Promovohet "Maqedonia shqiptare", enciklopedia e shqiptarëve
Shqiptarët në Maqedoni kanë gjetur një mënyrë origjinale për t'iu kundërpërgjigjur Akademisë së Shkencave që botoi enciklopedinë fyese. Autori Njazi Muhamedi ka botuar një studim me titull "Maqedonia shqiptare", ku përmblidhen fakte mbi autencitetin e shqiptarëve në Maqedoni si dhe sillen figura shqiptare të historisë që ishin lënë jashtë nga hartuesit e enciklopedisë.
Ai ka nënvizuar se botimi i këtyre veprave nuk është projekt politik, por as që është inspiruar apo mbështetur nga ndonjë parti politike apo organizata.
"Bëhet fjalë për një projekt timin personal me karakter të qartë shkencor. Tekstet e përfshira janë të shkruara nga personalitete të shkencës nga kohërat e kaluara dhe të tashme. Ato më japin legjitimitetin për të folur rreth autoktonitetit të shqiptarëve në Maqedoni", ka theksuar publicisti dhe autori Nijazi Muhamedi, i cili ka paralajmëruar vëllimin e dytë dhe të tretë të "Enciklopedisë së Maqedonisë Shqiptare", të cilat do të publikohen gjatë vitit 2010 dhe kanë mbështetjen e shkencëtarëve dhe historianëve nga të gjitha profilet në Shqipëri dhe Maqedoni.