E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu-Berisha, fije që (nuk) priten

Arben Rrozhani

-Lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit me një parti që nuk arriti ta bëjë dhe me një kauzë që nuk vlen më. Turma mjerane e “1 milion” protestuesve, që i sjellin dhe i kthejnë sërish në shtëpitë e tyre autobusët e parkuar në Laprakë, nuk e rrëzoi Sali Berishën as më 1 maj, ditën kur ishte paralajmëruar i ashtuquajturi miting madhështor. Fundi i Sali Berishës do të vijë një ditë, por jo nga Kreshnik Spahiu, jo vetëm për faktin se ai nuk i ka ato këllqe, apo se pas ka më së shumti 1600 pasagjerë të lodhur autobusi, por se Spahiu asnjëherë nuk ka qenë një anti-berishist. Ai e ka prej Berishës librezën e punës, daljen të papunë (pas aferave korruptive), punoi për të edhe në ditët më të zeza të anti-demokratizimit të vendit, luftoi për të kur ishte në opozitë, u shpërblye prej tij, pasi erdhi në pushtet në 2005, u promovua prej tij në krye gjyqësorit dhe sot është sërish me të, i lidhur me të me fije që (nuk) priten aq lehtë.

Më shkoqur: Kur PD-ja e Berishës erdhi në pushtet në 22 mars 1992, Kreshnik Spahiu, i diplomuar vetëm një vit më parë, u emërua nënkryetar i gjykatës së faktit të Tiranës, gjykata më e madhe në vend. Prej saj do të ikte një vit më pas, jo për merita, por i kapur në një aferë korruptive, sipas akuzave të atëhershme të zyrës së ish-presidentit Berisha, që fliste për një “grusht dollarë” që ishin gjetur si provë materiale për ta fajësuar. Pas kësaj, Spahiu do të tërhiqej në jetën akademike, si lektor i Procedurës Penale në Universitetin e Tiranës. Por në vitin 1996, do të thirrej sërish në skenë, me të njëjtën skemë siç do të thirrej vite më vonë kolegu i tij Arben Ristani, që të merrte në dorë administrimin e zgjedhjeve më të turpshme në historinë pluralizmit në Shqipëri.

Do të mjaftonte vetëm fakti që Kreshnik Spahiu ka qenë sekretar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zgjedhjeve të 26 majit 1996, që AK-ja sot e drejtuar prej tij të mos ketë kartën morale për të folur për votë të lirë, respektim të votës së popullit, të shtetit të të drejtës dhe të opozitës. Bashkë me Berishën edhe në opozitë, sepse në vitin 2000 ai do të ishte pjesë e grupit të këshilltarëve të PD-së, në këshillin bashkiak të Tiranës. Edhe më tej, në krah dhe për Berishën. Ai ishte drejtor i Studios Ligjore “Legibus” dhe drejtues i grupit të ekspertëve ligjorë në Klinikën Ligjore për të Miturit, bashkë me disa juristë të tjerë që do të bëheshin figura të larta në PD, siç ishte Ilirjan Rusmali.

Qenien e tij si Drejtor Ekzekutiv i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve (CAO) prej vitit 2001, do ta vinte në shërbim të rikthimit të Berishës në pushtet, duke telendisur me raporte dhe protesta qeverisjen e të majtëve. Ai ishte në krye të protestave anti-korrupsion që CAO bënte në sheshin “Skënderbej”, duke improvizuar rrëzimin e “murit të korrupsionit”, apo të “piramidës së kleptokracisë”, të krijuar prej kryeministrit të atëhershëm Fatos Nano. Besnikëria iu shpërblye pas ardhjes në pushtet të kryeministrit “me duar të pastra”, Sali Berisha, në shtator 2005. Pasi dorëzon brenda rrethit të ngushtë postin e drejtorit të Transparency International Albania, në vitin 2007, Parlamenti Shqiptar me shumicë deputetë të PD-së, e votoi si Anëtar të KLD-së dhe më pas ishte për pesë vite nën/kryetar i tij.

Sot, ish-bashkëpunëtorët e tij në AK, të zhgënjyer, flasin për 100-200 mijë euro që u ishin kërkuar për të hyrë në listat e AK-së për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Flasin për pagesa nga 100 mijë lekë të reja në muaj, si kuota që duhen paguar për të qenë pjesë e Sekretariatit të AK-së. A është kaq i dhënë Kreshnik Spahiu pas parasë që bën partinë dhe partinë që mbledh paranë? Nëse dëgjon Berishën po. Ai që e akuzoi në 1993 për mitimarrje e akuzoi sërish në 2012 se kishte marrë shumë euro për të mos dënuar Ilir Xhakjan, personin afër PD-së, që me gjakftohtësi vrau komisarin e Shijakut, Adem Tahiraj. Më saktë, fjala e tij: “Vrasësi i kryekomisarit rezulton se ishte liruar me kërkesë të drejtuesit të KLD-së së Topit dhe faqeziut të tij (Spahiut-shënimi i autorit) dhe, a e dini pse? Se i duhej për të kërcënuar kushërinjtë e tij, për t’ua u bllokuar ndërtimet në pronat e tyre, se nuk i merrte dot pasurinë që s’i takonte.

I duhej që ta mbante bandit, ndaj dhe thërriste gjykatësit dhe i vinte nën presion për të liruar një njeri të dënuar disa herë”. Në shkurt 2012, Kreshnik Spahiu dorëhiqet nga posti i zv.kryetarit të KLD-së, pasi një grup i KLSH-së, por edhe një komision hetimor, i ngritur nga PD-ja në janar 2012, ishin nisur atje për ta ndëshkuar. Abuzimi? -Gjatë vitit 2011 Kreshnik Spahiu kishte kryer 15 udhëtime jashtë shtetit, rreth 26 ditë kalendarike, duke shpenzuar nga buxheti i shtetit, në kundërshtim me ligjin, 65 % të shpenzimeve vjetore për udhëtim e dieta; në total 2100 euro”. Tani Spahiu është “i vetëm” në zgjedhje. Shpreson të marrë votën e nacionalistëve që shikojnë me dylbi Greqinë, të opozitarëve të rrënuar me Sali Berishën 8 vite kryeministër dhe që vë në një kandar edhe Berishën edhe Ramën. Dhe ato vota që ëndërron t’i marrë, i do nga “thesi opozitar”. Berishës kjo i vlen dhe ai i ka vlerësuar ata që punojnë për të. Siç ka ndodhur në këto 21 vite, mes Spahiut dhe Berishës, në një bilanc të shpejtë, dalin vetëm ca parulla anti- Berishë për të rrëmbyer zemra opozitare; pjesa tjetër janë lidhje të ngushta me fije që (nuk) priten.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›