E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: Në tetor nisin punimet e kampusit

Punimet për ndërtimin e kampusit të ri universitar të Universitetit të Tiranës, që do t’i japi zgjidhje mungesës së auditorëve në fakultetet e tij do të nisin vitin e ri akademik. Kështu shprehet rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili bën të ditur se në tetor, në auditorët e Universitetit të Tiranës, për të gjitha ciklet e studimit, do të ulen mbi 13 mijë të rinj. “Shpresoj, fillimi i vitit të ri akademik do të fillojë dhe procesin e ndërtimit të kampusit të ri, që do të jetë një nga zgjidhjet kryesore për arsimin e lartë në Shqipëri dhe Universitetin e Tiranës në veçanti. Na është krijuar një problem, meqënëse kemi shtuar për këtë vit numrin e studentëve në degën e Teknologjisë së Informacionit dhe kështu na është kërkuar, na krijohet problem për këtë fakultet për ambiente”, - thotë Kule. Ai shprehet se nevojat këtë vit lidhen më shumë me numrin e pakët të pedagogëve, ndërkohë që shtimi i tyre do të kërkonte një buxhet 3-fish më të madh nga ai aktuali, dhe kjo sipas Kules është e papërballueshme. Ndaj ai shprehet se Ministria e Arsimit, duhet të rishikojë buxhetin. “Çdo pedagog i brendshëm kryen punën e tre pedagogëve. Zhvillojmë 600 mijë orë pune me ngarkesë mësimore dhe paguajmë me fond pagash vetëm 240 mijë orë pune. Që të trefishohet numri i pedagogëve kërkohet një buxhet trefish, aktualisht është e pamundur kjo gjë”, - pohon Kule. Aktualisht, në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës po vazhdojnë regjistrimet e studentëve fitues, proces ky që do të mbyllet në datën 18 shtator.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›