E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkonin në Greqi, kapen 260 klandestinë

Operacion treditor i Policisë Kufitare shqiptare dhe greke, ndalon 260 klandestinë, që po tentonin kalimin ilegal të kufirit. 

Dashamir Biçaku

Policia shqiptare ndaloi edhe dy persona duke parandaluar trafikimin e dy vajzave, për qëllime prostitucioni. Ky ka qenë bilanci i operacionit të përbashkët të zhvilluar nga Policia Kufitare shqiptare dhe ajo greke përgjatë vijës kufitare nga Korça në Sarandë. Të dhënat janë bërë publike dje nga Policia e Shtetit, e cila tha se gjatë tri ditëve të operacionit, 19-21 gusht 2008, janë ndaluar 260 persona në tentativë për të kaluar kufirin shqiptar në drejtim të Greqisë. Operacioni i fundit ka nisur më 19 gusht dhe ka zgjatur deri më 21 gusht. Aksioni filloi pas një takimi të organizuar mes palëve, të cilat kanë analizuar problematikën e vërejtur me klandestinët duke vendosur të bëjnë një krehje të kufirit në dy anët e tij. Ky veprim sipas burimeve të Policisë së Shtetit, ka pasur qëllim goditjen e rasteve të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe të klandestinëve nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Kontrollet e policisë kanë pasur qëllim edhe goditjen e veprimtarive kriminale të trafiqeve të tjera të paligjshme, si droga apo kontrabanda e mallrave. Përfundimi i operacionit në vijën kufitare të Gjirokastrës ka sjellë si rezultat ndalimin e 53 personave, të cilët u kapën në tentativë për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, në drejtim të Greqisë. Një person është proceduar penalisht nga policia për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërsa një tjetër është proceduar për falsifikim të dokumenteve, vulave dhe stampave, që përdoreshin nga klandestinë të ndryshëm. Policia Kufitare e Vlorës që përfshin edhe komisariatin e Sarandës, gjatë operacionit antitrafik ka bllokuar 115 persona që po tentonin të kalonin në Greqi. Në Sarandë, Policia Kufitare ka zbuluar edhe dy femra, të cilat po tentohej të trafikoheshin jashtë vendit për qëllime prostitucioni. E para sipas policisë, ishte një vajzë, e cila ishte shfrytëzuar më parë për prostitucion. Ajo kishte braktisur një qendër të rehabilitimit të viktimave të trafikut dhe ndodhej përballë rrezikut të ritrafikimit. E dyta, ishte kapur nga policia ndërsa gjatë verifikimit ishte zbuluar se ajo ishte larguar nga banesa pa dijeninë e familjes së saj. Në pjesën tjetër të kufirit, në territorin e Policisë Kufitare të Korçës, policia ka ndaluar në tentativë për kalim të kufirit 91 persona përgjatë tri ditëve të operacionit. Edhe policia greke, e cila ka bërë patrullime në anën tjetër të kufirit ka realizuar kapjen e dhjetëra klandestinëve, që kishin arritur të hynin në Greqi.

Operacioni

• 53 persona të kapur në vijën kufitare të Gjirokastrës
• 116 persona të kapur në vijën kufitare të Sarandës
• 91 persona të kapur në vijën kufitare të Korçës
• 2 femra të kapura gjatë tentativës së trafikimit
• 2 persona në hetim për trafik klandestinësh dhe falsifikime
• 3 operacione të përbashkëta të këtij lloji gjatë vitit

Nako: Këtë vit, 2 mijë klandestinë më pak

TIRANE - Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Policinë Kufitare dhe Migracionin, Pëllumb Nako, tha dje për gazetën “Panorama”, se operacioni i fundit që ndaloi 260 klandestinë, është një veprim periodik që ka nisur të kryhet falë bashkëpunimit të Policisë Kufitare të Shqipërisë dhe strukturave të kufirit të policisë greke. Nako pohoi dje nga Kakavija ku ndodhej në aksion, se operacioni po kryhej me qëllim, goditjen e fenomenit të kalimit të paligjshëm të kufirit, si dhe goditjen e elementëve kriminalë që mund të shfrytëzojnë një situatë të tillë. Ky është operacioni i tretë i këtij lloji mes dy palëve. Shifrat e klandestinëve të evidentuar në tentativë për të kaluar kufirin sipas Nakos, janë nga 1600-2000 persona më pak në muaj në krahasim me vitin e kaluar. Sipas Nakos në mënyrë të herë pas hershme krerët e policisë lokale të kufirit, si ajo shqiptare dhe greke, kanë vijuar takimet e tyre përpara nisjes së krehjes së kufirit. “Pala greke ka kryer kontrolle në një pjesë të kufirit në një segment të caktuar, ndërsa ne kemi kryer kontrolle në një vijë tjetër, të cilën nuk mund ta kontrollonin grekët”. Sipas Nakos, këto operacione do të vijojnë të kryhen edhe në vazhdim ndërsa nuk janë vërejtur raste të trafikimit të lëndëve narkotike. Kreu i Kufirit dhe Migracionit, pohoi se kthimi i emigrantëve shqiptarë në drejtim të vendeve të tyre të punës në Greqi, ka vazhduar me ritme të larta, pavarësisht ngarkesës po kaq të lartë që ka pasur sipas tij në kufi.             d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›