Prokuroria e Tiranës, procedim penal gjyqtarit që liroi Ilir Xhakjan
Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj gjyqtarit që liroi Ilir Xhakjan, personi që pak ditë më parë vrau shefin e komisariatit të Shijakut, 49-vjeçarin Adem Tahiraj.
Procedimi ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Durrësit, Neritan Tabaku vjen pas inspektimit të dosjes dhe procedurave të ndjekura për lirimin e Ilir Xhakjas, person me precedentë të shumtë penalë, nga ana e Këshilli të Lartë të Drejtësisë.
Në bazë të hetimeve të kryera, Xhakja rezulton i dënuar për vrasje nga gjykatat shqiptare të shkallës së parë e shkallës së dytë. Ndërkohë, me një vendim të datës 27 mars 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e kishte dënuar Ilir Xhakjan me 21 vite burg për akuzën e vrasjes. Por, pas kësaj çështja është pushuar dhe Xhakja ka fituar lirinë në vitin 2011.
Gjyqtari Neritan Tabaku vihet nën akuzë për shpërdorim detyre, pasi ka penguar zbardhjen e vendimit për Ilir Xhakjan, çka solli edhe lirimin e tij nga burgu një vit më parë.
Ilir Xhakja u la në arrest me burg ditën e sotme, pas vendimit të gjykatës, për akuzën e vrasjes së kryekomisar Adem Tahirajt, shefi i komisariatit të Shijakut.
17 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Prokuroria e Tiranës, procedim penal gjyqtarit që liroi Ilir Xhakjan burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip