E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Në arkën e shtetit, 131 mln dollarë

Nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe, ka akuzuar qeverinë se po fsheh krizën ekonomike

"Në depozitën e qeverisë, në Bankën e Shqipërisë, nga paratë e privatizimit kanë mbetur vetëm 14.7 mld lekë"


Shpenzimet pa kriter gjatë fushatës elektorale, por edhe vetë klima që ka prodhuar kriza ekonomike, e cila ka përfshirë edhe vendin tonë, ka bërë që arka e shtetit të boshatiset. Kjo të paktën sipas Partisë Socialiste, e cila për të disatën herë ka ngritur shqetësimin e saj lidhur me situatën financiare, por edhe rrezikun që i kanoset vendit si pasojë e mungesës së lekëve. Në një dalje të posaçme për mediat, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, ka sjellë fakte që vërtetojnë, sipas tij, të kundërtën e asaj që deklaroi një ditë më parë ministri i Financave Ridvan Bode, se ekonomia shqiptare është e qëndrueshme dhe se ajo është mbrojtur nga të ardhurat e siguruara nga privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore.

Deklarata

Deputeti socialist, Erion Braçe, ka akuzuar dje qeverinë shqiptare, dhe kreun e saj Sali Berisha, se në mënyrë të qëllimshme po u fshehin shqiptarëve të vërtetën që ekziston lidhur me financat e publikut në Shqipëri. Sipas tij, qeveria, në këto momente krize ekonomike, jo vetëm që nuk ka informuar qytetarët mbi gjendjen reale të financave publike, por në mënyrë të vazhdueshme ka fshehur faktin e frikshëm të mungesës së lekëve për likuiditetet.

"Për fat të keq, Kryeministri ynë e ka reduktuar ministrin e Financave në një sekretar të përgjithshëm partie, objekt të teatrit të tij me hope në qeveri, të cilit nuk i jep autoritet as për të vendosur tarifat publike të shkollimit, e jo më të flasë për gjëra më serioze, siç janë të ardhurat, shpenzimet, borxhet, interesat, deficiti, depozitat e qytetarëve, si dhe monedha kombëtare. Për këtë shkak, ministri i Financave zgjodhi dje të na thotë salillëqe, e jo të bëjë transparencë të treguesve fiskalë për 7 muajt e parë të vitit. Ne kemi detyrimin politik ta bëjmë këtë transparencë për çdo shqiptar. Për tre javë u kemi thënë shqiptarëve se arka e shtetit është bosh", - tha Braçe.

Kjo situatë për selinë rozë është krijuar për disa arsye, që kanë të bëjnë si me shpenzimet e pakontrolluara dhe të sforcuara në disa raste gjatë fushatës elektorale, ashtu edhe nga dështimi i qeverisë në mbledhjen e të ardhurave tatimore, por edhe donacionet. "Deri tani qeveria ka përdorur për shpenzimet e saj elektorale në zgjedhjet e 28 qershorit 21.9 mld nga këto para ose 221.3% më shumë se limiti i vendosur me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë", - tha Braçe. Për sa u përket të ardhurave, Braçe ka theksuar se në arkën e shtetit, në vetëm 7 muaj mungojnë 11.8 mld lekë të rinj ose 131 mln dollarë të ardhura, nga të cilat 1.4 mld lekë të rinj ose 15.5 mln dollarë si grante e ndihma dhe 10.7 mld lekë të rinj ose 118.3 mln dollarë si të ardhura tatimore.


Privatizimet

Duke renditur një sërë argumentesh të shoqëruara me shifra konkrete, PS-ja, me anë të Braçes ka evidentuar faktin se edhe karta e qeverisë për t'u mbrojtur nga të ardhurat nga privatizimet po "digjet", pasi lekët e siguruara prej tyre janë drejt fundit, ndërkohë që gjysma e tyre duhet të shkonin për likuidimin e borxhit shtetëror.

"Duke shkelur nenin 8 të ligjit për buxhetin e shtetit, sipas të cilit 50% e të ardhurave nga privatizimi duhet të shkonin për reduktimin e stokut të borxhit, që vazhdon ende të rritet. Në depozitën e qeverisë në BSH, nga paratë e privatizimit kanë mbetur vetëm 14.7 mld lekë, të cilat mjaftojnë vetëm për të mbuluar paratë që mungojnë në arkën e shtetit nga të ardhurat dhe nuk dalin për asnjë shpenzim tjetër nga ato të cilat citoi dje ministri i Financave", - u shpreh Braçe.

Madje, sipas tij, edhe fondi rezervë i qeverisë në 7 muajt e shkuar, është përdorur në masën 98%, pra 1.96 mld lekë dhe në llogaritë e qeverisë kanë mbetur vetëm 38 mln lekë, ndërkohë që është thelluar deficiti buxhetor, e veçanërisht i huaj, i cili për socialistët ka kaluar në 831%. "Pra, edhe ky tregues bën të qartë se arka e shtetit është bosh dhe nuk ka gjasë të mbushet as për 5 muajt që vijnë, të cilët do të jenë edhe më të vështirë se kaq. Madje, as prania e bëshme e deklaruar si shpëtuese e njeriut antikrizë, Ilir Meta, në qeveri, mund të mbushë e plotësojë boshllëkun politik për Sali Berishën, por kurrsesi nuk mund të mbushë arkën bosh të shtetit", - tha Braçe.

Faktet

Në arkën e shtetit në vetëm 7 muaj mungojnë

-11.8 mld lekë të reja/ 131 mln dollarë të ardhura.

-1.4 mld lekë të reja/ 15.5 mln dollarë si grante e ndihma.

-10.7 mld lekë të reja/ 118.3 mln dollarë si të ardhura tatimore.

Mungesa e parave në arkën e shtetit nga qershori në korrik është thelluar:

Në të ardhurat gjithsej nga 11.1 mld lekë të reja në 11.8 mld lekë të reja.

Në të ardhurat tatimore nga 9.8 mld lekë të reja në 10.7 mld lekë të reja

-Qeveria ka përdorur për shpenzimet e saj elektorale në zgjedhjet e 28 qershorit 21.9 mld nga këto para ose 221.3% më shumë se limiti i vendosur me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.

-Në depozitën e qeverisë në BSH nga paratë e privatizimit kanë mbetur vetëm 14.7 mld lekë

-Deficitin buxhetor, e veçanërisht ai i huaj, ka kaluar planin në 831%.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›