E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria nis procedimin penal ndaj Kreshnik Spahiut, rrezikon nga 6 muaj deri në 7 vite burg

16-03-2012 / Gazeta 55

Ish nënkryetari i KLD-së akuzohet për shpërdorim detyre dhe për veprime arbitrare

Task Forca e Prokurorisë së Tiranës ka nisur procedimin penal për Kreshnik Spahiun. Burime konfidenciale nga organi i akuzës bëjnë të ditur se Task Forca ka nisur hetimet ndaj Spahiut për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Procedimi penal mësohet të ketë nisur pas dorëzimit të relacionit në prokurorinë e Tiranës nga ana e kreut të Komisionit Hetimor Parlamentar Enkelejd Alibeaj. Sipas raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar ish-nënkryetari i KLD-së, akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, duke devijuar nga institucioni kushtetues. Po ashtu Spahiu akuzohet për dëmtimin e procesit të Censusit dhe për largimi nga puna pa leje, që sipas komisionit ka ndodhur në 15 raste. Spahiu është akuzuar se ka shpërdoruar fonde të KLD-së për zhvillimin e fushatave politike dhe që nuk kanë të bëjnë aspak me funksionet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
“Neni 248 i Kodit Penal thotë që kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përben mos përmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i sjell atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo-materiale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në 5 vjet dhe me gjobë nga treqind deri në një milion lekë.
Ndërkohë neni 250 thotë që kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare,nga ana e punonjësit shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose deri në 7 vite burg.
Kështu sipas këtyre dy neneve, Kreshnik Spahiu rrezikon të dënohet nga 6 muaj deri në 7 vite burg për shpërdorim detyre dhe për veprime arbitrare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›