E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria nuk “gllabërohet” dot

Konflikti i fundit midis organit të Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, pas një kontrolli të ushtruar nga inspektorët e kësaj të fundit dhe përfshirjes së konkluzioneve në një raport drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, nuk duket i rastit. Nuk duket as si shprehje e përkushtimit të Qeverisë në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Në këto radhë kam përshtypjen që do të ishte e tepërt dhe madje bezdisëse t’i servireshin lexuesit detaje nga polemikat që kanë shpërthyer gjatë ditëve të fundit midis Shoqatës së Prokurorëve dhe Këshillit të Prokurorisë nga njëra anë dhe Ministrisë së Drejtësisë nga ana tjetër, polemika të cilat i kanë bërë publike mediat vizive dhe ato të shkruara. Prandaj, ndoshta do të ishte më mirë që shkurtimisht dhe në mënyrë lakonike të shpjegoheshin sefte dy tiparet e përmendura pak më lart, me të cilat u shfaq një tjetër sherr ndërmjet dy institucioneve kushtetuese të shtetit tonë, i cili vlerësohet nga faktori ndërkombëtar, se gjendet në prag të ndryshimeve të mëdha integruese.
Pra, ky konflikt nuk është i rastit, po të mbahet parasysh që në raportet e tendosura prej disa vitesh midis organit të akuzës dhe pushtetit ekzekutiv janë regjistruar, së paku, edhe dy precedentë të tjerë, që tek e fundit, asnjëri nuk u shoqërua me asnjë kallëzim penal për akuzat e shumta të lakuara prej mazhorancës parlamentare dhe veçanërisht prej kreut të Qeverisë. Ky konflikt nuk duket as si shprehje e përkushtimit të Qeverisë në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, po të kihet ndërmend gëlimi i kriminalitetit të organizuar shtetëror dhe korrupsionit galopant, duke filluar që nga selia e Qeverisë dhe vazhduar te mbrojtja që u bëhet këtyre prirjeve fatale për zhvillimin e vendit nga mazhoranca parlamentare.
Le të mos harrojmë në këtë mes edhe sulmet e ashpra që i ka drejtuar Kryeministri aktual Prokurores së Përgjithshme, qysh me rastin e ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011. Ato sulmet publike, që nuk kursyen edhe sharjet më ordinere dhe me nofkat më të fëlliqura ndaj asaj, që kur iu ofrua posti i kreut të akuzës, vetë ky Kryeministër nuk kurseu lëvdatat me superlativa, nëpërmjet epiteteve simbolike nën emrin e një personazhi artistik të njohur të kinematografisë italiane. Dhe, sipas skenave të parashikuara, në të njëjtin libret caktohet i njëjti njeri, që pasi drejtoi si deputet një komision parlamentar të dështuar rreth gjoja grushtit të shtetit më 21 janar, ku sipas Kryeministrit Berisha na qenkej përfshirë edhe Ina Rama, tani në postin e ministrit të Drejtësisë firmos një raport inspektimi mbi veprimtarinë e Prokurorisë, duke bërë përgjegjëse titullaren e këtij organi të centralizuar, për shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit. Të gjitha këto, më së pari shtrojnë pyetjen, qoftë kjo edhe e përsëritur gjatë gjithë viteve të tranzicionit të zgjatur, jo vetëm në planin ekonomik, por edhe në atë politik dhe juridik: A është Prokuroria një organ i pavarur? Përgjithësisht dhe veçanërisht, me këtë emërtim konsiderohen institucionet politike që në veprimtarinë e tyre nuk duhet të ndikohen, sikurse as të pengohen nga faktorët politikë dhe nga presionet partiake. Një institucion i tillë është edhe Prokuroria, që ka rol shumë të rëndësishëm në luftën kundër kriminalitetit, ndonëse e goditur vazhdimisht në mënyrë ballore dhe specifikisht me ashpërsi zanore. Tendenca e Kuvendit për ta vënë Prokurorinë nën kontrollin e vet u pasqyrua edhe në amendimet që iu bënë Kushtetutës, të miratuara më 21 prill 2008-të. Konkretisht, njëri prej këtyre preku paragrafin 4 të nenit 149, ku thuhej se: “Prokurori i Përgjithshëm informon herë pas here Kuvendin për gjendjen e kriminalitetit”, duke e formuluar: “Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit”. Pra, e qartë është që zëvendësimi i fjalës ‘informon’ me atë ‘raporton’ ka synuar që ndaj organit të akuzës të vendoset një raport varësie.
Por, përmbajtja e një raporti të tillë, sidoqoftë rrëzohet nga dispozita të tjera dhe nga gjithë fryma e vetë Kushtetutës, që përcaktojnë, se prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor dhe që në veprimtarinë e tyre u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve. Gjithashtu, edhe pse sipas nenit 149 është e drejta e Kuvendit që të japë pëlqimin për emërimin e prokurorit të përgjithshëm dhe t’i propozojë Presidentit të Republikës që ta shkarkojë atë, kjo nuk do të thotë që ky funksionar i lartë i shtetit është automatikisht përgjegjës përpara organit të lartë legjislativ. Mbi faktin e mësipërm hedh dritë të plotë Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj nr. 26, datë 22.06.2005, ku theksohej: “Prokurori i përgjithshëm në kuptimin kushtetues nuk ka përgjegjësi politike para Kuvendit”. Sigurisht, këto përcaktime nuk mund t’i kundërshtojë as tani një ministër i Drejtësisë. Vërtet që Prokuroria është organ i pavarur, - u shpreh Eduard Halimi nga një vizitë në burgun e Peqinit, – por jo edhe i pakontrollueshëm.
Që këtej shtrohet pyetja tjetër: Deri ku mund të shtrihet kontrolli i Qeverisë dhe i Kuvendit të Shqipërisë në veprimtarinë e Prokurorisë? Është vlerësuar gjithmonë, se për të kryer sa më mirë funksionin e vet, pa dyshim që ajo duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë me organet e tjera që varen drejtpërdrejt nga Pushteti Ekzekutiv, sidomos me Policinë Gjyqësore. Gjithashtu, bashkëpunimi është i natyrshëm edhe me Ministrinë e Drejtësisë, një përfaqësues i së cilës caktohet si anëtar i Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme. Por, këto nuk nënkuptojnë varësi direkte nga qeveria, pjesëmarrës të së cilës në komisionin parlamentar për hartimin e Kushtetutës e shfaqën haptazi këtë prirje dhe këmbëngulën për t’u sanksionuar kjo varësi në Ligjin Themelor.
Megjithatë, përfundimisht u vendos që organi i akuzës të organizohet i centralizuar dhe të funksionojë pranë sistemit gjyqësor. Pra, ndonëse prokurorët nuk kanë pozitën e gjyqtarëve dhe nuk gëzojnë imunitetin e këtyre të fundit, atyre u është dhënë një mbrojtje juridike, për të shmangur materializimin e ambicieve të Ekzekutivit, si lejimi i kontrolleve të Ministrisë së Drejtësisë, nëpërmjet formulimit më 2001-in të nenit 56 të ligjit “Për prokurorinë”. Këto kontrolle bien ndesh me frymën e Kushtetutës, pavarësisht se ato mund të ushtrohen normalisht në vende të tjera që kanë një tjetër konceptim të vendit të prokurorisë në sistemin e organeve shtetërore si, për shembull, në SHBA, ku ministri i Drejtësisë kryen edhe funksionin e prokurorit të përgjithshëm.
Në këto kushte, ministri i Drejtësisë mund të organizojë kontrolle të inspektorëve të tij për hapjen e dosjeve të prokurorëve, por nuk mund të ndërhyjnë në objektin qendror të veprimtarisë së tyre. Gjithashtu, ministri i Drejtësisë mund t’i dërgojë raportet e tij Kuvendit, që për rrjedhojë ndoshta do të vendoste të ngrinte komision hetimor. Por, siç shprehej Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj me nr. 26 të 2005-ës (përmendur më lart): “Mjetet e kontrollit parlamentar mbi Prokurorinë nuk mund të përdoren asnjëherë si instrumente për të shqyrtuar e vlerësuar vendimet e marra nga ana e prokurorëve për çështje konkrete”.
Të njëjtin theksim e ka vënë Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj me nr. 12, datë 20.05.2008, pra edhe pas ndryshimeve kushtetuese të miratuara një muaj më parë të atij viti, njërin prej të cilëve e cituam më parë. Në atë vendim, që si të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese ka fuqi erga omnes, gjithashtu rikonfirmohet që prokurori i përgjithshëm është drejtues profesional dhe jo politik i Prokurorisë, çka përbën një nga garancitë e pavarësisë profesionale të këtij organi. “Edhe detyrimi për të informuar Kuvendin, – theksonte përsëri Gjykata si në 2005-ën, – nuk do të thotë se pavarësia e drejtuesit apo ajo e institucionit të drejtuar prej tij është e kufizuar”.
Si përfundim, mosmarrëveshja e fundit midis Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë nuk mund të ketë zhvillime të atilla që të bëjnë të mundur “gllabërimin” e organit të akuzës nga Ekzekutivi dhe justifikimin e kërkesës së mazhorancës parlamentare për shkarkimin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Më së shumti, kjo diskordancë e nisur dhe e nxitur drejtpërdrejt prej Qeverisë apo vetë kreut të saj, mbase mund të argumentohet si një shantazh i hapur për moszbardhjen e të gjithë të vërtetës së tragjedive të 21 janarit, të Gërdecit dhe të ca të tjerave të këtij vargu kriminaliteti shtetëror, në përfshirje të të cilit ka zbatues, por edhe urdhërues.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›