“Prokuroria ka fshirë provat e organizatorëve të dhunës”

Edi Paloka: Drejtësia për 21 janarin është e pashmangshme, organizatorët tentuan të marrin pushtetin me dhunë
Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka në një deklaratë për mediat, ngriti akuza të rënda ndaj kreut të opozitës lidhur me 21 janarin e një viti më parë. Sipas Palokës, Rama një vit më parë donte të rrëzonte qeverinë dhe të merrte pushtetin me dhunë. Për të realizuar këtë u përdor një video e manipuluar, e cila ishte prerë dhe ngjitur 28 herë. “Një vit më parë, Edi Rama, në bashkëpunim me drejtues të papërgjegjshëm të disa institucioneve të vendit, do të zgjidhnin 21 janarin për të organizuar, me mercenarë të paguar, rrethimin, sulmin e dhunshëm kundër Këshillit të Ministrave, për përmbysjen e Qeverisë së zgjedhur me votën e lirë. Si pretekst për organizmin e këtij akti kriminal, antikushtetues, u përdor një video e montuar nga Edi Rama, në të cilën Kryeministri i vendit paraqitej i implikuar në një çështje, me të cilën ai nuk kishte pasur të bëjë ndonjëherë, ndërsa Zëvendëskryeministri paraqitej i implikuar në një video të prerë dhe ngjitur 28 herë, të cilën Gjykata e Lartë e vendit, me vendimin e saj unanim, do ta gjente tërësisht mashtrim dhe falsifikim. Më 21 Janar të vitit 2011, pas pesë orë sulmi mbi kryeministrinë, mbetën të vrarë katër qytetarë dhe të plagosur qindra policë, gardistë dhe qytetarë. Natyrisht, qëllimin e tyre antikushtetues, puçistët nuk arritën ta realizojnë. Megjithatë, ata vazhduan, në ditët në vijim, veprën e tyre kriminale, por dështuan. Sot, pas një viti, përsëri Partia Demokratike u shpreh edhe njëherë ngushëllimet familjeve të viktimave dhe garanton ata dhe shqiptarët se, drejtësia do të bëhet. Partia Demokratike zotohet se kjo ngjarje nuk do të kalojë kurrë pa hetimin e plotë të organizatorëve, pagatorëve dhe sponsorizuesve të dhunës për marrjen e pushtetit, rrethanave dhe autorëve të viktimave dhe plagosjeve të 21 janarit 2011”, u shpreh Paloka. Gjithashtu, deputeti demokrat vuri në dukje se prokuroria s’ka bërë asnjë hetim për organizatorët e dhunës si dhe ka prishur provat për t’i shpëtuar ata nga hetimi. “Sot, pas një viti, prokuroria politike, pjesë e skenarit të përmbysjes me dhunë të pushtetit legjitim të vendit, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hetim për organizatorët dhe bashkëpunëtorët e aktit të dështuar të përmbysjes së pushtetit me dhunë, por përkundrazi, ka prishur provat duke besuar se, ata do mund t’i shpëtojnë ligjit dhe drejtësisë për këtë vepër antikushtetuese”, tha ai. Ndërsa ka shtuar se 21 janari është një ditë e madhe në historinë e kombit shqiptar, mbajtja e Kongresit të Lushnjës, që ri-themeloi dhe ndërmori vendime e reforma jetike shtet-formuese. “Më 21 Janar të vitit 1920 u mbajt Kongresi i Lushnjës, Kongresi që rithemeloi Pavarësinë e Shqipërisë, vendosi që Tirana të jetë kryeqyteti i Shqipërisë, themeloi pluralizmin, zgjodhi Qeverinë e kryesuar nga njëri prej burrave të shtetit më të shquar të kombit, Sulejman Delvina dhe me anëtarë Ahmet Zogu, dhe personalitete të tjera të shquara të vendit, ndërmori vendime dhe reforma jetike shtet-formuese dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Sot, shqiptarët me nderim të madh do të përulen para veprës së ndritur të Kongresit të Lushnjes, këtij akti madhor në historinë tonë kombëtare”, deklaroi më tej nënkryetari i grupit kuvendor demokrat, Edi Paloka.
...