E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria gaboi, deputetët e PS u vetë-akuzuan në seancë

04-02-2012 / Gazeta 55

Hetimet e 21 janarit, Luçiano Boçi

Për Partinë Demokratike seanca e fundit parlamentare faktoi se nuk ishin tre kërkesa për heqje imuniteti, por më tepër, deputetët socialistë sfiduan Prokurorinë”.
Deputeti i PD, Luçiano Boçi u shpreh dje se debatet në seancën plenare të së enjtes, nxorën në dritë organizatorët dhe përmbysën vendimin e një viti më parë nga Prokuroria për arrestimin e zinxhirit të Gardës së Republikës së Shqipërisë, me në krye komandantin e saj. Në këtë kontekst ai shtoi se çdo krim ka parahistorinë e saj dhe Prokuroria këtu duhet të niste hetimin. “Ngjarja ka marrë konotacion politik pasi palët janë përfshirë, kemi dhunues që është opozita dhe të dhunuarin që është mazhoranca. Ndërkaq në deklaratën e ambasadorit Arvizu dolën qartë dy elementë, roli i PS dhe orientimi i dhunës. Pati deklarata të ndryshme në seancën e fundit në Parlament. Ajo që u pa ishte një mos dakordësi mes deputetëve që ju hoq imuniteti dhe masës së përgjithshme të deputetëve të PS. U tha saktë se ata ishin organizatorët. Prokurorisë ju bë një sfidë nga deputetët e PS, pasi ata u vetë-akuzuan. Sot njëri nga deputetët deklaroi se dhe unë kam qenë organizator i protestës, nuk pat vetëm 3 kërkesa imuniteti , u lëshuan bomba. Prokuroria e bëri me shumë vonesë kërkesën për heqje imuniteti. Dhe vetë vetiu mund të themi, kur u nxor urdhri i parë për gardën cila ishte arsyeja? Ekspertiza erdhi pas një viti, deputetët s’kishin nevojë për ekspertizë. Moskonkordanca kohore dhe përsëritja e akuzës ndaj Komandantit të Gardës dhe përsëritja krijon boshllëk të madh kohor. Çdo krim ka parahistorinë e tij. Rama deklaroi për dhunë dhe u shpreh se populli do tejkalojë opozitën. Ai synonte të njolloste rivalin përpara zgjedhjeve ose të merrte pushtetin me dhunë. Është e qartë se atë ditë Rama ishte drejtuesi por jo i pranishëm”, tha Boçi.
Duke u ndalur në faktin nëse Garda e Republikës së Shqipërisë ra pre e gjithë këtij tensioni politik ai mohoi tërësisht këtë fakt, ndërsa shtoi se veprimet e saj ishin konform ligjit, madje sipas tij në disa momente e respektuan më tepër seç duhej. Deputeti demokrat shtoi se hetimi i Prokurorisë nga ana teknike duhet të merrte në konsideratë tabulatet e telefonave të personave të përfshirë në ngjarje.
“Në gardë ka njerëz profesionistë, vërtet varet nga MB por është dhe e pavarur njëkohësisht sepse ka rregulloren e saj. Ajo nuk u nxitua në veprim, ajo ishte e dhunuar, e goditur, e sulmuar. Ishte sulm i hapur ndaj gardistëve dhe Kryeministrisë. Garda respektoi ligjin dhe qëndroi pak përtej ligjit, ruajti gjakftohtësinë deri në fund. Në akuzën për ‘vrasje me dashje’, ndaj Komandantit të Gardës arsyetimi i Prokurorisë është disi i gabuar, pasi nuk përcaktohet nga dimensioni i kohës. Garda është institucion i pavarur, kriteret e rekrutimit janë apolitikë. Nuk ka presion ndaj Prokurorisë. Si institucion publik do ketë dhe konsiderata ndaj saj, por nuk mendoj se ka akuza aq të ashpra sa të ndikojnë në punën e saj. Nga ana teknike Prokuroria duhet të merrte në konsideratë tabulatet e telefonave të personave të përfshirë në ngjarje gjatë hetimit të saj. Duheshin marrë në konsideratë të gjithë elementët, kryesisht tentativa për marrje pushteti me dhunë”, deklaroi më tej deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›