2 miliardë dollarë investime për “The Millennium Casino & Resort”
Kryeministri Berisha pret në takim përfaqësues të Grupit amerikan “SIVA Partners”
Kryeministri Berisha priti në një takim përfaqësues të Grupit amerikan SIVA Partners, të kryesuar nga z. Simon Elyakim, President i këtij Grupi, të cilët i prezantuan një projekt të madh në fushën e turizmit dhe argëtimit, të quajtur The Millennium Casino & Resort. Ky është një grup i ri amerikan investimesh që synon gjetjen e vendeve të përshtatshme për realizimin e projekteve të tyre të mëdha. Presidenti i Grupit SIVA Partners z. Elyakim, i prezantoi Kryeministrit Projektin e madh prej rreth 2 miliardë dollarë në fushën e turizmit dhe argëtimit, të quajtur “The Millennium Casino & Resort”, që konsiston në ndërtimin e një resorti turistik me vila dhe hotele, fusha tenisi, golfi dhe Casino. Ky projekt, tha ai, është rezultat i klimës tërheqëse të biznesit në Shqipëri, i gjeografisë së saj dhe klimës shumë tërheqëse për turistët. Ai synon krijimin e një qendre të madhe turistike në Ballkan. Gjithashtu, z Elyakim i prezantoi Kryeministrit Berisha portofolin e interesave të Grupit për investime në Shqipëri në fushat e infrastrukturës, në rrugë, hekurudha, ku përfshihet edhe hekurudha Shqipëri – Kosovë, si dhe vepra të tjera si tunele, porte, në fushën e hidrokarbureve, përfshirë edhe privatizimin e Albpetrol, etj. Interesi i Grupit përmblidhte edhe ndërtimin e Tram-it të Tiranës. Ai i tha Kryeministrit se pas një sërë studimesh në rajon, Grupi kishte përzgjedhur Shqipërinë si vendin më të përshtatshëm për investimet e tyre. Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e Grupit për punën paraprake të bërë dhe për përzgjedhjen e vendit të tij si kryesor për investime me projekte të mëdha. Ai i njohu ata me potencialet konkrete investuese të Shqipërisë në shumë fusha, si në atë të infrastrukturës; rrugë, porte, etj, në fushën e energjisë së rinovueshme; hidrocentrale, impiante ere etj, në hekurudha, etj.