Vrasja në Tiranë, hetim mjekëve për mjekim të gabuar
TIRANË- Prokuroria e Tiranës sekuestron kartelën mjekësore të 25- vjeçarit Ferdinant Gjata, i cili vdiq nga një plumb në bark në duart e mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet pesë ditë më parë. Ai ishte plagosur pa dashje nga shoku i tij Shemsi Shaljani. Ky fakt u konfirmua paraditen e djeshme në gjykatë. Sipas prokurorisë, i pandehuri Shaljani e ka kryer vrasjen aksidentalisht, gjatë tentimit të hapjes së pistoletës që mendohej se nuk punonte. Por, pas tërheqjes së këmbëzës plumbi i shkrepur e ka goditur Gjatën në bark ku menjëherë është transportuar për në Spital nga vetë Shaljani. Në QSUT, i pandehuri e ka dërguar me makinën e tij Gjatën i cili ishte në gjendje edhe të ecte, ku pas shtrimit në Spital mjeku roje i ka konfirmuar Shaljanit se “gjendja e tij është normalizuar” dhe çuditërisht pas pak minutash ai ka ndërruar jetë. Sipas akuzës, të gjitha këto fakte janë dëshmuar nga i pandehuri Shaljani i cili ka konfirmuar se gjendja e tij ishte normale por dyshonte se mjekët roje të Spitalit nr. 2 nuk kanë kryer mjekimin e duhur.
“Me marrjen e dëshmisë së shtetasit Shemsi Shaljani, është urdhëruar sekuestrimi i kartelës mjekësore të 25 vjeçarit Ferdinant Gjata pasi dyshohet se mjekët roje të 26 nëntorit në Spitalin nr. 2 nuk kanë ndërhyrë në momentin e duhur duke neglizhuar gjendjen e tij shëndetësore. Dyshohet se vdekja e Gjatës ka ardhur pasi nuk është ndërhyrë në momentin e duhur, duke lënë të riun pa mjekim dhe ndërhyrje kirurgjikale”- thuhet nga akuza, të cilët dyshojnë se në këtë rast mjekët kujdestarë kanë kryer veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”. Ndërkohë, vetë i riu Shaljani në seancën e djeshme gjyqësore nuk ka folur asnjë fjalë, pasi dukej qartë se ndodhej në një gjendje të rëndë depresive, pasi sipas akuzës, ka tentuar të kryejë edhe vetëvrasje me prerjen e damarëve të duarve gjatë një momenti kur i ka shpëtuar syve të policisë brenda ambienteve të paraburgimit. Gjithashtu, gjatë seancës së djeshme gjyqësore, prokurori Ervin Karanxha pas kërkesës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 25- vjeçarin Shaljani ka kërkuar nga gjykata të ndërhyjë pranë Drejtorisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore për kryerjen e një ekzaminimi psikik të të riut Shaljani, pasi është kërkuar me anë të dy shkresave kjo drejtori dhe nuk kanë marrë asnjë veprim konkret ndaj të pandehurit. Mësohet se për të qetësuar gjendjen e tij të rëndë mendore pas kryerjes së këtij akti nga pakujdesia, të riut i janë dhënë disa tableta qetësues për të mos përsëritur tentimin për vetëvrasje. Ndërkaq, po dje, avokati mbrojtës i të riut Shaljani, kërkoi nga gjykata të lirojë nga qelia të pandehurin duke i caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për shkak të gjendjes së tij pendese dhe se vrasja është kryer nga pakujdesia. Por, gjyqtarja Fatmira Hajdari i kërkoi palës mbrojtëse një deklaratë të familjes së 22 -vjeçarit Gjata të cilët e falin për krimin e kryer nga i pandehuri, por kjo gjë ka qenë e pamundur të sigurohet nga familja e të pandehurit pasi familjarët e viktimës ndodhen në një gjendje të mirë shpirtërore. Pas këtyre pretendimeve dhe debateve gjyqësore, gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e akuzës, duke e lënë në qeli të riun Shaljani deri në përfundim të hetimeve me masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas prokurorisë, vrasja ka ndodhur në mënyrë aksidentale gjatë lojës që bënin me një pistoletë të tipit TT që mendonin se nuk punonte. Në një moment është tërhequr këmbëza e pistoletës pa dashje dhe plumbi i shkrepur e ka qëlluar në bark shtetasin Ferdinant Gjata. Pas plagosjes i riu Shaljani e ka dërguar vetë në Spitalin nr. 2 të QSUT-së të riun Gjata duke ecur në këmbët e tij, dhe në komunikim me familjarët është dorëzuar në polici bashkë me armën e krimit.