E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Konferenca, e rëndësishme për kuadrin e sigurisë euroatlantike

04-02-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha merr pjesë në punimet e Konferencës së 48-të të Sigurisë që po zhvillohen në Mynih të Gjermanisë. “Pata rastin të promovoj potencialet ekonomike të Shqipërisë, energjia tërheq vëmendjen e biznesit të huaj”

Kryeministri Sali Berisha është nisur dje për një vizitë dy ditore në Mynih të Gjermanisë, për të marrë pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, e cila zhvillohet në datat 3 - 5 shkurt. Dje pasdite, Berisha ndoqi nga afër punimet e ditës së parë të Konferencës.
Në ditën e parë të punimeve, Konferenca trajtoi dy tema; “Roli i Gjermanisë në Evropë e në botë”, si dhe “Energjia, burimet dhe ambienti: si Parametra për një siguri të re?”. Konferenca e Sigurisë e Mynihut u drejtua nga diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, i cili ndër të tjera ka qenë përfaqësues i Bashkimit Evropian në trojkën për statusin e Kosovës, para shpalljes së pavarësisë së saj.
Në dy sesionet e djeshme mbajtën fjalën Presidenti i Azerbajxhanit  Ilham Heydar Oglu Aliev, Presidenti Ukrainës Viktor Yanukovych, Presidenti i Bankës Botërore Robert B. Zoellick, Ministri i Jashtëm i Suedisë Carl Bildt, Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Thomas de Maiziere etj. Në këtë Konferencë merr pjesë dhe Presidentja e Republikës së Kosovës Ahitfete Jahjaga.
Kryeministri Berisha në përfundim të punimeve të ditës së parë të Konferencës u prononcua mbi takimet e zhvilluara si dhe mbi diskutimet në sesionet e ditës së djeshme.
Për kryeministrin Berisha, “kjo është Konferenca më e rëndësishme vjetore që bëhet në kuadrin e sigurisë euroatlantike”.
“Në këtë Konference, siç njoftoi organizatori  i saj,  ish-sekretari i shtetit të Republikës Federale Gjermane diplomati i njohur Ischinger, marrin pjesë delegacione  të 70 qeverive nga Europa, SHBA, Kanada dhe vende të tjera të planetit. Në tërësi Konferenca trajton çështje të sigurisë euroatlantike dhe globale. Ajo që ishte me interes  te veçantë për mua ishte fakti, se kësaj here, tema e diskutimit ishte përqendruar tek energjia dhe siguria”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se ka pasur rastin që gjatë punimeve të konferencës, të promovojë potencialet e Shqipërisë në takimet e zhvilluara me personalitete të pranishme.
“Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, por është një vend gjithashtu, të cilën duhet se do të kalojnë dhe gazsjellës të mëdhenj, që do të sjellin gazin Kaspik drejt Evropës. Ndaj dhe e konsiderova shumë të rëndësishme këtë seancë. Bisedova me faktorë kryesore siç është presidenti Azerbajxhanit, ku unë së shpejti do të kem një vizitë zyrtare në këtë vend mik, por  dhe me faktorë  dhe me përfaqësues të tjerë të rëndësishëm në fushën e energjisë. Shqipëria dihet që është një vend me potenciale serioze në energjinë e rinovueshme dhe unë do t’ju them se një nga qëllimet më kryesore të miat është të takoj përfaqësues të biznesit të interesuar për investime në energjinë ujore, të erës, gjeo-termike dhe të diellit, në një vend që i ofron të gjitha këto  në sasira  të konsiderueshme. Kam takuar sot pasdite biznesmenë që janë në Londër dhe vende të tjerë, të cilët po tregojnë interes të madh për burimet e energjetike të Shqipërisë. Pata një takim miqësor me Ministrin e Jashtëm të Australisë, të cilin e njoh prej shumë kohësh ku  diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet bilateral  dhe ramë dakord që të punojmë për shtrirjen e tyre në të gjitha fushat.  Ministri i Jashtëm i Australisë do të vizitojë  në një kohë të afërt Shqipërinë në një  vizitë historike për një ministër të jashtëm  të një vendi mik, e cila do të jetë një nxitje e madhe për marrëdhëniet bilaterale  që ka Shqipëria me këtë vend mik”, theksoi më tej kryeministri Berisha.
Konferenca e Sigurisë e Mynihut, e themeluar në vitin 1962, ka një traditë të gjatë në diskutimin e politikave të sigurisë dhe është kthyer në evenimentin më të madh botëror në këtë fushë.
Çdo vit ajo bashkon personalitete të larta nga mbarë bota në fushën e politikë-bërjes, mbrojtjes, mendimit, biznesit dhe medias, për të diskutuar mbi sfidat me të cilat përballet bota, për të identifikuar sfidat e ardhshme të sigurisë dhe për të gjetur zgjidhjet e tyre.
Në këtë eveniment marrin pjesë Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Leon Panetta, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zëvendëspresidentja e Komisionit dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Catherine Ashton, kryeministri i Italisë, Mario Monti, ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergey Lavrov, Presidenti i  Polonisë, Presidenti i Gjeorgjisë, ministri i Jashtëm i Francës, Alain Juppe, President i Parlamentit Evropian, Martin Shultz, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›