Prona në qendër të Tiranës, kryeministri Berisha “përgënjeshtron” vetveten
Ervin KOÇI
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka qenë dje kontradiktor me deklaratat e tij të bëra në lidhje me fatin e pronës në qendër të kryeqytetit, të cilën ai e ka konsideruar si “pronë publike”. Krejt ndryshe nga sa është deklaruar ngaherë për gjoja kthimin e pronës te pronari i ligjshëm, kryeministri Berisha, dje, papritur, ka ndryshuar qëndrim gjatë mbledhjes së qeverisë. Ai ka kërkuar me forcë mbajtjen e truallit në qendër të kryeqytetit si një “pronë publike” dhe eliminimin e çdo pretendimi nga pronarët e ligjshëm të saj për të rimarrë atë çka u takon. “Në asnjë rast nuk do të lejojmë marrjen e pronave publike nga pronarë të paligjshëm që kanë falsifikuar dokumentacionet”, - ka deklaruar dje kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë. Në këtë mënyrë, kryeministri Berisha ka mbajtur të njëjtin qëndrim si të ministrit Sokol Olldashi, duke iu shmangur së vërtetës për pronën në qendër të Tiranës. Në këtë mënyrë, dje, për të dytën herë, kryeministri ka kundërshtuar veten edhe kur ka shkelur premtimin që u ka dhënë komuniteteve fetare për kthimin e pronave të tyre. Në këtë rast, kryeministri Berisha ka mohuar një të drejtë që i takon me ligj Komunitetit Mysliman, të cilit i përket një pjesë e pronës në qendër të kryeqytetit. E vërteta është se kreu i qeverisë po kundërshton vendimet që vetë institucionet e tij kanë marrë, pasi Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që varet direkt nga Këshilli i Ministrave, ia ka kthyer një pjesë të këtij trualli Komunitetit Mysliman. Madje ka edhe një certifikatë pronësie që e vërteton faktin se sipërfaqja është regjistruar edhe në Hipotekë në datën 14 janar 2008 nga kryeregjistruesi Fadil Kaloshi.
Kamuflimi
Kryeministri Berisha është munduar dje që me anë të disa dokumenteve fotografike të maskojë të vërtetën në lidhje me pronën në qendër të Tiranës. Në mbledhjen e qeverisë, Berisha iu referua një atlasi fotografik, sipas të cilit, prona është shtetëzuar që në kohën e mbretit Ahmet Zogu dhe pronarët janë shpronësuar. “Për të gjitha shpronësimet e bëra nga mbreti Zogu I në këtë zonë të qytetit, ka pasur kompensimet përkatëse, duke theksuar se falsifikatorët dhe mbështetësit e tyre do të marrin përgjigjen e merituar nga ligji. Qendra e Tiranës, në çdo centimetër të saj, ishte vetëm tokë publike me dokumentet më të qarta. Zotërinj ministra, dua t’ju rikujtoj se ndërtesa e Ministrisë së Kulturës sipas atlaseve dhe të gjitha dokumenteve është ndërtuar në vitin 1932 nga Naltmadhnia e tij, Mbreti Zogu I, i cili në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk i ka përvetësuar kujt pronën, por ka shpronësuar në përputhje me Kodin Civil”, - ka deklaruar kryeministri Berisha.
Porosia
Kryeministri Berisha i ka kërkuar dje sërish ministri Olldashi që të vijojë me hedhjen e argumenteve mashtruese në lidhje me pronën në qendër të kryeqytetit, të cilën ky i fundit, dy ditë më parë, e ktheu në një lulishte të improvizuar, duke shkelur ligjin. Kryeministri kërkoi nga ministri i Punëve Publike verifikimin e të gjithë dokumentacionit për qendrën e Tiranës, për të shmangur në këtë mënyrë, sipas tij, përvetësimet e padrejta të tokës publike. “Zoti ministër i Punëve Publike, duhet t’ua japësh fotot e albumit të gjitha mediave. Më sipër është një barakë e ndërtuar nga fundi i viteve 1800, një kazermë ushtarake turke. Me të gjitha dokumentet, ajo është një dhomë tregtie, më vonë spital austro-hungarez e pastaj gjimnaz. Dhe tani na del se qenka pronë e asaj apo kësaj familjeje. Ajo ndërtesë është mbi 100-vjeçare. Më sipër janë varrezat e Karapicëve dhe xhamia e Karapicëve. Ka dokumente për këtë. Naltmadhnia e tij, Zogu I, ndërtoi sheshin dhe hoqi të gjitha varrezat familjare ose shtëpiake që ishin brenda qytetit. I bëri të gjitha ato me shpronësim të plotë. Edhe xhaminë e rrafshoi për të ndërtuar sheshin, por e kompensoi”, - është shprehur kryeministri Berisha. Në vijim të këtyre deklaratave, kryeministri i ka cilësuar si të falsifikuara dokumentet e pronësisë nga pronarët e ligjshëm, duke u mohuar atyre çdo të drejtë legjitime mbi pronën.
Kryeministri Berisha, pazar me tokat e pronarëve të ligjshëm
“Këtu nuk janë në lojë shuma të vogla, por të paktën 110 milionë euro”. Ky ka qenë citimi që kryeministri Berisha bëri dje gjatë mbledhjes së qeverisë, kur po komentonte problemin për pronën në qendër të kryeqytetit. Nga deklarata e tij dhe nga urdhri që ai i dha dje ministrit të Punëve Publike për të bllokuar me çdo formë lëshimin e pronës në qendër të kryeqytetit, u kuptua qartë pazari që kreu i qeverisë kërkon të bëjë me këtë tokë, pa marrë parasysh pronarët e ligjshëm. “Mund të bëhet edhe një ligj i veçantë për shitjen e tyre me ankand dhe t’ua kthejmë pronarëve. Mund të ketë edhe ide të tjera, por ne do t’i shesim ato me 2000 euro metrin katror, në përputhje me planin e qytetit që ndërtohet”, - deklaroi kryeministri Berisha. Më tej Berisha vijoi me premtime duke thënë se “i gjithë ky fond prej 112 milionë eurosh që qeveria mund të sigurojë nga kjo pronë gradualisht do të kalojë i tëri për kompensimin e pronarëve”. Në këtë mënyrë Berisha ka dalë qartë në qëllimet e tij për të bërë tregti me pronat publike. “Ka një problem, ka një ligj të vitit 1994, ku qeveria nuk lejohet të shesë tokën publike përveçse me vendim të Këshillit të Ministrave, për qëllime të caktuara. Ai vendim është shumë i dobishëm sepse ka pasur si qëllim që të mbrojë dhe të mos lejojë shitjen e pronave pa u kompensuar pronari. Aty ne mund të ndërhyjmë dhe të fusim kompensimin e pronarëve dhe krijimin e fondeve për ta, sepse aty është e përcaktuar se kur Këshilli i Ministrave mund të marrë vendim për të shitur tokën publike. Ndaj dhe do të bashkërendoni të gjithë veprimtarinë. Do të përdoren në mënyrën më transparente, më të ndershme dhe çdo gjë në funksion të fondit të kompensimit të pronarëve”,- deklaroi Berisha.
Kryeministri synon të mbulojë skandalet me premtimet për ish-pronarët
Kryeministri Berisha ka shfrytëzuar dje mbledhjen e qeverisë dhe konfliktin në qendër të Tiranës për të dhënë një mesazh të rremë për ish-pronarët. Trualli në qendër, i cili rezulton me pronarë të ligjshëm, familjen Kika dhe Komunitetin Mysliman, sipas Berishës, do të nxirret në shitje dhe paratë do të përdoren për kompensimin e pronarëve. “Vitin që vjen dhe në vazhdim do të ndërmerret regjistrimi më i gjerë që është bërë deri sot i qytetarëve dhe pronave, kudo ku ndodhen. Në këtë mënyrë do të krijohet fondi përfundimtar dixhital i pronësisë. Qeveria nuk do të mbledhë për buxhetin e vet as edhe një qindarkë të vetme, por të gjitha do t’i vendosë në mënyrën më transparente dhe më të ndershme, në funksion të fondit të kompensimit të pronarëve”, - premtoi dje kryeministri Berisha. Me këtë qëndrim, kryeministri kërkon të largojë vëmendjen nga skandalet që kanë përfshirë qeverinë e tij ditët e fundit, siç është dhunimi që iu bë gazetarit Mero Baze nga biznesmeni me mbrojtje politike, Rezart Taçi, apo edhe konfliktet e pronësisë të krijuara në Orikum, ku Polica e Shtetit dhunoi banorët e zonës. Më tej, Inspektorati Ndërtimor dhe Policia e Shtetit krijuan një kaos të vërtetë në qendër të Tiranës, duke u konfrontuar me Policinë Bashkiake për ndërhyrjen e pajustifikuar në pronën e familjes Kika dhe të Komunitet Mysliman.
PDK: Sheshi në qendër të Tiranës, pronë private e ligjshme
Partia Demokristiane ka denoncuar ndërhyrjen e qeverisë në sheshin e ndërtimit në qendër të Tiranës. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, tha se qeveria qendrore ka bllokuar në mënyrë të paligjshme sheshin e ndërtimit në qendër të Tiranës, e cila është një pronë private e ligjshme. “Partia Demokristiane denoncon përpjekjet e qeverisë për të goditur autonominë e pushtetit lokal dhe uzurpimin e kompetencave të pushtetit vendor nga pushteti qendror dhe kryeministri. PDK-ja denoncon ndërhyrjen e qeverisë qendrore për bllokimin e një sheshi ndërtimi në qendër të Tiranës, pronë private e ligjshme dhe në përputhje me të gjitha kriteret e shkruara në legjislacionin shqiptar”, - tha Ndoka.
5 Nentor 2009