E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, një lojë me "oraret" e hetimit

Prej disa ditësh, prokuroria shqiptare është vënë në qendër të debateve politike e publike, si pasojë e përpjekjeve të mazhorancës për të miratuar nxitimthi ligjin për pastërtinë e figurës, i cili pritet të lërë jashtë zyrave edhe disa gjykatës e prokurorë. Kryeministri Berisha nuk u kujdes fare ta fshehë entuziazmin për "dëbimin" edhe të një prokurori, Zamir Shtylla, i cili sipas tij ka qenë një ndër inkuizitorët në regjimin komunist por që tani drejton grupin e prokurorëve që hetojnë çështjen e Gërdecit dhe skandalit të trafikut të fishekëve mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë së amerikanit, Efrahim Diveroli. Por jo vetëm kaq, prokuroria është bërë molla e sherrit politik edhe për çështjen e rrugës Rrëshen - Kalimash, ku është vënë nën akuzë edhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Pas një serie padish e vendimesh gjyqësore, Basha është tashmë nën akuzë nga prokuroria e pa akuzë nga gjykata, pasi Fatmira Hajdari zhvlerësoi veprimet e prokurorisë pas datës 6 nëntor, afati zyrtar i përfundimit të hetimeve. Të dy kampet politike janë vënë në garë. Mazhoranca e akuzon prokurorinë si vegël të Partisë Socialiste, edhe pse është absurde të besosh që një prokurore e emëruar nga një President demokrat dhe e bekuar nga një Kryeministër demokrat, të jetë vegël e opozitës socialiste. Ndërsa opozita nuk lë pod pa shfrytëzuar për të denoncuar presionin që po i bën qeveria prokurorisë, për të mos hetuar korrupsionin.
Me ardhjen e zonjës Ina Rama në krye të prokurorisë, besuam dhe shpresuam gjerësisht për një impuls të ri të luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, ndaj dhe ofruam gjerësisht një mbështetje për të. Mediat në kor u bashkuan për t‘i dhënë asaj suportin moral të nevojshëm, edhe për faktin se është e para grua në krye të organit të akuzës, një grua që do të duhej të vinte pak rregull në folenë e grerëzave.
Por, deri tani, për fat të keq, ne nuk kemi parë një impuls të ri të të bërit drejtësi, por po shikojmë një institucion qaraman që nuk lë vend pa u ankuar se nuk po e lënë të qetë. Në ndihmë të saj është vënë edhe opozita, e cila para çdo mikrofoni vajton vazhdimisht presionin që po i bëhet këtij organi.
Do të ishte naivitet i madh që të besohej se prokuroria do të jetë fare e qetë të bëjë punën e saj. Kjo, pasi prokurorët janë nëpunës të shtetit që hetojnë kriminelë, zyrtarë të korruptuar, trafikantë, mashtrues, ministra e kryeministra, pra ata fusin njerëz në burg dhe burgun askush nuk e pëlqen. Pikërisht për këtë arsye, mes tyre dhe pushtetit nuk ka kurrë paqe dhe mirëkuptim. Po për këtë arsye, ata e dinë fare mirë se rruga e tyre nuk është e shtruar me dafina, por përkundrazi e mbushur edhe me rreziqe. Prokurorët nuk janë yjet e Hollivudit, të cilëve u shtrohen tapetet e kuq kur ecin, u merren autografe, u bëhen fotografi dhe ftohen të pozojnë para kamerave. Jo, prokurorët janë ushtarë të shtetit, janë skaljoni i parë i armatës që lufton për të bërë drejtësi. E përderisa flitet për një luftë në emër të drejtësisë, ata duhet të sillen si ushtarë e jo si femra delikate pasarelash. Mos vallë Ina Rama mendonte se Sali Berisha do ta thërriste në mbledhjen e kabinetit të tij dhe do t‘i thoshte të vinte gishtin e të dërgonte në burg të gjithë ministrat e tij që janë të korruptuar? A nuk ishte Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ai që bëri lëmsh drejtësinë e vendit të tij dhe miratoi ligje që i ndaluan gjykatës të vazhdojë proceset që ishin hapur kundër tij për korrupsion? Por një javë më parë, policia dhe prokuroria atje arrestuan 99 mafiozë, që po rithemelonin "Cosa Nostrën", të gjithë njerëz të lidhur me politikën. A mos vallë ka qenë krejt e lirë prokuroria në Shtetet e Bashkuara të hetojë urdhrat e Donald Rumsfeldit për dhunën në Guantanamo, apo kontratat e Diverolit me Pentagonin që tronditën Shtëpinë e Bardhë? Po kështu, a mos vallë është e lirë Prokuroria e Moskës të zbulojë se kush e urdhëroi vrasjen e gazetares Politkovskaya?
Por, përtej qaravitjes për presionet, mund të ngrihen dyshime serioze për një lojë të dyfishtë, e cila nëse do të jenë e vërtetë, do të ishte një krim edhe më i rëndë se vetë krimet që duhet të hetojë ky organ.
Ka arsye serioze për ta besuar këtë. Prokuroria e mbajti afro dy vjet në sirtar dosjen e rrugës Rrëshen - Kalimash dhe u kujtua ta thërrasë Lulzim Bashën për t‘i komunikuar akuzën, ta marrë atë të pandehur e ta dërgojë dosjen në gjykatë, pikërisht pasi hetimit i kishte skaduar afati zyrtar. Detyra e avokatëve është që në një kazan me supë të gjejnë qoftë dhe një mizë, që t‘ia derdhin kuzhinierit te këmbët. Ndërkohë që në kazanin që kishte gatuar prokuroria për Lulzim Bashën kishte jo një, por një koloni insektesh. Normalisht, a nuk duhet të pyesim ne, se përse prokuroria nuk i bëri më herët këto veprime, kur kishte rreth 2 vjet kohë, por priti të kalojë afati e të kërkojë kohë shtesë? Është e vërtetë, se të gjitha veprimet finale, prokuroria i kreu pas datës 6 nëntor, kur kishte dhe një vendim gjykate që i konsideronte të paligjshme këto veprime. Kemi të gjithë të drejtën të dyshojmë se çështja u zvarrit qëllimisht derisa të skadojnë afatet e hetimit dhe të tjerat më pas i rregullojnë avokatët.
E njëjta panoramë është edhe në çështjen e Gërdecit. Në mars bëhet një vit nga shpërthimi tragjik që u mori jetën 26 njerëzve dhe në burg janë vetëm Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji. U konsumuan debate të shumta politike, faqe të tëra gazetash dhe orë të tëra transmetimesh televizive për të bërë presion që deputetit Fatmir Mediu t‘i hiqej imuniteti. Dhe çfarë është bërë gjashtë pas kësaj? Asgjë! Fatmir Mediu e riktheu partinë e tij në qeveri dhe tani bën fushatë elektorale dhe premton se do të luftojë korrupsionin dhe krimin nëse shqiptarët do të votojnë që partia e tij të jetë sërish në pushtet. Edhe në këtë rast, prokuroria ankohej se politika nuk po e lejon ta bëjë drejtësinë, por tashmë duket se po pret që sërish të kalojnë afatet e hetimit për t‘i komunikuar zotit Mediu ndonjë akuzë, që më pas edhe avokatët e tij të nisin serinë e padi-kundërpadive, për ta dërguar çështjen në muze. Në SHBA, prokurorët nuk hezituan, që brenda vetëm një jave nga zbulimi i skandalit, t‘i vënë prangat dhe t‘i komunikojnë akuzën e shpërdorimit të detyrës guvernatorit të Ilinoisit, mikut të Presidentit të ri, Barak Obama, Rod Blagojevic.
Duke iu referuar ligjit për pastërtinë e figurave zyrtare, përtej dëshirës së Kryeministrit për ta larguar Zamir Shtyllën nga grupi hetimor i Gërdecit, na duket krejt pa vend alarmi, i mbështetur edhe nga opozita, se do të dëmtohen hetimet për këtë çështje. Ky ligj mund të bëjë dëm në institucione, por mbi hetimet e kësaj çështjeje jo. Nëse Zamir Shtylla është i implikuar në procese politike gjatë komunizmit, personalisht nuk do të dëshiroja që të vazhdonte ta bënte ai drejtësinë në këtë vend. Por, mbi të gjitha, ajo çështje nuk ka pse preket, pasi atë e hetojnë një grup prej katër prokurorësh dhe tetë hetuesish, dhe mes tyre ka prokurorë edhe më të zotë se Shtylla, sikundër është Sokol Stojani, të cilit nuk i është rrëzuar asnjë çështje në gjykatë deri tani. Kështu që e gjithë gurguleja ngjan me një alarm të rremë, për të mbuluar paaftësinë, apo me keq, ndoshta një lojë tjetër me "oraret" e hetimit.
Prokurorët i kishin në dorë faktet se si Lulzim Basha kishte përzgjedhur firmën ndërtuese mbi bazën e një VKM-je të miratuar disa javë më pas. Prokurorët i kanë në dorë faktet se si Fatmir Mediu ka hartuar projektligjin pasi Delijorgji kishte themeluar më parë firmën për demontimin e fishekëve, se si Famtir Mediu ka caktuar Gërdecin si vend demontimi, pasi Delijorgji e kishte caktuar atë më parë si "seli" të kompanisë së tij. Por në asnjë rast nuk kanë vepruar.
Në këtë lojë me dy porta, opozita, që vajton presionin ndaj prokurorisë, duket fare jashtë loje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›