E Diel, 1 Nëntor 2026

Promovohet ribotimi i revistës Albania të Konicës

Promovimi i ribotimit të origjinalit të revistës Albania të Faik Konicës në MTKRS mblodhi shkrimtarë, personalitete të njohur të artit dhe kulturës e më gjerë. Mes të ftuarve në këtë aktivitet kushtuar Konicës merrte pjesë dhe ambasadori amerikan z. John Whithers.

Zv/ministria znj. Suzana Turku në fjalën e saj përshëndetëse u shpreh se një emër i madh si ai i Faik Konicës, është motivi që mbledh në këtë godinë ku dikur ka qenë vendosur Lidhja e Shqiptarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe sot Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për të promovuar një ndër botimet më interesante të realizuar në këto vite; Përmbledhja e numrave të revistës Albania, e krijuar dikur nën kujdesin e të madhit Konica. Ai dhe vepra shumëdimensionale që përfaqëson si  prozator, poet, publicist, kritik letrar dhe përkthyes, e radhit Faik Konicën si një ndër personalitetet më të shquar të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Revista "Albania", e krijuar si një organ periodik politiko-kulturore dhe letrar, u bë zëri më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë kombëtare. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propagandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tone, u shpreh znj.Turku. Në këtë revistë ai botoi vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm etj. Ndonëse krijimtaria e tij mbeti e shpërndarë për një kohë të gjatë në shtypin e kohës dhe një pjesë është e papërfunduar, ai gjithmonë njihej dhe vlerësohej për veprat e rëndësishme "Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit", cikli i tregimeve "Katër përralla nga Zullulandi", udhëpërshkrimi "Shqipëria si m'u duk. Ajo që duhet theksuar ka të bëjë me faktin se në trashëgiminë dorëshkrimore dhe atë të botuar, në krijimtarinë e Konicës vendin kryesor e zë publicistika. Ai sot njihet dhe vlerësohet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Për gjysëm shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese etj. Publicistika e tij përqendrohej në problemet e çështjes kombëtare, por nga ana tjetër, ai do t'i kushtojë vëmendje të posaçme ndërgjegjësimit të faktorit ndërkombëtar për vlerat dhe historinë e popullit shqiptar. Faik Konica në botëkuptimin e tij aspironte një shoqëri shqiptare të emancipuar dhe kërkonte që Shqipëria, të ishte jo vetëm gjeografikisht por në të gjitha sferat e jetës shoqërore, gjymtyrë e Kontinentit evropian, u shpreh më tej znj.Turku. Faik Konica  së bashku me Theofan Stilian Nolin konsiderohen më të drejtë nga studiuesit e ndryshëm si bashkëthemelues të kritikës sonë letrare. Penës i së tij i takojnë shkrimet "Arti i të shkruarit", "Ca këshilla për artin e shkrimit", "Kohëtore letrare shqipe" etj. të cilat shënonin një kontribut për orientimin dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›