Mjedisi, "Kurum" investon 11 milionë USD
Kompania turke KURUM, po investon seriozisht në projektin e saj më të ri, i cili synon përmirësimin e mjedisit gjatë aktivitetit të prodhimit të çeliqeve në Elbasan.Sipas një njoftimi për shtyp të kompanisë, ky projekt, i pari në llojin e vet në Shqipëri, po ndërtohet në përputhje të plotë me standardet dhe kërkesat e BE-së. Investimet në këtë fushë kanë nisur që prej vitit 2003, ato kapin vlerën 11 milionë USD dhe kanë vijuar gjatë gjithë kësaj periudhe për të minimizuar në maksimum ndotjen e mjedisit në Elbasan. Tashmë është arritur në fazën përfundimtare të këtyre investimeve, ndërsa drejtues të KURUM thonë se ky implementim po realizohet nga kompani inxhinierike italiane dhe turke, të specializuara në këtë fushë. Sipas tyre, nuk mungojnë vështirësitë teknike gjatë zbatimit të projektit të ndarë në faza, pasi është nevojitur të bëhen punime civile shtesë në ndërtesa. Specialistët theksojnë se faktori kryesor i ndotjes së mjedisit është cilësia e skrapit, ndërsa e vetmja rrugë për përmirësimin radikal të parametrave të mjedisit gjatë ushtrimit të aktivitetit të prodhimit të çeliqeve, është përpunimi paraprak i skrapeve nëpërmjet instalimit të një impianti të përpunimit të skrapit.