E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria nis hetimet për legalizimet, Shabanit ia nxjerr të palarat ish- zëvendësi i tij

Share

Njësia task-force e Prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimet për abuzime me legalizimet e ndërtimeve pa leje në Drejtorinë e Përgjithshme te Legalizimeve. Hetimet nisën pas kallëzimeve që ka depozituar në organin e akuzës ish zv/drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, Sokol Hasani. Ai akuzon për shpërdorim detyre 6 punonjës të këtij institucioni, përfshirë edhe ish kreun Shaban Memia. Hasani ka rrëfyer për Vizion Plus skemën e manipulimeve që ka zbuluar, duke pretenduar madje se lirimi i tij nga puna ka ardhur pas denoncimeve që ka bërë në kryeministri për këtë fenomen. Burime nga Prokuroria pohuan për Vizion Plus se kallëzimet penale janë bërë para një muaji dhe aktualisht po verifikohen tre objekte për të cilat Hasani pretendon se janë bërë shkelje disa milionëshe. Nëse nga verifikimi vërtetohen pretendimet e tij, Prokuroria do të vendosë nën hetim edhe personat e implikuar në to. Në intervistën për Vizion Plus Hasani pretendon se gjatë punës së tij më shumë se njëvjeçare në postin e zv/drejtorit të përgjithshëm, kishte vënë re një sërë manipulimesh me legalizimin e ndërtimeve pa leje. Ai thotë se kishte vënë në dijeni eprorin e tij për shkeljet që kishte kapur e më pas edhe kryeministrin Berisha përmes disa letrave zyrtare. Por pas kësaj sage denoncimesh, Sokol Hasani është liruar nga detyra, e pak ditë më vonë iu drejtua Prokurorisë së Tiranës me kallëzime penale. Sipas tij, pas gjithë skemës se legalizimeve fshihet një skandal me përmasa të mëdha dhe dëme ndaj buxhetit të shtetit në shifra të konsiderueshme. Ky skandal vjen në një kohe ku sipas raportit të një viti më parë të Bankës Botërore, procesi i legalizimeve, nuk ka arritur ende në shifrën e 2% të realizimit te tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›