Zgjedhjet vendore 2011-të, PD-LSI pritet të konfirmojnë koalicionin

Dy partitë aleate në qeverisjen e vendit, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, duken të gatshme për nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore, të 8 Majit 2011-të. Konfirmimi i koalicionit të Integrimit edhe për zgjedhjet e vitit tjetër, është deklaruar dhe më parë nga kreu i LSI-së Ilir Meta dhe funksionarë të tjerë të kësaj force politike. Por sot, ishte nënkryetari i LSI dhe njëherazi ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, i cili deklaroi se LSI do jetë në koalicion me PD-në. “Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë në koalicion me Partinë Demokratike në zgjedhjet vendore të majit 2011”- tha Haxhinasto, në punimet e Kongresit Zgjedhor të LSI-së, në Elbasan. Haxhinasto shprehu bindjen se këto zgjedhje do të jenë shumë të rëndësishme për strukturat e LSI-së së Elbasanit dhe se ato zhvillohen në përputhje me kërkesat statutore të LSI-së. “LSI e Elbasanit ka një ambicie serioze për të arritur një rezultat të lartë në zgjedhjet e ardhshme vendore”- tha Haxhinasto, ndërsa shtoi se “këto zgjedhje janë një moment shumë i rëndësishëm i punës organizative për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme vendore”. Duke theksuar se në Elbasan LSI ka pasur një rezultat në rritje, Haxhinasto shprehu bindjen se “rezultate akoma më të larta do të arrihen në zgjedhjet e majit 2011”. “LSI është në momentin e vlerësimit të çdo njësie administrative dhe sigurisht është bërë e qartë se LSI do të jetë në koalicion me PD”- deklaroi numri dy i LSI-së, Edmond Haxhinasto. Po ashtu, edhe përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike janë shprehur të hapur për vijimin e bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me qëllim maksimalizimin e fitores në zgjedhjet vendore si dhe konfirmimin e jetëgjatësisë politike të koalicionit të Integrimit.