Prokuroria e Vlorës sekuestron 3.5 milionë euro pasuri të A.L.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka vendosur sot më 19 nëntor 2025, nën sekuestro pasuri me vlerë rreth 3.5 milionë euro, në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 1329 të vitit 2022.
Hetimi zhvillohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Sipas kërkesës së prokurorisë, gjykata miratoi masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për një total prej 17 pasurish, të ndara ndërmjet shtetasit A.L. dhe subjektit tregtar “Rei Royal” shpk.
Në listën e pronave të sekuestruara përfshihen:
– Dy pasuri të llojit “Pemëtore”, me sipërfaqe 1000 m² dhe 600 m²;
– Një truall me sipërfaqe 249.5 m²;
– Dy apartamente, me sipërfaqe 126.6 m² dhe 143.7 m² në zotërim të A.L.;
– Një numër i madh njësish biznesi, me sipërfaqe nga 42 m² deri në 61 m², në pronësi të “Rei Royal” shpk;
– Një garazh me sipërfaqe 202 m²;
– Si dhe një njësi tjetër me sipërfaqe 220 m².
Prokuroria e Vlorës po vijon hetimet për të verifikuar origjinën e pasurive dhe lidhjen e tyre të mundshme me aktivitet të paligjshëm, ndërsa masa e sekuestros synon të parandalojë çdo tjetërsim apo transferim të pronave deri në përfundim të procesit.