“Opozita ka përgjegjësi për statusin, mazhoranca e vendosur për integrimin”

Integrimi në BE, flet Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto
Pavarësisht angazhimit maksimal të qeverisë, çështja e zbatimit të rekomandimeve të BE është gjithmonë në dorë të opozitës dhe ajo ka përgjegjësi për të realizuar detyrimet për të marrë statusin kandidat. Kështu u shpreh zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ndërsa garantoi vullnetin e qeverisë për ta çuar përpara këtë proces. Kjo dhe për shkak të votës unanime, pra konsensusit mazhorancë-opozitë, për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. “Unë mund të garantoj se nga ana e qeverisë ka një vullnet të plotë që këto që këto reforma të çohen përpara, por ajo që mbetet për t’u parë është se ky vullnet politik të shprehet qartë nga ana e opozitës, për avancimin e të gjitha reformave që janë shumë të rëndësishme për të marrë një vlerësim pozitiv në fund të vitit”, u shpreh Haxhinasto. Sipas kryediplomatit shqiptar, vullnetit i përbashkët duhet konkretizuar në tre drejtimet kryesore që janë, reforma zgjedhore ,ajo parlamentare dhe miratimi në Parlament i ligjeve të cilësuara. “Realizimi i këtyre detyrave në mënyrë absolute nuk duhet të kondicionohet nga interesa politike, çështje apo objektiva të caktuara politike. Integrimi duhet të jetë primar për secilën forcë politike”, tha Haxhinasto.
Kreu i diplomacisë foli për këtë çështje një ditë pasi Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë kërkoi angazhimin e klasës politike për përmbushjen e 12 kritereve të BE, për të përfituar në vjeshtë statusin kandidat.
Ndërsa në analizën vjetore të Ministrisë së Jashtme të dy ditëve më parë, krahas realizimit të objektivave të diplomacisë gjatë 2011-ës, gjatë këtij viti përgjegjësia është më e madhe pasi Shqipëria duhet të dëshmojë pjekurinë e duhur politike dhe institucionale, në mënyrë qe vendi të marrë vlerësimin pozitiv në progres-raportin e Komisionit Evropian, gjatë muajve të vjeshtës.