shpreh se krerët e opozitës në atë protestë ngjasonin si “lejfenë”. Kur unë jam në inaugurime nuk mund të merrem me kinezërira. Ju e patë mbrëmë protestën e opozitës që të kujtonte revolucionin kulturor kinez. Ata të kujtonin marshimet e vitit 1967. Aty pashë vetëm lejfenë. “Lejfen” Meta, “Lejfen” Rama, “Lejfen” Milo”, tha Berisha.

Deklaratat e kryeministrit, megjithëse kanë një dozë ironie, vijnë vetëm një ditë pas organizmit të protestave të organizuara nga opozita për mënyrën se si po qeveris vendin e djathta. Një ditë më parë, vetë kryeministri pati deklaruar se nuk i kishte problem këto lloj protestash, madje uroi që mos prishet koha dhe mitingu të dështojë. Por vetëm një ditë më pas, duket se pas pjesëmarrjes së konsiderueshme të njerëzve në këtë protestë, Berisha ndërroi kurs. “Opozita dhe kreu i saj ka bërë një zgjidhje fatale, unike në planet. Është mbyllur në muzeum. Nuk mund të mburresh me lavdinë e të tjerëve se është monolog me të shkuarën. E ardhmja është dhe duhet të jetë e destinuar krejt ndryshe”, tha dje Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›