Gramozi-Real, te ardhurat për familjet e përmbytura
TIRANE- Paratë e biletave të nxjerra nga ndesh ja e 20 janarit Gramozi-Real Madrid, do të shkojnë për familjet e përmbytura në Shkodër. Ka qenë ky vendimi i marrë nga kompania që organizon këtë takim, "Taçi Oil International", e cila duke shfrytëzuar imazhin e klubit më të madh të planetit, ka menduar të ndihmojë personat e zonave që aktualisht janë duke vuajtur vërshimin e ujërave në zonën e Shkodrës. Një lajm i tillë është bërë i ditur dje nga zëvendës presidentja e "Taçi Oil", Anika Taçi, e cila bëri të ditur gjithashtu edhe dhënien e një fondi prej 50 mijë eurosh për këto familje. "Kompania jonë, ashtu si edhe shumë të tjera, ka vendosur ti qëndrojë pranë banorëve të zonave të prekura nga kjo katastrofë natyrore, - bëri të ditur ajo në një konferencë për shtyp. - Ne kemi vënë në dispozicion shumën prej 50 mijë eurosh me shpresën dhe urimin që kjo ti lehtesojë sado pak dhimbjet e tyre", shtoi zëvendës presidentja e kompanisë. Përballja mes Gramozit dhe Realit të Madridit do të luhet në datën 20 janar në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", në orën 18.00. Ky takim zhvillohet në kuadër të edicionit të tretë të trofeut "Taçi Oil", një trofe që në dy sfidat e mëparshme është diskutuar mes Tiranës dhe Milanit si edhe mes kombëtares B të Shqipërisë dhe Milanit. Këtë herë, trofeu do të diskutohet mes Gramozit të Ersekës dhe Realit, por në skuadrën kolonjare mund të përfshihen edhe disa prej futbollistëve më të mirë të kampionatit, për t'i shtuar sadopak rivalitetin sfidës. Kreu i kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, në akordin e arritur me presidentin e Realit Florentino Perez, ka kërkuar që skuadra të jetë e plotë.(s.g/GSH/BalkanWeb)