E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: “Vendi në krizë, vetëm zgjidhja politike rikthen normalitetin”



Partia Demokristiane ka akuzuar qeverinë dhe maxhorancën aktuale se po e zhyt vendin në një krizë të thellë. Kreu demokristian, Nard Ndoka, tha se qeveria po riciklon konfliktet dhe dhunën, po godet autonominë e pushtetit lokal, po dhunon pronën private, po fut në konflikt institucionet për të mbrojtur bizneset e paligjshme dhe po gjeneron konflikte sociale. Ndoka tha se për të rikthyer normalitetin në vend nevojitet një zgjidhje politike dhe rikthim i dialogut mes maxhorancës dhe opozitës. “Partia Demokristiane shpreh shqetësimin e saj për rritjen e klimës konfliktuale në vend. Kohët e fundit është vënë re acarimi i klimës së tensionit politik dhe social për shkak të manipulimit dhe deformimit të votës së shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë këtyre muajve të parë të qeverisjes së dalë nga një proces zgjedhor i tjetërsuar, ne jemi dëshmitar të thellimit të konflikteve midis institucioneve dhe pushteteve, madje edhe midis segmenteve të maxhorancës. PDK-ja denoncon gjithashtu futjen në konflikt të institucioneve brenda shtetit, siç ishte përplasja midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, ku Policia e Shtetit u përdor kundër Policisë Tatimore që po zbatonte ligjin kundrejt një biznesi debitor që nuk shlyen detyrimet ligjore për shkak të lidhjeve të tij me piramidën e pushtetit. PDK-ja vëren më shqetësim se klima konfliktuale, që është pasojë e drejtpërdrejtë e manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, po thellohet dita-ditës, duke kërcënuar institucionet legjitime, liritë e qytetarëve, pronën, madje edhe jetën e tyre, siç ishte rasti i dhunës kriminale ndaj gazetarit Mero Baze. PDK-ja është e bindur se e vetmja zgjidhje për krizën e gjithanshme që ka përfshirë vendin është zgjidhja politike, ndaj i bën thirrje të gjithë faktorit politik në opozitë dhe në maxhorancë që të fillojë menjëherë dialogun politik për kthimin e normalitetit në vend”, - u shpreh Ndoka.

5 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›