Reforma, verifikim elektronik kartave të identitetit

Komisioni i Reformës Zgjedhore
Komisioni i Reformës Zgjedhore do të miratojë sot një nga katër kapitujt më të rëndësishëm të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me procesin e votimit. Pas vendosjes së sistemit elektronik në numërimin e votave, edhe kontrolli i kartave të identitetit do të bëhet në rrugë elektronike. Në pikën 1 të nenit 100/1, thuhet se: Me qëllim verifikimin dhe regjistrimin e pjesëmarrjes së zgjedhësve në ditën e votimit ngrihet sistemi elektronik i integruar për verifikimin dhe regjistrimin e pjesëmarrjes së zgjedhësve në votim. Zgjidhja teknike duhet të integrojë të gjitha elementet e nevojshme, përfshirë pajisjet, programet, licencat ose certifikatat përkatëse, për të garantuar siguri dhe thjeshtësi në përdorim. Karakteristikat teknike të sistemit, pajisjeve dhe procedurat e funksionimit të teknologjisë përcaktohen me akt normativ të KQZ-së. Sipas propozimit të ekspertëve të dy partive, pajisja elektronike që do të verifikojë kartat e identitetit do të regjistrojnë automatikisht informacionin, ndërkohë që për të ruajtur fshehtësinë e votës, regjistrimi i të dhënave nuk do të bëhet në rend kronologjik. Ekspertët kanë parashikuar gjithashtu se në rastet kur pajisja nuk do të funksionojë, votimi do të zhvillohet normalisht, duke vendosur shënimin për votuesin në listën e zgjedhësve. PS-ja ka kërkuar që dy dokumentet që do të përdoren ditën e votimit të jetë karta e identitetit dhe pasaporta biometrike. Pasaporta duhet të jetë biometrike, pasi pasaportat e vjetra kanë dalë jashtë përdorimit me VKM në vitin 2012, si dhe nuk lexohen elektronikisht. Përdorimi i tyre krijon konfuzion te votuesit dhe e bën sistemin pa asnjë vlerë, thuhet në shënimet e PS-së për këtë pikë të Kodit.