E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhgënjehen të dënuarat e burgut 325

Dita e shënuar, 8 Marsi, është festuar edhe nga gratë e dënuara në burgun "Ali Demi" në kryeqytet. Ato janë përpjekur që të shijojnë një ditë ndryshe nga rutina e përditshme, që ofron jeta në izolim dhe e rrethuar nga hekurat. Por, sërish zhgënjimi i ka pushtuar edhe në këtë ditë, që për shumë gra dhe vajza të tjera ka qenë burim gëzimi dhe argëtimi. Ndërsa prisnin një falje, ato janë përballur me heshtje.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka organizuar një festë për të dënuarat, duke u sjellë atyre fëmijët për t‘i takuar. Ndërkohë që grave të dënuara u janë shpërndarë lule. Në këtë festë të organizuar ishte e pranishme edhe aktorja Tinka Kurti, e cila interpretoi një poezi për të dënuarat. Aktorja e mirënjohur e skenës shqiptare është përpjekur që t‘i flasë të dënuarave të 325-ës me dhembshuri, si dhe duke u dhënë kurajo që të bëhen të forta për të përballuar jetën pas hekurave.

Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, i pranishëm në këtë aktivitet, pohoi se me hyrjen në fuqi të ligjit për dënimet alternative, pritet të përfitojnë 84 gra, emrat e të cilave po shqyrtohen dhe së shpejti ato do të përfitojnë shërbimin e provës.

Megjithatë, shumë prej të burgosurave prapa hekurave të 325-ës janë shprehur të zhgënjyera, pasi ato kanë pritur tjetër gjë në këtë ditë. Njëra prej tyre rrëfehet duke thënë se për 8 marsin kishte menduar se Presidenti do të shpallte ndonjë amnisti për femrat që vuajnë dënimin në këtë burg, por duket se kjo dëshirë nuk mundi të realizohej në këtë 8 mars. Nga ana tjetër, nënat që qëndrojnë të mbyllura për të shlyer fajet e tyre, në këtë qendër të kryerjes së dënimeve, janë shprehur plot mall dhe keqardhje për mungesën e madhe që ndjejnë për fëmijët e tyre.

Shumë nga të dënuarat në këtë qendër, janë të moshave të thyera. Ato vuajnë faje, të cilat nuk i kanë kryer si trafikim i lëndëve narkotike. Kjo për shkak se kanë marrë përsipër fajet e kryera nga familjarët dhe për këtë arsye detyrohen të kalojnë vite të tëra pas hekurave. Ndërsa, mbushin statistikat policore me "suksese" në luftën kundër trafikut të drogës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›