E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria kërkon rikthimin në burg të avokatit Hysni Beti

TIRANE- Prokuroria e Tiranës kërkon rikthimin në qeli të avokatit Hysni Beti. Organi i akuzës i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë, ku kërkon "vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal, atë të 'arrestit në burg'", për avokatin Beti.

Mbrojtësi ligjor u arrestua më 20 tetor, 2010, nën akuzën e "korrupsionit" dhe dy ditë më pas, gjykata e Tiranës vendosi ta lirojë, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest shtëpie". Ndërsa dosja penale ndaj Betit është dorëzuar për gjykim vetëm për akuzën e "ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", gjykata supreme do të shqyrtojë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë.

Avokati Beti u arrestua për shkak se sipas prokurorisë, i kishte marrë ryshfet të akuzuarit E.Zeneli, me pretendimin se do të paguante gjyqtaren që do të vlerësonte masën ndaj tij. E.Zeneli ishte shoqëruar nga policia për "kundërshtim të forcave të rendit" e "goditje për shkak të detyrës", dhe sipas prokurorisë, mbrojtësi Beti kishte kërkuar para duke i premtuar se do të ndërhynte te gjyqtarja për ta liruar. Vetë avokati që u hetua në liri, e ka hedhur poshtë akuzën, duke u shprehur se lekët i kishte kërkuar për mbrojtjen ligjore që do të bënte dhe se nuk kishte kryer asnjë vepër penale sikurse pretendonte organi i akuzës.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›