Prokuroria ka të gjithë dokumentet për Mediun

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, në një bisedë me “Korrierin”, shpjegon disa nga çështjet më të debatuara dhe të komentuara kohët e fundit. Ai erdhi në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, në një kohë kur ky institucion ishte bërë pjesë e hetimeve të prokurorisë për çështjen e Gërdecit. Duke folur për çështjen e hetimit, ai tregon se deri tani prokurorisë i janë vënë në dispozicion të gjithë dokumentet e kërkuar për hetim. Ndërkohë, ai thekson se, në rast se prokuroria do të ketë kërkojë dokumente të tjera, ato do t’i vihen në dispozicion menjëherë. Ndërkohë, ministri Oketa shpjegon edhe reformën e tij në ministri. Ai thotë se reforma nuk është vetëm shkarkim nga puna, ndërsa premton se do t’i japë secilit vlerësimin e duhur. Duke komentuar çështjen e debatuar të ekzistencës së një afere armësh mes Shqipërisë dhe Çadit, në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, Oketa siguron se kjo nuk ka ndodhur, duke i dhënë në këtë mënyrë edhe një përgjigje zyrtare kësaj çështjeje. I pyetur për çështjen “Pinari”, ministri shpjegon edhe të vërtetën e certifikatës së tij “speciale”...
-Jeni prej pak muajsh në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Sa e vështirë ju duket kjo punë, referuar edhe situatës në të cilën ju e gjetët atë?
Gazmend Oketa: “Besoj se çdo pozicion ministri apo çdo pozicion në qeveri ka vështirësitë e fillimit dhe më pas vështirësitë apo problematikat e përditshme. Situata e krijuar i shton pak vështirësitë e fillimit, por gjithsesi e bën edhe më të fortë angazhimin tim për t’i kapërcyer ato. Jam përpjekur që të gjej një ekuilibër midis asaj që ka ndodhur dhe vështrimit përpara, apo çuarjes së punëve përpara, në favor të kësaj të dytës. Duke dashur të gjej elemente pozitivë edhe tek situatat e vështira, mendoj se është një provë e vështirë, por që duhet përballur me vendosmëri dhe me kujdes, ndaj besoj se do të jetë një eksperiencë pozitive për mua”.
-Keni ndërmarrë reforma në këtë ministri. Cili është drejtimi kryesor i këtyre reformave?
“Fjala “reformë” ka vite që shoqëron transformimin e institucioneve tona. Në Ministrinë e Mbrojtjes natyrisht këto reforma orientohen në funksion të prioriteteve kryesore të qeverisë shqiptare dhe të vetë ministrisë, të cilat janë anëtarësimi në NATO dhe integrimi në strukturat e Bashkimit Evropian. Këto objektiva nuk mund të arrihen ndryshe, përveçse me reforma, me struktura funksionale dhe eficiente, të orientuara drejt këtyre objektivave madhore”.
-Me ardhjen tuaj në krye të Ministrisë së Mbrojtjes keni propozuar disa shkarkime në ministri për çështjen e Gërdecit. Do të ketë shkarkime të tjera për këtë çështje, apo do të jenë vetëm në sajë të shkrirjes së disa strukturave paralele.
“Në ministri do të ketë lëvizje jo vetëm thjesht në funksion të çështjes së Gërdecit, por edhe në funksion të përkushtimit dhe korrektesës në punë. D.m.th. do të ketë edhe promovime për ata që e meritojnë, dhe shkarkime apo ulje në detyrë për ata që nuk u përgjigjen dot kërkesave apo detyrimeve që kanë për shkak të pozicionit. Një gjë do të dëshiroja të sqaroja. Në konceptin tim, reformë apo strukturë e re nuk do të thotë thjesht shkurtime të vendeve të punës. Fillimisht duhet konceptuar një skemë organizimi sa më optimale dhe kjo skemë ka nevojë për kontributin e një numri të caktuar njerëzish, i cili mund të jetë më pak, i njëjtë apo dhe më shumë se ekzistuesi”.
-Pritet që vendi ynë të marrë ftesën për anëtarësim të plotë në NATO vitin tjetër. Çfarë do të thotë kjo për reformat dhe punën tuaj, do të përshpejtohen ato?
“Kjo do të thotë se tashmë një pjesë e angazhimeve tona kalojnë në një nivel tjetër dhe kthehen në detyrime, që do të thotë në objektiva të matshëm dhe konkret. Kjo e bën dhe punën më intensive, por nga ana tjetër dhe më të bukur.
Përmbushja e detyrimeve që na lindin nga marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, kuptohet se është prioriteti kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes. Jam i sigurt se me përkushtimin e të gjithëve, stafit të ministrisë, Shtabit të Përgjithshëm, kontributin e shkëlqyer të ushtarakëve tanë, këto objektiva do të përmbushen më së miri”.
-Keni deklaruar se vendi ynë do të ketë një ushtri të vogël, por profesioniste. Çfarë po bëhet me ushtrinë shqiptare, çfarë po ndryshon tek ajo?
“Ky është një nga angazhimet që qeveria shqiptare ka marrë, për të pasur në vitin 2010 një ushtri tërësisht profesioniste. Kjo do të arrihet nëpërmjet zbatimit të një strategjie për transformimin gradual, modernizimin e Forcave të Armatosura, rekrutimin e ushtarëve profesionistë, të atyre djemve dhe vajzave të reja të cilët duan të japin kontributin dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare”.
¬Përfaqësimi ynë ushtarak po zgjerohet në botë. A ka realisht fuqi ushtarake Shqipëria, apo është thjesht një përfaqësim politik?
“Përfaqësimi ynë po bëhet me pjesëmarrje në misione paqeruajtëse apo në misione në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe është i gjithi i mirëstudiuar dhe brenda mundësive apo kapaciteteve tona. Të mos harrojmë se ky kontribut ka një ndikim të madh në mundësimin e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, pasi ushtarakët tanë testohen dhe vlerësohen direkt në terren. Pjesëmarrja në këto misione të NATO-s apo BE-së është një eksperiencë e shkëlqyer dhe për ushtarakët tanë, dhe një kontribut i vlefshëm i yni për një botë më të paqtë e demokratike”.
-Si do të arrihet shkatërrimi i shpejtë i municioneve në vend, ndërsa sasia e tyre është shumë e lartë dhe procesi është i rrezikshëm?
“Është e vërtetë që sasia është e madhe dhe procesi paraqet vështirësi. Ajo që ne do të synojmë të realizojmë shumë shpejt, është reduktimi gradual i shkallës së rrezikshmërisë, d.m.th. puna do të fillojë me asgjësimin e municioneve më të rrezikshme apo me vendndodhje më të rrezikshme. E thënë më thjesht, do të zbresim me kujdes nga drita e kuqe e semaforit në atë portokalli e më pas në atë jeshile. Do të jenë specialistët tanë dhe ata huaj, të cilët do të përcaktojnë të gjithë hapat që do të ndiqen, dhe unë si ministër do të jap mbështetjen maksimale dhe këtë do ta kërkoj nga të gjithë institucionet e vendit, pasi problemi i armatimeve të tepërta është një problem kombëtar dhe jo thjesht i Forcave të Armatosura. Rast pas rasti, në zbatim të strategjisë për demilitarizim, do të merren dhe hapat e duhur, por ajo që mund të them me bindje, është se siguria dhe kujdesi për jetën e banorëve dhe ushtarakëve që do të merren me këtë proces, do të jetë maksimale. Siguria do të jetë kryefjala e të gjithë këtij procesi”.
-Paraardhësit tuaj i është kërkuar heqja e imunitetit, ndërkohë që prokuroria ka ngritur një akuzë. A i ka marrë prokuroria deri tani të gjithë dokumentet që kanë lidhje me çështjen, apo ka akoma dokumente të tjera në MM? Në rast se nuk janë marrë të gjithë dokumentet, do të tregoheni i gatshëm të bashkëpunoni me prokurorinë në dhënien e materialeve?
“Deri tani prokurorisë, në respekt të ligjit, i janë vënë në dispozicion të gjithë dokumentet që ka kërkuar. Ministria e Mbrojtjes nuk ka asnjë njoftim nga prokuroria për dokumente të tjera. Nëse do të duhen, atëherë patjetër do t’i përcillen menjëherë”.
-Ndërmarrja “Meico” tashmë ka një drejtor të ri, i cili më parë ka qenë nëndrejtor i kësaj ndërmarrjeje. Çfarë ju ka bindur që ai nuk është i përfshirë në aferat e mëparshme, ku jeni bazuar?
“Jo të gjithë ata që punojnë në ndërmarrjen “Meico” janë përfshirë në afera apo kanë peshë në mënyrën sesi është administruar kjo ndërmarrje. Nga informacionet që unë kam, drejtori i ri rezulton i paimplikuar në afera. Po ashtu, eksperienca e tij më bëri që t’i besoj atij këtë detyrë. Koha dhe mënyra sesi drejtori i ri do të punojë, do të më japë të drejtë ose jo. Përkushtimi dhe korrektesa në realizimin e detyrës janë elementet nga të cilët askush nuk duhet të përkulet, përndryshe vendimet mund të rishikohen”.
-Është folur se ish-drejtori i “Meico”-s, Ylli Pinari, kishte një certifikatë të veçantë, prandaj nuk është hequr më parë nga drejtimi i ndërmarrjes. Çfarë është kjo certifikatë dhe mos do të thotë kjo se edhe autoritetet shqiptare nuk kanë pushtet absolut në vendin e tyre?
“Pothuaj kushdo që punon në Ministrinë e Mbrojtjes duhet të pajiset me një certifikatë sigurie, pasi puna në këtë ministri të bën të njihesh me shumë informacione të klasifikuara si sekrete dhe jo kushdo mund të punojë në atë administratë. Një certifikatë të tillë e ka pasur dhe z. Pinari. Në një vend pune nuk është kjo certifikatë apo ndonjë certifikatë tjetër që duhet të të mbajë në atë pozicion, por mënyra sesi punon dhe efektiviteti në punë”.
-Është debatuar shumë për çështjen e një afere armësh mes Shqipërisë dhe Çadit. Opozita ka kërkuar një përgjigje nga ju për këtë çështje. A ka pasur ndonjëherë trafik armësh mes Shqipërisë dhe Çadit?
“Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem vërtet fare shkurt. Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, ju deklaroj se nuk ka pasur asnjë eksport armësh me Çadin”.