Topi niset për në Britani, do mbajë fjalim në Cambridge. Savage: Studentët shqiptarë, ndër më të mirët
Presidenti Bamir Topi është nisur për një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, me ftesë të Presidentit të Cambridge Union Society, zotit Majkëll Blek.
Gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi do të njihet nga afër me historikun e themelimit të Unionit Cambridge Union Society, nga më të vjetrit dhe më prestigjiozët në botën akademike dhe njëkohësisht njërës prej organizatave më të gjera studentore të Universitetit të Kembrixhit. Në auditorët e këtij universiteti kanë mbajtur ligjërata në periudha delikate e të rëndësishme historike të vendeve tyre, disa prej udhëheqësve e politikanëve më të shquar, që nga Kryeministri britanik Uinston Çurçill dhe Presidenti amerikan Ruzvelt gjatë Luftës së Dytë Botërore, Presidenti amerikan Regan në fund të Luftës së Ftohtë, në vitin 1990, Kancelari Helmut Kohl menjëherë pas ribashkimit të Gjermanisë, Dalai Lama për pavarësinë e Tibetit dhe kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut, Leh Valesa, udhëheqësi i Lëvizjes Solidarnosh dhe ish-presidenti i Polonisë, e deri së fundmi Presidenti i parë i zgjedhur i Irakut, Xhalal Talabani, mbi shpresën e tij për të ardhmen e vendit. Gjithashtu, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, si i ftuar i veçantë i Cambridge Union Society, do të mbajë një ligjëratë të rëndësishme për situatën aktuale në Shqipëri dhe në rajonin e Evropës Juglindore. Kreu i Shtetit shqiptar pritet të ketë edhe një takim me bashkësinë shqiptare në Londër, thuhet në njoftimin e presidencës.
Ndërkohë në një njoftim të Cambridge Neës thuhet se drejtuesi i CATS College, Dr. Kevin Savage, ka deklaruar se studentët shqiptarë aty janë ambasadorët më të mirë. Shqiptarët e rinj, që ne kemi mirëpritur në Cambridge janë ambasadorë të shkëlqyer të vendit tuaj, punojnë shumë, janë shumë të motivuar dhe studentë të suksesshëm, tha ai.