E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kthen në polici 102 oficerë

Reforma largon nga Prokuroria 102 oficerë të Policisë Gjyqësore. 

Trazhgim Sokolaj

Të gjithë hetuesit që deri pak kohë më parë kanë punuar në Prokurori tashmë janë rikthyer në radhët e policisë duke u vendosur me detyra të reja në komisariatet dhe rajonet përkatëse sipas rretheve. Kjo lëvizje masive e cila ka shkaktuar një “tërmet” të vërtetë në organin e akuzës ka ardhur si pasojë e një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar mes prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe ministrit të Brendshëm Nishani, disa muaj më parë. Zbatimi organik i këtij memorandumi ka përfunduar ditët e fundit kur është plotësuar tërësisht lëvizja e 102 oficerëve të Policisë Gjyqësore në shkallë vendi, të cilët punonin të atashuar pranë Prokurorive në rrethe edhe pse në aspektin organik vareshin nga Policia e Shtetit dhe paguheshin nga buxheti i kësaj të fundit. Lëvizja e oficerëve të Policisë Gjyqësore që deri pak kohë më parë ushtronin detyrën e tyre në rolin e hetuesve pranë Prokurorisë është bërë për shkak se memorandumi i përbashkët i Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme, parashikon zhvendosjen e hetimeve nga Prokuroria në polici. Sipas memorandumit, tanimë hetimet e dosjeve penale do të bëhen në polici, madje edhe fashikujt që përmbajnë provat dhe materialet e dosjeve do të mbahen në komisariatet dhe drejtoritë e policisë. Për të përballuar ngarkesën që do të krijohet në strukturat e policisë nga kryerja e veprimeve hetimore me të gjitha dosjet penale është vendosur që oficerët e policisë, që më parë ishin atashuar në Prokurori, të rikthehen në komisariatet dhe drejtoritë përkatëse të policisë. Kështu, rreth 18 oficerë gjyqësorë që deri pak ditë më parë punonin në Prokurorinë e Tiranës pavarësisht se ishin në varësi të policisë, tashmë janë rikthyer në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku kanë marrë detyra në sektorë të ndryshëm sipas vendeve të lira në organikë. E njëjta gjë ka ndodhur me të gjithë hetuesit e policisë, që ishin vendosur prej vitesh në Prokuroritë e të gjitha rretheve të vendit. Në këtë mënyrë, duke nisur nga muaji shtator, hetimi i dosjeve penale do të bëhet në polici, ndërsa prokurorët do të kenë vetëm të drejtën e kontrollit të hetimit dhe verifikimit të ligjshmërisë së veprimeve procedurale të hetuesve të policisë për zbulimin dhe mbledhjen e provave mbi krimet dhe veprat penale. Edhe pse në dukje, “reforma” pritet të ketë rezultatet e saj, largimi masiv i oficerëve nga Prokuroria ka krijuar grupin e madh të atyre që kanë mbetur të pakënaqur. Pjesa më e madhe e oficerëve kanë pësuar rënie në gradë për shkak të ligjit dhe skemës së re që u aplikua së fundi në hierarkinë e policisë. Pakënaqësia e oficerëve të larguar nga Prokuroria, madje rebelimi i tyre ka ardhur prej shkakut se pas rikthimit në polici, jo të gjithë ata janë të kënaqur me detyrat që kanë marrë ndërsa pretendojnë se janë emëruar në sektorë të ndryshëm të hetimit nga ata për të cilët ishin arsimuar dhe trajnuar prej vitesh. Për shembull, hetuesit e sektorit të vrasjeve dhe krimeve kundër personit, apo ata të krimit ekonomik në Prokurori, kanë përfunduar në sektorin e hetimit të vjedhjeve me dhunë apo në zyrën e hetimit të krimeve kundër të miturve.

Urdhri: Hetimet e dosjeve bëhen në polici

TIRANE – Në fillim të muajit shtator në fushën e hetimeve penale në Shqipëri pritet të ketë një ndryshim drastik. Ndryshe nga më parë, hetimet penale tashmë nuk do të bëhen në Prokurori, por gjithçka do të kryhet në polici. Në këtë mënyrë do të marrë fund paraqitja e dëshmitarëve në organin e akuzës apo edhe prania e prokurorëve në kryerjen e veprimeve rutinë të hetimit. Tashmë detyrimi për ekzekutimin e të gjitha veprimeve ligjore për mbledhjen e provave penale i ka kaluar oficerëve të policisë të vendosur në drejtoritë dhe komisariatet përkatëse. Sipas memorandumit të nënshkruar në mars mes kryeprokurores Ina Rama dhe ministrit të Brendshëm Nishani, prokurorët do të kenë të drejtë një herë në muaj që të thërrasin oficerët e policisë në raport për të ndjekur dhe kontrolluar ecurinë e hetimeve mbi dosjet penale. Nga ana tjetër nëse një prokuror vendos mbylljen e dosjeve penale apo pushimin e hetimeve, oficerëve të policisë u është dhënë e drejta të ankohen tek eprorët që kanë mbyllur dosjet duke paraqitur argumentet e tyre kundër vendimeve të marra nga prokurorët.
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›