E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skemi hequr dorë nga mocioni

Dekretet me votim te fshehtë në Kuvend

Partia Socialiste bëri të ditur dje, se nuk është tërhequr nga mundësia e ndërmarrjes së mocionit të shkarkimit ndaj kryeparlamentares Jozefina Topalli. Numri një i PS-së në Kuvend, Valentina Leskaj, e pyetur për këtë çështje deklaroi qartë: “Nuk kemi hequr dorë nga mocioni për shkarkimin e kryetares. Siç e kam thënë edhe herë tjetër, kjo është në proces vlerësimi”. Nëse iniciativa ndërmerret, atëherë ky do të ishte mocioni i tretë kundër kryetares së Kuvendit gjatë një mandati. Socialistët akuzojnë kryekuvendaren Topalli, se ka marrë më shumë kompetenca nga sa i cakton roli i saj si spikere e Kuvendit, në rastin e dekreteve të Presidentit të Republikës, për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Dekretet pritet të shqyrtohen në seancën e sotme dhe siç tha kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, do të kenë mbështetjen e opozitës. “Natyrisht që opozita do të votojë “pro” dekreteve të presidentit, do të insistojë me forcë dhe do të kërkojë që dekretet të futen në procedurë sipas rregullores së Kuvendit dhe sipas të gjitha procedurave dhe ligjeve të shtetit. Të futen me votim të fshehtë, sepse nuk ka rrugë tjetër. Nuk mund të futen në Kuvend raport-komisioni, por duhet të futen dekretet e presidentit për t’u votuar. Mazhoranca në rast se do t’i rrëzojë, le t’i rrëzojë në Kuvend. Ne do të votojmë natyrisht “pro” dekreteve të presidentit, pro Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, - deklaroi qartë liderja e socialistëve në Kuvend. Leskaj garantoi se socialistët nuk do të lejojnë shkeljen e procedurave të parashikuara në Kushtetutë dhe rregulloren e Kuvendit, sikundër po kërkon të bëjë mazhoranca. Për socialistët, sjellja e mazhorancës është një kërcënim i hapur ndaj pavarësisë së institucioneve kushtetuese, ndarjen e pushteteve, demokracinë dhe shtetin ligjor. “Ky qëndrim është një shfaqje e re e konfliktit të vjetër të kryeministrit Berisha dhe pasuesve të tij, qëndrim që ka ndodhur me çdo pushtet të pavarur në Shqipëri. Grupi parlamentar i PS-së vlerëson se kjo është një përpjekje për të kontrolluar Gjykatën e Lartë, që po bëhet duke përdorur pushtetin legjislativ kundër pushtetit gjyqësor, duke konfliktuar artificialisht institucionet”, - u shpreh Valentina Leskaj. Liderja e grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare, sqaroi se pushtetet janë të ndarë në Kushtetutë, sikundër edhe roli i presidentit dhe i Kuvendit në emërimet e gjyqësorit. Leskaj theksoi se Kuvendi mund të votojë “pro” ose “kundër” dekreteve, por nuk mund t’i refuzojë, duke dhunuar rendin kushtetues, çka do të bllokonte edhe Gjykatën e Lartë. Aktualisht, vendimmarrja e kësaj gjykate është e bllokuar, pasi ka plot 7 vende bosh. Në emër të PS-së, Leskaj i kërkoi kryeministrit t’i hapte rrugë logjikës kushtetuese dhe procesit demokratik, duke futur në votim të fshehtë dekretet e sjella nga presidenti. “Me këtë akt njolloset Kushtetuta, Kuvendi dhe fytyra e Shqipërisë në sytë e botës demokratike”, - paralajmëroi ajo, nëse mazhoranca nuk ndryshon qëndrim. Për socialistët, përplasja mes presidentit e kryeministrit vjen vetëm për faktin e mospëlqimit të disa emrave nga pesë dekretet e presidentit, nga kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›