Autoritetet e Kosovës i kërkojnë EULEX transparencë për hetimet
pas bastisjes që EULEX bëri në Ministrinë e Transportit dhe në pronat private të personave të kësaj ministrie, autoritetet kosovare kanë kërkuar nga ky mision transparencë dhe hetime të përshpejtuara në ndërlidhje me këtë rast. Ndërsa, nuk kanë munguar kritikat e krerëve të institucioneve për mënyrën e bastisjes. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se organet e rendit nuk kanë vepruar drejt. Ne mendojmë se organet e hetuesisë, qoftë të Republikës së Kosovës apo të EULEX, kanë mundur ta ushtrojnë detyrën e vetë në mënyrë shumë më civilizuese dhe nuk ka pasur nevojë të kryhet ashtu siç është kryer, tha Krasniqi. Por, përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit, kanë kërkuar nga politika që ti qëndrojë larg drejtësisë.
Në bazë të parimeve të përgjithshme, sundimi i ligjit duhet të lejohet që të punojë në mënyrë të pavarur, pa ndikime politike, u shpreh zëdhënësja e EULEX për komponentin e drejtësisë, Kristina Herodes. Përfaqësues të EULEX kanë bërë të ditur se hetimet në Ministrinë e Transportit kanë të bëjnë me tenderët për ndërtimin e rrugëve të periudhës 2007-2009. Prokurori Johannes Van Vreesëijk ka thënë se bëhet fjalë për keqpërdorime që, sipas tij, kapin vlerën e miliona eurove. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nuk janë njoftuar me asnjë fakt nga misioni evropian lidhur me keqpërdorimet e mundshme. Kësisoj, edhe nga Kuvendi, sipas kryetarit Jakup Krasniqi nuk është kërkuar shqyrtimi i imunitetit të ministrit Limaj. Ndërkohë, Krasniqi, ka thënë se ai vetë është për sundimin e ligjit në vendi, duke potencuar se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Por, Krasniqi, kritikoi misionin evropian se nuk po punon që të shtrijë sundimin e ligjit edhe në veriun e vendit. Neve na vjen keq se në këtë rrafsh EULEX-i duhet të tregojë që është për ta luftuar çdo formë të krimit, korrupsionit dhe trafiqeve të ndaluara që janë të shumta sidomos në pjesën veriore dhe që nuk është bërë gjë gjatë gjithë këtyre viteve, tha Krasniqi. Ndryshe, vetë ministri Limaj ka deklaruar se është i hapur për hetime. Ai po vazhdon ta kryejë punën e tij si ministër, ndërsa deri më tani, misioni evropian, nuk ka arrestuar askënd, ndërsa ka thënë se nuk ka as të dyshuar, meqë po hetohet rasti dhe jo individët.
EULEX arrestime në Prishtinë
Misioni evropian për sundimin e ligjit ka bërë me dije se ka arrestuar në Prishtinë, një person të dyshuar për krime lufte. Në një komunikatë të EULEX thuhet se me urdhër të Prokurorisë Speciale, policia e këtij misioni ka kryer bastisje në një shtëpi në Prishtinë dhe se ka arrestuar një mashkull të dyshuar të ketë kryer krime lufte në periudhën prill-qershor të vitit 1999. Burime të besueshme thonë se personi Sabit Gecaj, qëndron i akuzuar për krime lufte midis prillit dhe qershorit 1999 në një qendër paraburgosje që drejtohej nga UÇK në Kukës në veri të Shqipërisë. Misioni i EULEX thotë se ka përgjegjësi ekzekutive në fusha të caktuara në Kosovë në veçanti në rastet e krimeve të rënda dhe ato të luftës.