Rama: S'e pranojmë Berishën për Kryeministër

Edi Rama
Opozita shqiptare kerkoi dje qe pergjegjesia ndaj vrasjes se 18 shqiptareve dhe plagosjes se mbi 350 te tjereve te mos mbetet gjysmake
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ashpërsuar tonet, duke këmbëngulur në largimin e Sali Berishës nga posti i kryeministrit. “Përsëris në emër të të gjithë shqiptarëve, se ne nuk e pranojmë për kryeministër dhe ai duhet të na japë dorëheqjen, jo justifikimet të patolerueshme të një fatkeqësie, që nuk është natyrore, por politike, që nuk e kemi nga Zoti, por nga ata që kanë marrë votën për të na dalë zot”, ka deklaruar dje kryesocialisti Rama. Në konferencën për shtyp, drejtuesi i PS-së ka theksuar se justifikimet e kreut të qeverisë nuk mund të mbulohen, sikundër nuk mund të mbulohet numri i viktimave. Rama nënvizoi se Berisha nuk mund të tolerohet pa dalë e plotë përgjegjësia morale, politike e ligjore, siç janë toleruar plot bëma e gjëma familjare, të shkaktuara nga papërgjegjshmëria e politikës së vjetër. “Ne duam dorëheqjen dhe imunitetin e deputetëve Sali Berisha e Fatmir Mediu, jo me deklaratat për gjoja gatishmëri për të mbështetur hetimet, po me votim në Kuvendin e Shqipërisë”, tha kryetari i PS-së. Rama tha se kryeministri i vendit ka dalë përpara shqiptarëve, për të folur për gjithçka, përveç të vetmes gjë që do ky popull: pranimin e përgjegjësisë morale e politike përmes aktit të dorëheqjes. “Kryeministri i Shqipërisë, që tronditi botën me shpërthimin vdekjeprurës, që ka shkaktuar një vendim të qeverisë së tij, doli përpara shqiptareve dhe shqiptarëve jo për të dhënë dorëheqjen, por për të vijuar misionin e tij të pamundur, të shfajësimit përmes justifikimesh, të cilat vijuan të fyejnë inteligjencën e këtij populli të tradhtuar e të gënjyer 17 vjet rresht nga një politikë pa din e pa iman, personifikimi i së cilës është sot në krye të qeverisë”, deklaroi kryesocialisti Rama. Numri një i partisë më të madhe në opozitë nënvizoi se të gjithë kanë dëgjuar kryeministrin e Shqipërisë të vijojë përçartjen, ndërkohë që të gjithë shqiptarët kërkonin të dëgjonin dorëheqjen. “Të gjithë kudo ku janë, organizatat joqeveritare dhe partitë e opozitës, kërkojnë dorëheqjen e tij, si të më voglën gjë që kryetari i qeverisë, i cili shkaktoi gjëmën më të madhe, duhet të bëjë në respekt të viktimave të kësaj tragjedie: të vdekurve, të zhdukurve e të mbijetuarve, në respekt të popullit shqiptar e të këtij atdheu të sakatuar nga bombat dhe papërgjegjshmëritë politike”, deklaroi Rama. Ai u shpreh se Berisha pranoi dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, thua se edhe mund të mos e bënte. Kryetari i socialistëve shqiptarë tha se i gjithë vendi është solidar me fatkeqët e Vorës e të Gërdecit dhe çdo shqiptare e shqiptar është gati të kontribuojë për asistencë logjistike e financiare të tyre, si dhe për rindërtimin e shtëpive të rrafshuara nga bombardimi i qeverisë. “Por kryefajtori Sali Berisha nuk mund të na fyejë të gjithëve, duke folur për ndihmë nga ana e qeverisë që shkaktoi tragjedinë, jo vetëm sepse qeveria menaxhon pikërisht kontributet tona, por edhe sepse ky kryeministër nuk ka më as moralin dhe as besimin e askujt për të menaxhuar pasurinë e këtij populli, që në 17 vjet nuk ia pa kurrë hairin votës që i dha Sali Berishës”, nënvizoi Rama.