Prokuroria, firmoset fletë-arresti për Kumbaron
TIRANE- Drejtësia shqiptare do t'i kërkojë Britanisë së Madhe arrestimin e ish-shikasit Ilir Kumbaro dhe ekstradimin drejt vendit tonë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, fill pas vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, që caktoi për ish-shikasin masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë, pasi dyshohet për rrëmbimin, torturimin me pasojë zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Autoritetet britanike me një vendim të mëparshëm vendosën për mosekstradimin e Ilir Kumbaros në Shqipëri dhe ish-shikasi shijon lirinë por drejtësia shqiptare do të kërkojë sërish arrestimin e tij dhe më pas riatdhesimin me qëllim që të përballet me akuzat e rënda të ngritura ndaj tij."Jemi në pritje të zbardhjes së vendimit dhe pasi ta përkthejmë, do ta nisim drejt Britanisë së Madhe. Do të bëjmë shpalljen në kërkim të Ilir Kumbaros, arrestimin e tij dhe ekstradimin drejt Shqipërisë", - tha një burim nga organi qendror i akuzës për GSH. Në të njëjtën kohë avokatët e Kumbaros në Tiranë, Vojo Bregu dhe Bledar Fejzo pohojnë se do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë, pasi e konsiderojnë të padrejtë vendimin. Juristë të tjerë shpjegojnë se prokuroria duhet të presë më parë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe nëse masa "arrest me burg" ndaj Kumbaros mbetet në fuqi, atëherë mund të kërkojë arrestimin e tij.Ilir Kumbaro akuzohet se në bashkëpunim me Arben Sefgjinin, Avni Koldashin dhe Budion Meçen, të gjithë ish-zyrtarë të lartë të SHIK-ut, kanë rrëmbyer, torturuar dhe zhdukur biznesmenin Remzi Hoxha. Gjithashtu dyshohen se kanë rrëmbyer dhe torturuar Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, të cilët mundën të shpëtonin. Sefgjini dhe Koldashi qëndruan një vit në qeli për zhdukjen e biznesmenit Hoxha dhe u liruan për mungesë provash. Dosja "Remzi Hoxha" mbeti për disa vite në sirtarët e prokurorisë, derisa me vendimin nr. 146, dt.08.09.2006 të Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Theodhori Sollaku, firmosi për rihapjen e hetimeve dhe e kaloi çështjen në kompetencë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pas shumë hetimesh u morën nën akuzë katër ish-shikasit dhe prej dy vitesh dosja po shqyrtohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Në gjykatë kanë ardhur të dëshmojnë dhjetëra persona, mes tyre ish-zyrtarë të SHIK-ut, apo dhe ish-pengu Ziso Kristopulli.(s.g/BalkanWeb)