ZMQ-Kuvendit: Të ndëshkohen zyrtarët e korruptuar
Në ditën ndërkombëtare të gruas, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve i ka dërguar një mesazh Kuvendit të Shqipërisë. ZMQ i bën apel Kuvendit për dhunën ndaj grave në vendin tonë dhe ka kërkuar që të gjithë zyrtarët e korruptuar e maniakët seksualë të veshur me pushtet, të marrin ndëshkimin e merituar. "Administrata vuan nga ryshfeti seksual dhe zyrtarët e përlyer duhet të ndëshkohen", thuhet në mesazh. ZMQ i kërkon Parlamentit që me një zë të fortë dhe të qartë të dëshmojë se dhuna ndaj femrës nuk do të tolerohet në çdo formë që të shfaqet, në çdo rrethanë dhe në çdo vend. "Askush nuk qëndron dhe nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin. Rasti i ish ministrit Pango dëshmon se ligji për shërbimin civil ka mbetur vetëm në letër", deklaroi ZMQ. "Statusi i Shërbimit Civil ende mbetet një fiksion dhe konkurrenca për një vend pune mbetet i centralizuar, si dhe jo mbi kritere profesionale". Deklarata e ZMQ vijon më tej me shprehjet se, 8 Marsi është dita për të uruar nënën, gruan e vajzën shqiptare, por edhe dita e reflektimit me fjalë dhe vepra. "Në mënyrë që barazia e femrës në shoqërinë shqiptare të mos mbetet vetëm slogan, është dita që kuotat e pjesëmarrjes së grave në jetën politike të mos mbeten vetëm retorikë", përfundon mesazhin institucioni në mbrojtje të qytetarëve.