E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria hesht për minorenët

Ina Rama

Organi i akuzes nje dite me heret kishte thene se s'i kishte rezultuar asnje i mitur ne ekipin e fabrikes. Denoncimet e shtypit i mbyllin gojen prokurorise

TIRANË - Zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme bëri me dije dje, se nuk do të bëjë publike asnjë të dhënë nga procesi hetimor që lidhet me punësimin e personave nën 18 vjeç në fabrikën e Gërdecit. Pas deklaratës së kryeprokurores Ina Rama, e cila vetëm një ditë pas ngjarjes tha se, “nga hetimet tona, nuk rezultoi se në fabrikë ishin të punësuar persona nën moshën 18 vjeç”, fillimisht “Korrieri” e më pas mediat e tjera publikuan një sërë faktesh, se në depot e Gërdecit ishin të punësuar disa persona që ende nuk kanë mbushur moshën për të punuar. Gazeta “Korrieri” është media e parë që publikoi dy intervista me dy adoleshentë, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç, të cilët thanë se jo vetëm që punonin në këtë fabrikë, por për të plotësuar normën arrinin të çmontonin rreth 300 predha në ditë, punë për të cilën paguheshin me rreth 1000 lekë. Faktet tronditëse për skllavërinë e të miturve, të publikuara në numrin e djeshëm të “Korrierit”, u pasuan me publikimin e pamjeve nga disa televizione, ku dukeshin qartë disa fëmijë që transportonin predha luftarake. Për këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme vendosi të heshtë, ndoshta për të mos kundërshtuar deklaratën e kryeprokurores, ndërsa grupi hetimor e renditi si çështje të dorës së dytë për nga rëndësia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›