E Shtunë, 31 Tetor 2026

Proletarët e lumtur të 1 Majit!

Blerina Rogova - Gaxha

-Megjithëse Një Maji, ka një tjetër histori që nuk lidhet me sheshet e kuqe të "perandorisë komuniste", neve na është fiksuar vetëm përmes paradave në këto sheshe, si një festë ku dikush kërkon një të drejtë të tij "proletare". Perandoria komuniste kishte arritur që 1 Majin ta shndërronte në "festë të kujtimit të keq" për një kohë të "kapitalistëve të ndyrë", por që në "parajsën komuniste" asgjë nuk ishte si dikur! Festa e hipokrizisë komuniste, për çudi është shpërfytyruar më shumë në vitet e "demokracisë sociale"! Në vendet normale, siç janë Londra ose Berlini, Madridi ose Parisi... ka kohë që kjo datë nuk është kurrfarë feste, por është shndërruar në manifestim të "dhunshëm" kundër shtetit e politikave të tij, të mijëra njerëzve që punojnë për hesap të shtetit e që kërkojnë drejtësi. Vetëm shqiptarët pushojnë e nuk dinë pse pushojnë, kremtojnë e nuk dinë pse kremtojnë...!

Socialistë e komunistë, anarkistë e demokratë, politikanë e deputetë të mëdhenj e të vegjël, të rritur e të fëmijë, kanë mësyrë drejt "qejfit" të 1 Majit. Janë më shumë se 80 shtete në të cilat 1 Maji është ditë pushimi, dhe plot të tjera, në të cilat kjo ditë festohet jozyrtarisht. Republika e Kinës, Korea e Veriut dhe Bashkimi i dikurshëm Sovjetik e kanë konsideruar atë festë të rëndësisë së madhe, sigurisht se këtu hyn edhe Shqipëria, shtete këto që kanë shtruar paradë ushtarake e popullore. Për gjithë vitet, në të cilat hetueshëm ose pahetueshëm, kemi qenë komunistë të përbetuar, me hatër o me zor, pushtetarët e atëhershëm ose më saktë diktatorët e dikurshëm, kanë proklamuar ditën e parë të majit, duke e shpallur festë të trashëgimisë sonë e të sistemeve që i trashëguan. Mund t’i kujtohen secilit ushtarët e kuq, ose ngjyra e kuqe, që më s’i ngjan askujt, dhe diktatorin e kuq në krye, i cili bën thirrje për vazhdimësinë e progresit të tij.

Mund t’i kujtohen secilit paradat e pafundme që i kemi përcjellë në televizor ose ato të pafundmet në të cilat kanë ecur vetë. Prej asaj kohe deri në ditët e sotme, në hapësirën kohore prej më shumë se njëzet vjetësh, pushtetarët e sotëm me shumë se sa thirrje bëjnë premtime për progres, drejtësi e barazi. Çështjet kanë evoluar, sistemet kanë rënë, por parimi i barazisë, për të gjithë mbetet i pandryshuar... Nëse do të ishim si atëherë kur mbanim shami të kuqe në shkollë, do të duhej t’i besonim, o me hatër o me zor. Sot, mbase do të duhej t’i besojmë, së paku për të qenë më optimistë e për t’i ndërruar muhabetet e kafeve, nëse hyjmë e luajmë në lojën e tyre të propagandës. Vendi i zhytur në skamje, i zaptuar e i dhunuar, ka mundësi që së shpejti të shpallet edhe si një ndër vendet më të zhvilluara. Propaganda e pafytyrë mund të jetë përpjekje e shkëlqyer për ta shpërfytyruar popullin "shqiptar të paepur e proletar"! Është e çuditshme kur ka festë e goja s'ta qet të thuash "gëzuar"!

Marrë me shkurtime nga gazeta "Zëri"


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›